Borës si dikur-Mira Zaho Mëhilli

Borës si dikur
Vegimesh, bardhësi e borës,
përulësisht, dorën si në ballo u shtriu,
flatrat e haresë u ndezën shpirtin,
ndër sy dritë u vetëtiu.


Braktisën rehatinë e oxhakut,
me hapat kuturu, në lojë u përfshinë,
iu shpërdrodhën shajet,
kapuçët u morën arratinë.


Butësisë së borës çalë-çalë,
dorashkave e mblidhnin grusht,
në copëza kristalesh u thërmohej,
teksa njëri-tjetrit i binin me vrull.


Pengoheshin, binin, sërish ngriheshin,
ritmin e haresë, pa kuptuar ndiqnin,
si në vallëzimet e dikurshme,
me lumturinë ngazëllyer piqeshin.


Një hap para, një hap pas,
dorëzuar mbi borë u lëshuan,
u gjenden papritur gjunjëzuar,
si fëmijë qeshën, gëzuan.
Ndër xixëllima yjesh,
vitet e pleqërisë u fluturuan,
zemrat u rrahën fort,
teksa kohën e rinisë përjetuan.
Mira Zaho Mëhilli