Dekolteja që u bë fat-Nga Timo Mërkuri

Nga Timo Mërkuri

Tregimi “Dekolteja” i Fatmir Terziu i qaset frymës moderniste përmes përqendrimit te gjendja psikologjike e personazhit dhe te çasti i vogël që ndryshon një jetë. Ngjarja është e thjeshtë, por thelbi është i thellë. Nuk kemi dramë të jashtme të madhe të madhe, kemi thjeshtë një dridhje të brendshme. Një krisje të lehtë në heshtje. Dhe pikërisht kjo e bën tregimin të fuqishëm.

1. Që në fillim, Loreta paraqitet si një vajzë e padukshme, “Si një hije që e njihte mirë murin ku mbështetej, por jo dritën që kalonte mbi të.” Kjo fjali nuk është vetëm figurë letrare. Është diagnozë e gjendjes së saj psikologjike. Ajo ka zgjedhur faktin e mos shfaqjes. Rreshti i tretë, paksa anash, është vendi i saj ekzistencial. As në qendër, as jashtë, një mes i heshtur. Katër vitet e saj përmblidhen në tri fjalë: “Libra, heshtje, libra.” Ajo është reduktuar në funksion. Në një emër në librezë. Kjo zhveshje e identitetit është forma e saj e e shmangjes nga rrethanat e tjera.

2.Qyteti Studenti përshkruhet si “sy katërsh” pse aty vëzhgimi është klimë. Nuk është vetëm sfond, por presion. Tabela me paralajmërimin: “Kujdes! Mali me Gropa ka shumë gropa” shndërrohet në metaforë të jetës studentore, ku gropat nuk janë në asfalt, por në marrëdhënie  si frika nga sistemi, nga sigurimi i shtetit.

Loreta i kalon këto gropa pa lënë gjurmë. Ajo ecën mbi ujë, pa valë. Por kjo qetësi është e brishtë.

3. Mbrëmja e fundvitit sjell kthesën. Nuk është fustani i zi, as takat. Është dekolteja. “Një hapje e vogël e një dere që për katër vjet kishte qenë e mbyllur.” Këtu qëndron simboli. Dekolteja nuk është provokim. Është akt. Është një guxim i heshtur për të dalë nga hija, për të shkelur një tabu të kohës. Një pohim i vetes trupore dhe femërore pas katër vitesh neutraliteti. Mos harroni se në ato vite dekoltet te vajzat shiheshin me një tjetër sy, si një ndikim i huaj… Psikologjikisht, Loreta nëpërmjet dekoltesë lejon dritën të hyjë. Dhe bashkë me dritën, edhe rrezikun.

4. Limi është energjia e kundërt. Zhurmë, shpejtësi, spontanitet. Ai “hidhet në ujë pa provuar thellësinë”. Por përballë Loretës ndalet. Për herë të parë dëgjon. Dashuria e tij lind nga kontrasti. Nga heshtja e gjatë që papritur hapet. Ai sheh jo vetëm vijën e dekoltesë, por dritën e re në fytyrën e saj. Dhe kjo e trondit. Por shoqëria e redukton gjithçka në një fjali: “Eh, dekolteja bën punë…” Këtu qëndron ironia e hidhur. Katër vite heshtje zhduken. Mbetet vetëm një vijë e hollë pëlhure në imagjinatën e të tjerëve.

5. Kur Limi nuk vjen më, tregimi hyn në fazën e tij më të thellë. Ai humbet pa zhurmë. Si shumë gjëra në jetën e përkohshme studentore. Por për Loretën kjo nuk është thjesht një mungesë, ajo është një përvojë. Ajo rikthehet në rreshtin e tretë. Këmishat mbyllen sërish. Dekolteja mbetet në dollap. Megjithatë, ajo nuk është më hije e pastër. Ajo ka prekur dritën, dhe kjo e ka ndryshuar.

6. Fjalia përmbyllëse është e mbushur me nënkuptim:“Ajo e priste që një ditë t’i sillte mesazhin nga përtej kufijve, atje ku të dy e kishin menduar lirinë ndryshe.” Këtu hapet një dimension tjetër. “Përtej kufijve” nuk është vetëm metaforë romantike, është një aludim i fortë se Limi është arratisur. Ka kaluar kufirin, ka zgjedhur lirinë fizike. Ndoshta jashtë vendit, duke na dhënë indirekt kohën e fund viteve 80 të shek. të kaluar , periudhë e mbushur me arratisje të rinjsh. Në këtë kuptim, zhdukja e tij merr përmasë politike e ekzistenciale. Ai nuk i ikën vetëm Qytetit Studenti. I ikën kufizimit,  i ikën vëzhgimit, i ikën gropave. Po Loreta?

Ajo mbetet. Por tashmë me një krisje brenda vetes. Pritja e mesazhit është pritje e lirisë që ajo nuk e mori dot. Është pritje e një konfirmimi se ajo hapje e vogël e dekoltesw nuk ishte gabim. Se dashuria nuk ishte iluzion. Dhe ne dëshirojmë t’i vijë ai mesazh, ti vijë sa më shpejt qoftë edhe për t’a ri veshur edhe njëherë atë fustan me dekolte.

Filozofikisht, kjo pritje është gjendje. Njeriu jeton duke pritur një shenjë që ta justifikojë guximin e tij të dikurshëm.

Ky tregim të mban mbërthyer sepse tensioni është i brendshëm. Çdo fjali ka një nëntekst. Lexuesi ndien se pas heshtjes ka diçka që do të shpërthejë. Por shpërthimi nuk vjen. Vjen mungesa. Dhe mungesa është më e rëndë se drama.

Ndaj na duket sikur nis dhe e lexon përsëri këtë tregim.Sepse  kupton se dekolteja nuk ishte trup. Ishte simbol. Dhe kur rikthehesh në fillim, rilexon hijen me sy tjetër. E kupton se ajo çarje ishte një akt besimi.“Gropat nuk ishin në rrugë. Ishin në zemër.”

Ky është përfundimi i vërtetë. Limi mund të ketë kaluar kufirin. Por Loreta ka kaluar një kufi tjetër – atë të frikës apo ndrojës së vet. Dhe edhe nëse mesazhi nuk vjen kurrë, ajo tashmë e di se për një natë ishte dritë.

Edhe kjo mjafton për ta bërë tregimin të mbetet gjatë në mendje.

Sarandë, shkurt 2026