Nga Keze Kozeta Zylo
XHEVAHIR SPAHIUT iu dhurua shpata e Skënderbeut nga nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life”, New York vite më parë
Gëzuar ditëlindjen e 81 Poet i Kombit!
Nxënësit shqiptarë të Nju Jorkut i dhurojnë shpatën e Skënderbeut Xhevahir Spahiut në 70-vjetorin e Tij
Një zë sa fëminor po dhe aq i bukur të ndërpret spjegimin dhe të thotë: – “Mësuese, a mund t’i sjellim shpatat e Skënderbeut nga Vjena, këtu, se të gjithë ne do t’i ruajme si sytë e ballit në shtëpite tona”!
Poetët e vërtetë me krijimtarinë e tyre gjithmonë bëhen burim frymëzimi për brezat, ata sjellin frymën hyjnore aq pranë sa duket se je takuar paprimtas me Zotin.
I tillë është poeti i Kombit, Akademiku Xhevahir Spahiu që me poezitë e tij erdhi pranë nesh si këngë zogjsh dhe u ul në degë të gjelbër Shqipërie pranë Diasporës në Shkollën Shqipe “Alba Life” në New York.
Poezia e tij depërtoi kaq thellë në fëmijët 4-6 vjeçarë sa vendosën ta recitonin për 7 Marsin, Ditën e shenjtë të mësuesit. Ishte “Shpata e Skënderbeut” titulli i poezisë së Spahiut me metaforat si gjerdan që dukej sikur zogjtë cicërues i mbanin në sqepin e tyre dhe së shpejti do të ndërtonin folezën e argjendtë aty ku mijëra fëmijë lindur dhe rritur jashtë Atdheut e mbajnë në zemër dhe në gjak Gjuhën Shqipe. Ndonëse shumë të vegjël, ata arritën ta mësonin dhe ta kuptonin shpatën e Skënderbeut dhe Heroin Kombëtar me të cilin çdo shqiptar dhe bir shqiptari ndjehet krenar sa të ketë frymë mbi tokë.
Shumë prej fëmijëve që s’flasin shqip nuk e njohin Skënderbeun, është vetë poeti që duket sikur ngre shtatoren e Skënderbeut në krah, apo shpatën e Tij nga Vjena në krahun tjetër dhe e ul pranë nesh në një shkollë publike amerikane ku mësohet shqip nga fëmijët shqiptarë. Poeti erdhi krah për krah me Skënderbeun si: ” Eci përmes ecjeve, / me kumtin e këngës. / Ditën bir i Diellit, / natën bir i Hënës”… sic shprehet ai në një poezi tjetër. Eshtë një hapësirë magjike dhe komunikim i prushtë midis fëmijëve kur para se t’jua mësosh përmedsh poezinë u flet me fjalë tepër të thjeshta se cili është Skënderbeu, apo dy shpatat e tij që ndodhen që prej vitit 1590 në Muzeun Historik të Artit në Vjenë, ndërkohe një zë sa fëminor po dhe aq i bukur të ndërpret spjegimin dhe të thotë: – “Mësuese, a mund t’i sjellim shpatat e Skënderbeut nga Vjena këtu, se të gjithë ne do t’i ruajmë sytë ballit në shtëpitë tona”! Duke i dëgjuar këta fëmijë të mrekullueshëm m’u duk se nxënësit kishin hyrë në rezonance me vetë Poetin, në një ligjërim të brendshëm shpirtëror që vetëm me të tillë poetë mund të ndodhë ky mrekullim i tillë. Me siguri në se Poeti i lindur në Malind, do t’i dëgjonte këta nxënës të Diasporës që recitojnë për Shpatën e Skënderbeut, do të fluturonte qiejve për t’i puthur në ballë këta bij shqiponjash. Poezite kanë dalë nga zemra e tij që rrinë si kurorë mbi malin e shenjtë të Tomorrit ku poeti e ka pjesë të jetës. Një tjetër katërvargësh si skulpturë do të ngrejë poeti aq tronditës si: “Mjegulla u var; Mali nuk duket më; Fusha ka mbetur; Pa Zot dhe pa zë”.
Poezinë për fëmijë: “Shpata e Skënderbeut” mësuesja e tyre dr.Valbona e ndau sipas nxënësve në strofa, ku secili prej tyre duket sikur bisedon me Skënderbeun në kalë. I pari që e fillon interpretimin është Rilind Bardhi një djalë inteligjent 4 vjeç i cili thotë: Një fëmijë afrohet/ dhe zë flet ca fjalë/- Xhaxhi Skënderbe/ merrmë pak mbi kalë! I dyti është Naim Kasneci, plot buzëqeshje fëminore që vazhdon: Vetë s’mund të ngjitem/ vetë s’mund ta ngas/ po me ty unë dua/ rrufeve t’u flas. Të tretat janë dy vajzat simpatike Julinda dhe Rozafa Dimnaku me baba shqiptar dhe nënë turke të cilat vazhdojnë: Merrmë “hop” mbi kalë
ah, më prit paksa/ t’i sjell ujë kalit/ në se etje ka!/ Ule një çast shpatën
dora t’u këput…/- Jo – tha Skënderbeu/ se jemi në luftë!/ Pa këtë, mor djalë/ s’mund të ketë liri/ s’do të ish kjo pemë/ s’do të ishe ti…
Ata u duartrokitën rrufeshëm nga nxënësit e tjerë dhe prindërit e tyre që ishin ulur në bangat e fundit duke dëgjuar fëmijët që aq bukur recitonin poezinë.
Ndërsa ata recitonin në mendje më vinin përsëri vargjet e poetit se: “Tehut të shpatës kemi ecur rrufé”. Poeti i ndjesive të holla, i fijëzave të shpirtit ka ditur mjeshtërisht të komunikojë me fëmijët ndoshta sepse qysh fëmijë ai u rrit në fshat, në shtëpi të gurta, dëgjoi në mëngjes zërin e këndezit si viollinë paganini, eci si sportist në mal, atje pa dhe ujkun që hëngri bagëtitë, pa gjakun rrëke në tokë të deleve të perëndisë ai i pa origjinal, eci i lebetitur duke u rrëzuar dhe vrarë gjurin, dalluar sot nga shumë fëmijë që i shohin kafshët artificialisht në lojërat kompjuterike dhe shkroi: Gjaku pikoi e hodhi rrënjë mbi gurë / gjakun prej shpatave/ e fshimë me shajak, / kur s’patëm armë, / ne prej trupit shkulëm / njërën nga brinjët dhe e bëmë shpatë…
7 Marsi Dita e shenjtë e Mësuesit po afrohet shpejt, nxënësit shqiptarë në New York po e presin me një koncert të pasur artistik. Në pjesët e bukura të këtij koncerti është dhe poezia “Shpata e Skënderbeut” qe ja bëjnë si dhuratë Poetit në 70 vjetorin e tij të Lindjes nxënësit e vegjël me interpretimin e tyre, për të cilët e ka shkruar dhe përgatitur posaçërisht për ta.


