Një zë u shua, një dritë u rindez…Nexhbedin Basha

 
Kushtuar artistit Mirush Kabashi
Një zë u shua… dhe skena u drodh në heshtjen e saj,
si një qiell që humb yllin pa kuptuar natën.
Por fjala u kthye në dritë që s’fiket,
dhe rron nën rrahjet e zemrës.


Sokrati u ngrit në këmbë, i tronditur,
fjalët e tij u bënë hije mbi salla,
dhe koha ndaloi për një çast,
dikush mungonte, që la gjurmë në kujtesë.


Perdja u ul ngadalë, jo për të mbyllur shfaqjen,
por për të mbuluar një mungesë që s’mbulohet.
Duartrokitjet mbetën pezull në ajër,
jehonë e një jete që nuk mbaron.


Dardan në rrënjë, me det në shpirt,
mes gurit të Gjakovës dhe valës së Durrësit,
u bë emër pa kufij i skenës dhe i kohës.


Aktori Kabashi, një zë i lirë,
në interpretimin e “Poemë Kosovë” sjell drithërima.
Fjala e tij bëhet zjarr, zëri kujtesë,
çdo varg frymë e përjetësi, gjurmë në art e histori.


Kabash… jo ikje, por ngjitje,
aty ku fjala bëhet kujtesë dhe heshtja përkulet para dritës së tij.


Sot skena nuk të thërret më, por të mban brenda vetes,
si rol që nuk mbaron.
Ti nuk luaje - ti jetoje.
Dhe arti yt nuk u mbyll me perden;
në errësirë vazhdon të marrë frymë,
si zjarr që nuk shuhet, por mbetet dritë.
Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet