Çaste të pajetuara-Llesh Gjoka

Llesh Gjoka

ÇASTE TË PAJETUARA

E di,

Në kapërcyell jam.

Sa nis pikon drita,

Telajo e errësirës bëhet imune.

Cili i marrë do të fanepsej atje,

Ku dyert janë të kyçura?

E di,

E bukura do që të rrijë me mua.

Ka sy prej drite.

Vetëm ajo ma bën jetën të lume.

Ku paqja hyn dorëzanë.

Gjithçka tjetër,

Çaste të pajetuara janë.

E humba çastin,

Kur ti s’pranove të vije,

Në festën që kisha përgatitur për ty.

Eh, goja m’u lidh.

Bota ish memece për njerëz të përvëluar.

Fletë arresti u prenë,

Kush trazonte ujërat.

Çaste të pajetuara ishin,

Ndalesat në vendnumëro sa për mbushje fryme.

Koha kur lulet qanin

Në vetminë e tyre

Fëmijëria ime i kish braktisur.

Eh, koha humbi,

Sa herë dola nga orbita

e synimit tim.

Sa herë nuk arrita ta programoja,

Atë që po më shkonte kuturu.

Atë që më largoi nga disa miq

Kur kisha nevojë më shumë për ta.

Nuk dua të jetoj,

Duke numëruar pengje,

Çaste të pajetuara.

Sikur ta kisha levën e Arkimedit ndër duar

Një botë kryeneçe

Nga themelet ta tund.

ll@gjoka

07.11.2025