Blerina Pellumbi

Uri mes njerëzve…
Përqafuar dritës, ëndrrat klithnin yjeve, urritur,
pak shkëlqim kërkonin, ngujuar në horizonte të shtirura.
Të vetme ecnin fjalët, zbathur,
në shkretëtirat e një shpirti të vrarë;
etje, uri e pashuar për liri mes njerëzve të marrë.
Ëndrrat belbëzonin të vërteta vrastare, për pakëz shpresë,
ushqenin të pangopurit me dritë shpirti çdo mëngjes.
Nën tinguj sirenash thërrisnin për paqe, nëpër yje ngujuar,
në një botë të fshehur pas diellit, në një botë të harruar…
Fjalët memece, varur qëndronin; natën bëheshin neonë,
zgjonin ata, të vrarët e ditës, që me ëndrrat flinin deri natën vonë.
Vallë, ditën pse e ndërruan me natë?
Ndoshta aty shuanin urinë për një ëndërr të pamatë.