Inkuizicioni nuk bëhet më në turrën e druve- Migel Flor

Migel Flor


Artistët e çdo hapësire nëpër mote, s’kanë qenë thjesht krijues por zëra që tronditën themelet e sistemeve të kalbura duke zgjuar ndërgjegjen e popujve. Arti ka shërbyer në misionin e tij si një pasqyrë e së vërtetës duke e ylberuar atë. Sot më erdhi ndër mend turra e druve.

Ndoshta sepse figura e Krishtit mbetet ende e kryqëzuar në ndërgjegjen njerëzore dhe ringjallja e tij përtej simbolikës fetare, është një metaforë e përhershme e së vërtetës e mbirë si kryqëzim. Në histori, ata që guxuan të thonë të vërtetën, shpesh u dogjën, u bënë hi. Galileo Galilei nuk u dogj në turrë, por u dënua të heshtte; megjithatë, fjala e tij mbretëroi nëpër shekuj. Inkuizicioni nuk kishte frikë nga njeriu por nga ideja e tij. Victor Hugo dhe jehona e Revolucionit Francez shkojnë si një duet planetar në krahët e historisë. Letërsia e tij nuk ishte thjesht galvanizim arti dhe estetike por një revoltë e stuhishme morale.

Ai nuk përshkroi vetëm mjerimin; ai e denoncoi atë. Arti, kur është i vërtetë, bëhet akt politik pa pasur nevojë për tituj dhe flamuj. Edhe në letërsinë shqiptare, ky fenomen i zgjimit dhe rilindjes ka qenë i fortë dhe i dhimbshëm.

Migjeni ynë mbetet një nga zërat qiellorë të ndërgjegjes sonë. Ai nuk i këndoi bukurisë së rreme por plagës që mbeti hapur. Ai ktheu në kushtrim zërin për kombin, mjerimin, amalgamën e padrejtësisë shoqërore. Dhe pikërisht për këtë mbeti një yll i vetmuar në kohën e tij por i pavdekshëm. Historia shqiptare është e mbushur me zëra që patën fat ndëshkimin, pikërisht sepse nuk pranuan të heshtnin. Lasgush Poradeci, ndonëse një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, mbeti në hije për vite nga sistemi sepse nuk iu përul marrëzisë së realizmit socialist.

Musine Kokalari, e para shkrimtare, u syrgjynos dhe u internua për bindjet politike dhe për guximin, vetëm sepse mendonte ndryshe. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan (zoti i madh!?) vetëm se ishin poetë me një zë tjetër nga ai i “bretkosës” mjerane.

Fatos Arapi dhe Dritëro Agolli, edhe pse pjesë e sistemit letrar zienin mllef deri në thinjat e tyre, dhe psherëtimën e bënë mjegull; veprat e tyre në mjegullnajë mbetën… Ndërsa Ismail Kadare i madh zgjodhi rrugëdaljen më të ndërlikuar: të fliste përmes alegorisë duke e sfiduar sistemin brenda vetë strukturës së tij. Nuk janë të paktë shembujt botërorë: George Orwell me distopitë e tij që zhveshin mekanizmat e kontrollit; Aleksandr Solzhenitsyn, që denoncoi kampet e përqendrimit sovjetik; Pablo Neruda, që i dha zë popujve të shtypur. Të gjithë këta u përballën me forma të ndryshme të “inkuizicionit” modern: censurë, internim, përjashtim, deri në heshtje. Në Shqipëri, pas viteve ’90, u duk sikur “lulëzimi” do të vinte më me gjallëri dhe natyrshëm, duke qenë se artistët, veçanërisht poetët, fituan të drejtën e fjalës. Por a ishte ajo liria e plotë dhe e vërtetë? Shpesh… vetëm shterpësi. S

ot, inkuizicioni nuk bëhet më në turrat e druve; nuk sheh më tym dhe hi. Heshtja është bërë forma më e sofistikuar e censurës. Politikat nuk bëjnë ndëshkime hapur; mjafton të të shpërfillin dhe të të lënë në hije, në vegjetim. Industria e medias, shpesh, promovon art pa art, duke degjeneruar thelbin dhe qenien e tij, duke fshehur plagët e vërteta shpirtërore… deri në pikëllim.

Ndërsa poeti, eliksiri i plagëve, dimrin dhe vuajtjen e tij, fisnikërisht mbron identitetin dhe shenjtërinë e kësaj bote edhe pse shpesh mbetet “delja e zezë” mes kopesë me bejka të bardha… Mbetet rebel, një skllav që i përkulet vetëm shpirtit njerëzor. Ndoshta poetët emigrantë janë më të lirë, jo se janë më të privilegjuar por sepse kanë të ngjizur mallin dhe dhembshurinë me limfën krijuese; dhe vetëm ata sjellin vepra të vërteta për panteonin magjik. Prandaj ata duken më të përëndishëm. Zemra e tyre ka më shumë brengë që e kthejnë në këngë… Ata mbeten shpendë në fluturimin e përjetshëm, aty ku stinët bëhen gjëmia e tyre.

Nuk digjen më “Galilejtë”. Ata lihen në errësirë. Nuk ndëshkohet më trupi i tyre; ndëshkohet ekzistenca e tyre sociale. Artistët e degdisur në rrugë të padukshme i lëndon xhepi në boshllëk, dhe kjo “dramë” thinjet mbi supet e kohës moderne.