Ditë dimri…Rubjana Nika

Ditë dimri…


Trokasin pikat e shiut dimërak

mbi tokë,mbi xhama,mbi çati,

me ritëm të çrregullt

që gjumin zë në lak,

si e marrë fryn era,

heshtja nuk ka qetësi.


Trokasin ,trokasin si miq të paftuar,

herë butë herë fort,

herë paqësisht ,herë dhunshëm,

sa vjen dhe dita bëhet më e ftohtë,

e nata zvarritet e lodhur,

përgjumshëm.


Ditë dimri,e zymtë,si muzg i parënë,

njerëzia e topitur kërkon

ngrohtësi,

natë dimri e gjatë sa një përrallë,

njerëzia nxiton të struket në shtëpi.


Me sytë e përgjumur çajmë mjegullën dritëzënë,

kërkojmë me ngulm ndonjë rreze

dielli,

të strukur,të mbledhur në qoshen

e sigurtë,

presim të qetësohet e të hapet qielli.