Dori Camaj

Je lodhur, e di…
Kot fshihesh pas buzës
që harkohet prej instiktit.
E di…
ti kurrë s’ke dashur të derdhësh
shishen tënde
n’got t’tjetrit.
I len t’gzojn
me yjet e tyre
që u bien sysh…
T’dhembin shpatullat shpirt?!
E di…
Gjithnjë në kremastar tendosur
edhe kur i ftohti
të shpon tej për tej.
Flet kaq shumë me Hënën
sa lutem të ikë…
Të ikë tek dielli
a ku di unë,
të gjej dashurinë e saj
edhe pse betuar është të mos takohen..
Në fund të fundit
le ta shkel dashuria betimin që ndan nat’ e dit’..
E di…
Ti flet dhe me mua,
atëherë kur dihat,
e grushtet thyen n’parvaz t’mekur.
Nuk më dhemb dhembja ime,
më dhemb ti..
Për ty jam Hën,
gjithnjë shpinëngjitur
n’ty….
Dori Camaj