Miltiadh Davidhi

Dua të jem i padukshëm
Të gjithë duan të jenë të dukshëm,
Unë jo, më pëlqen të jem i padukshëm
Në gjithçka që bëj, e përçfaq në këtë
Ditë të zymtë, a me diell.
S’dua t’i ngjasoj diellit, hënës, dritës,
S’dua të konkuroj me ta,
Ata janë të dukshëm e të pa konkurueshëm,
E t’i mburrem qiellit për çdo varg poetik,
A mendim për pavdekësinë e gjithësisë,
E të zërit të dritës.
Mburrja për mua është
Një vdekje e dytë.
Në këtë muzg shumëngjyrësh perëndimi,
Dua t’i ngjaj një puhize ere,
Që padukshëm përkëdhel gjethe ëndrrash,
Valëza dashurie, fijeza bari të pyllit njerëzor,
Së gjalli të jem një shpirt qiellor,
Pa u parë nga askush.
Dua të jem dorë që shpëton rënien
E Njeriut në greminën e mosdashjes,
E në batakun e urrejtjes,
Dorë e padukshme që të ndihmon
E të përkëdhel pa interes,
E pa të prerë kurrë në besë,
Dorë që shpëton jetën nga kama
Që të ngulet pas shpine.
Dua të jem i padukshëm,
Si përtej jetës, dhe përtej vdekjes,
Të sfidoj harresën e mosdashjen,
E të përqafoj, puthë e t’ë lehtësoj dhimbjet,
Duke të mbajtur e përkëdhelur në kraharor,
Si zemrën time, plot me lule gjaku e limfe,
Si gjithë dejet e degëzimet që dalin prej saj
Në formën e pemës së jetës.
I qetë dhe i pagojë,
Si një degëz e gjelbër të flas në heshtje
Me grimcëzat e ajrit, të dritës,
Dhe grimcëzat e dheut,
Duke u shndërruar ngadalë-ngadalë,
Në grimcëz ajri, drite, e grimcëz dheu,
E si cipëz kaltërsie të jem
Mbi oqeane të pafund dashurie.
Të ruaj si në një kafaz të hekurt kujtese,
Të gjallët e të vdekurit e mi,
Gjithë miqtë e çdo shok, që jeton
Në vëndin tim, a të tretur nëpër botë.
Se zemra ime është planet dashurie,
Një hapësirë e pafund, dhe e padukshme,
Plot me male, fusha, pyje e dete,
Plot me lumenj e përrenj mrekullie,
Plot me jetë,
Ku perënditë mbi to ulen e falen,
E ujërat Pellazgjike që udhëtojnë nga lashtësia,
Nëpër trupin tim,
As nuk ndalen, e as nuk thahen.
Dt.21.12.2025.Modena.