Miltiadh Davidhi

I përkohshëm në stacione të përhershme
Jetoj kohën time të përkohshme
Nëpër stacione të përhershme,
Me trena ëndrrrash në lëvizje,
E heshtim pa njeri-tjetrin, unë e hija ime,
Ti e hija jote, mes hijeve të shumta,
Që vijnë nga pas, pa na njohur,
E pa më zgjuar kujtime.
Ah, të kishte qenë dhe koha jonë e përhershme,
Si dhe stacionet!
Sot do takoja cilin të doja në realitet,
E jo në ëndrrime,
Dhe malli e dhimbja,
S’do më shponin në zemër,
Si majë thike e mprehtë.
Netëve ndër ëndrra s’do qaja
Për të gjallë e të vdekur,
Me gjoksin me ngashërima ere
Tretur ndër yje,
Se do isha i pranishëm në të gjitha
Kohërat e stacionet,
Në të gjitha ngjarjet
E dashuritë e tyre!
Në vëndin tim, dikur më bëhej lëndinë
Plot me dashuri, zemra,
Që tashmë vajton’e mjerë,
Nga dora e kohës hedhur si gur zalli,
Në ëndrrën që hesht e pa vlerë.
Fytyra të panjohura më shohin,
Pa as më të voglin kujtim të shkuar,
E s’më ngrohin, s’më njohin,
Ardhur këtu, rastësisht nga halli,
E unë i ngjaj një pike loti
Që pikon
Ndër qerpik drite, nga malli.