Nikollë Loka

Njerëzore
Ke lindur me kockë në zemër,
i fortë hekur,
e pret rrezikun, plumbin, vdekjen
me dorë,
por ta trazon shpirtin një e qarë fëmije,
mallkon çdo krijesë perëndie,
kur jetimi vajton prindin,
te një rrasë guri,
mbi një vorr.
Thyhesh para dobësisë
së fëmijëve jetimë,
shpirtërave anonimë
që s’mbetën…
që ikën, u shuan, u tretën…
Ndryshe ai tjetri,
i lindur me dru në zemër,
e shmang rrezikun,
e kurr përballë nuk del me të ligun
si vetja.
E tremb e papritura,
dhimbja, plakja dhe vdekja,
s’ndjen për askënd mëshirë,
për asgjë s’derdh lotë,
mburret se është i fortë,
eliksir.
E gëzojnë të ligat te tjetri,
kur e sheh copë-copë,
të rënë në gropë
e pa rrugëdalje.
Për të mirën e tij
edhe para dreqit të zi
kërkon falje!
Drita zbardh
Drita zbardh,
retë
ngjajnë si pelena të lara,
dëgjohen fjalë,
të qeshura e të qara,
mëngjesi ka lindur djalë!
Në vend
të një krisme lajmëtare,
shpërthejnë fishekzjarre,
si meteorite larë në ar.
Mëngjesi ka lindur djalë,
dhe dielli do të vijë,
drita shtegton para tij,
me fytyrë femërore,
dhe zbret mes nesh
e pafaj…
Atë dritë, a ke me e dashtë!
Gjendem
brenda universit tim të lashtë,
ku fjala mbeti jashtë,
përtej galaktikës së gjashtë.
Në humbëtira fjalësh,
dritë lëshon errësira,
mbi konstelacione zjarresh
e pasqyra,
mbi livadhe grash.
Atë dritë, a ke me e dashtë,
apo ke me e hedh mbas krahësh,
në mes dallgësh,
në oaze flakësh,
kur shpirtërat bëhen bashkë.