Albert Z. ZHOLI
Fjalën e urtë “Dembel i Stambollit” e dëgjon kudo edhe sot.
Madje në shumë vende të botës si sinonim i njerëzve përtac, që duan të përfitojnë në mënyrë të padrejtë. Dhe mendimi të shkon në një kohë të largët, kur hijet e Perandoria Osmane shtriheshin mbi shumë vende të Ballkanit, rrugët e Stambollit ishin plot zhurmë, tregje, thirrje tregtarësh dhe lëvizje të pandalshme. Prona private të bën të mendosh ditë dhe natë…

Por pas kësaj gjallërie, fshihej edhe një realitet tjetër, më i heshtur, që njerëzit e zakonshëm e vëzhgonin dhe e rrëfenin me humor e ironi.
Thuhej se në disa punë publike (shtetërore), sidomos në ditët e nxehta të verës, disa punëtorë dilnin në kantier jo për të punuar, por për të “kaluar ditën”. Ata merrnin lopatat, i vendosnin në sup, gjenin një hije muri, e aty – nën diellin përvëlues – nuk gërmonin tokën, por “gërmonin gjumin”. Njëri mbante bishtin e lopatës nën sqetull, tjetri e mbështeste në tokë dhe përkulej sikur po mendonte për punën… derisa e zinte gjumi.
Kalonte përgjegjësi, hidhte një sy dhe ikte.
Askush nuk nxitonte. Puna shtyhej për nesër, e nesërmja për pasnesër. Rroga merrej gjithsesi, ndërsa djersa ishte e rrallë si shiu në vapë. Një ditë, një udhëtar shqiptar, i ardhur nga malet për të blerë mall, e pa këtë skenë dhe mbeti i habitur. Ai ishte mësuar me punë të rëndë, me tokë që nuk falej dhe me djersë që ishte e vetmja rrugë për të jetuar. Kur pa burrat që flinin mbi lopata, tundi kokën dhe tha me zë të ulët:
-“Këta nuk janë punëtorë… këta janë dembelë të Stambollit!”
Kur u kthye në vendin e tij, tregimi i tij u përhap si era. Njerëzit qeshën, por edhe e mbajtën mend. Dhe kështu, sa herë që dikush i shmangej punës, bënte sikur punonte apo e linte gjithçka përgjysmë, të tjerët i thoshin me një buzëqeshje thumbuese:
-“Mos u bëj si dembel i Stambollit!”
Me kalimin e kohës, kjo shprehje u bë pjesë e gjuhës së përditshme. Nuk ishte thjesht një tallje, por një kritikë ndaj atyre që nuk e vlerësojnë punën. Por në gojën e popullit, shpesh historia shndërrohet në tregim, dhe tregimi në shprehje. E kështu mbeti edhe sot: “dembel i Stambollit” – një kujtesë e vogël, plot humor, se puna nuk bëhet duke mbajtur lopatën… por duke e përdorur atë.