Në prag të Ditës së Flamurit
Legjenda SHPATA E MARO PRODANIT


-Në respekt të artistes italiane me origjinë shqiptare, Enkeleda Kosova, për ndjenjat e larta atdhetare që mbart, si dyqind vjet më parë, Maro Prodani- Në Kolonjën e lashtë, ku retë prekin majat e maleve dhe muret e vjetër flasin me heshtje, lëshon rrënjë fshati Prodan. Toka është e lagur nga gjaku i brezave.
Çdo gur e rrugicë ruan një histori që të drithëron dhe të mbush me krenari. Edhe pse kanë klauar shekuj, banorët, kujtojnë ende një emër: Maro Prodani! Nuk ishte vetëm një vajzë e bukur, por një shpirt që digjej për liri. Në shtëpinë e saj të bardhë, në mëngjesin kur zogjtë këndonin mbi çatitë me plloça guri, ndiente se diçka po afrohej.
Në fshat mbërritën turqit, me flamuj të zinj e me sy mbushur gjak e përçmim. Oficeri i tyre, një burrë me rrip ari e shpatë me këllëf argjendi, kërkonte nënshtrim. Urdhëroi që fshati të paguante taksa të rënda e të jepte peng vajzën më të bukur për ta çuar në pashallëk. Maroja doli në prag të shtëpisë mbështjellë me shallin e kuq të nënës. – Cili je ti që kërkon nderin e një fshati, një fisi, një toke që s’e kanë mposhtur stuhitë? Oficeri i lartë qeshi me përbuzje. -Unë jam bimbashi, komandanti i një mijë ushtarëve.
-Ti, një grua e mjerë më sfidon mua dhe perenadorinë time të madhe? – Nuk jam grua e mjerë, por një bijë e Kolonjës! Maro Prodani nxori nga brezi shpatën. -Shpata ime nuk e njeh frikën, bimbash. Nëse je komandant i një mijë ushtarëve, unë jam komandantja e lirisë! Eja t’í përplasim shpatat e të përleshimi së bashku! Sa ul kokën Gramozi nga rrufetë, aq i ulin kryet bijtë dhe bijat e Kolonjës! Prodanasit u mblodhën në mes të fshatit, ku qëndronte i heshtur Shkëmbi i Kuvendit. Burrat sokëllinin.
Gratë qanin. Fëmijët u strukën pas portave. Era frynte nga malet e Gramozit me këngë lufte. Dy shpatat u përplasën me një shkëndijë që çau qiellin. Shpata e rëndë e Maro Prodanit, amanet nga i ati. Mbi dorezën e hekurt ishte gdhendur shqiponja. Kaluar dorë më dorë në katër breza luftëtarësh. Përballë shpata gjysëm hëne e bimbashit turk, me dorezë argjendi. Toka rënkonte në çdo goditje.
Hapat e Maros ishin të lehtë, si era e pranverës. Xibuni i zi me kinda të kuqe i shpalosej në ajër, si flamur kuqezi. Shqiponja e flamurit ishte vetë Maro Prodani qëndisur mbi të! Turku sulmonte me hapët e rënda të bishës së Bosforit. Maro shmangej si flakë dhe sulmonte si vetëtima në majën e Gramozit. Luftonin shqiponja e malit me gjarprin turk. Shqiponja e lirisë dhe zvarraniku pushtues. Një britmë. Një rënkim. Dhe pastaj heshtje.
Nga gjoksi i bimbashit shpërtheu gjaku. Gjak i zi balozi, ardhur përtej detit, si në legjendën e Gjergj Elez Alisë! Dielli shpërtheu përmes reve dhe ndriçoi flokët e artë të Maros. Zgjateshin drejt reve të bardha me krahë shqiponje. Ngriti shpatën lart dhe tha:
-Ky fshat nuk dorëzohet! -Prodani dhe tërë Kolonja nuk e njeh robërinë! Ushtarët turq rendën ta kapnin. Fshatarët e mbështollën me gjokset e tyre dhe fustanellat e bardha. Gratë dhe vajzat e mbuluan me shamitë e kuqe të gushës. Fëmijët i vunë mbi shpatë lule borziloku e jasemini. Nga ajo ditë, askush s’e pa Maron. Disa thonë se e mori pylli në gjirin e tij dhe u bë lis.
Të tjerë thonë se e mori reja e bardhë dhe u bë dritë. Çdo pranverë, kur era fryn nga gryka e Osumit dhe përplaset shpateve të Gramozit, dëgjohet një këngë: “Hajde moj Maro Prodani, Nuk u trembe nga Sulltani, Shpata jote vetëtimë, Zjarr e flakë për lirinë…” Mina T. QIRICI Tiranë, 3 nëntor
Galatia Koci Ti nuk mbahesh o vlla, i qendis ato te shkreta tregime e sidomos po ishin pe Kolonje….
Përgjigju Tatjana Hamzallari Një legjendë kaq e bukur!…Heroizmi i grave shqiptare përballë armikut shkruar në histori ..Urime! Përgjigju Agim Hila Më pëlqeve, i dashur Mina!
Astrit Malkaj Respekte për Kolonjen, kalova dy vite të rinise atje!
Florika Bega Legjende e bukur ! Te lumte pena ! Respekte.
Enkeleda Kosova Te falenderoj shume nga zemra per këtë vepër të mrekullueshme që më nderon dhe më prek thellë në shpirt.
Legjenda e Maro Prodanit është një himn për guximin, dinjitetin dhe dashurinë për atdheun. Kjo eshte vlera që çdo shqiptar i vërtetë i mban në zemër. Nuk di si ta pershkruaj akoma edhe me te thelle ate mirenjohje respekt qe tregoni ndaj imazhit tim e qe me shihni në figurën e Maros si nje simbol i forcës dhe i shpirtit të lirë të Kolonjës e të Shqipërisë, është një nder i rrallë që do ta ruaj me mirënjohje të përjetshme. Fjalët tuaja nuk janë vetëm letër e boje e leshuar nga pena juaj por dritë që frymëzon, dhe unë e ndjej këtë dritë si një bekim për rrugën time artistike dhe njerëzore. Te pershendes familjarisht me shume respekt dhe faleminderit shume me gjithe te
Taqo Gjergo Shume e bukur.
Jack Lula Nje hymn per diten e Lirise qe po afron. Urime poeti e prozatori yne Mina Qirici.