Boris Miska

Kontrastet e një rruge të përditshme.
Sot qëlloi e premte dhe rastisi ora dymbëdhjetë kur po kthehesha për në shtëpi. Sa u afrova tek Bashkia dëgjoj këmbanën e Katedrales time ortodokse e cila sa bëri dy-tre përpjekje u mek nga nisja e lutjeve në xhaminë e Et’hem Beut. Dikush filloi një fjalim me artopolant, disa jashtë dëgjonin me gojë hapur se ç’kishte bërë në tre ditë , ndërsa ne të tjerët ngusnim hapin indiferent për në punën tonë.
Pak më tutje dy grupe vajzash me uniformë, kanë ngritur një postabllok dhe nuk të lenë pa ta bërë pyetjen e përditshme; a përdorni Vodafon!
Ul kokën, ngus hapin, pak metra më tutje, poshtë një harkorje betoni pa funksion, shoh tre gra që qëndronin si pika çuditëse pas një tabele mbi të cilën shkruhej; afrojmë mësime falas për Biblen. Majtas në derën e ish-Biblotekës Kombëtare këmbë njeriu, askush nuk hyn e kërkush nuk del. Para saj një gërrnetaxhi me dy tre avaze çirret fort në të vetën, dhe pret që dikush nga kalimtarët të ndalet të hedhi ndonjë lek. Pas tij sfondi i ish-institucionit me kulturë duket si derë e një akademie artesh të falimentuar.
Tutje pas ferrave të rritura aq sa zënë edhe Sahatin e Tiranës, dikush zbraz lëngjet trupore, i qetë me kokën si struci se askush s’po e dallon. Hipi në busin e Porcelanit, gjej një vend bosh. Fati më ra të kisha pranë turistin, me gjasë i 12-milionti, por që vinte erë djersë. Kishte ditë pa u larë. Ja kjo është rruga ime e përditshme me kontrase të thyera, plot erëra e trazime.
Ky është atdheu im, që nuk beson askund por që lavdërohet për tolerancë fetare. Askush nuk lutet, por të gjithë besojnë, të gjithë premtojnë por kërkush se mban fjalën e dhënë, atë përbetim për të cilën ne i kemi rënë gjokseve me grusht dhe s’lodhemi së mburruri para botës; besën e shqiptarit.
Busi merr rrugëtim i lodhur, me njerëz që mbajnë sytë mbi celular dhe fatorinon që fërkohet me pasagjerët sa herë kalon në kërkim të biletës. Të gjithë hipin nga ato dyer ku shkruhet Zbritje dhe zbresin tek tjetra që bota e përdor si Hyrje dhe kontroll bilete. Mendova, iku dhe një ditë, edhe kjo si të tjerat. Tiranë 23 janar 2026.