” Poeti “-Kujtim N. Mullai

Nga CIKLI: " POETI "

* * *
Do të shkruaj një poezi sot!
Vendosa sa u zgjova.
Me kokën mbi letra
Më kaloi dita,
Asnjë varg nuk shkrova.

Ditën e dytë,me të hapur sytë,
Nga MUZAT ndihmë kërkova.
Më iku dhe kjo ditë,
Me kokën mbi letra,
Asnjë varg nuk shkrova.

Kur dhimbjet e krijimit
S'po ma lindnin një varg,
Kujtova gratë shterpa
Dhe zemra m'u shtang!

Por, ja...
Të tretën ditë
Ndodhi çudia:
Trokiti dera,
Hyri DASHURIA!

Çdo shtrëngim dore,
Puthje, ledhatim,
Ma dehu zemrën,
Ndezi frymëzim!

Vullneti, MUZAT,
Ndiqnin me habi,
Si çdo minutë
Rridhte POEZI!