Melisa Baboçi

DURIMI QË LODHET
Durimi u rrit pa zë, në heshtje të plotë,
mbajti peshë që s’ishte e vetja, por botë.
U mësua të presë, të falë, të kuptojë,
ndërsa brenda vetes ngadalë po shterojë.
I thanë: “Qetësia është forcë, është virtyt”,
por askush s’e pa sa net i fiku çdo dritë.
Ai qeshi jashtë, u bë mur për të tjerë,
por brenda u plasarit nga barrë pa emër.
Durimi nuk thirri, s’u bë as stuhi,
ai ra pak nga pak, si gjethe në shi.
Çdo fjalë e përtypur, çdo lot i mbajtur,
u kthye në peshë që shpirtin e ka lodhur.
Dhe kur më në fund u bë hije në sy,
e quajtën i ftohtë, i largët, i ri.
Por s’pyeti kush sa kohë kishte që digjej,
një qiri i vetëm që s’kishte ku të fikjej.
Sepse durimi lodhet, edhe kur s’bërtet,
lodhet kur jep gjithçka dhe asgjë nuk merr mbrapsht.
Nuk thyhet me zhurmë, nuk bie në sy,
por ikën një ditë… pa bërë histori.