Dy bij të Lusnës që u bënë dritë lirie-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Abaz Tahir Peposhi (1910-1944) dhe Riza Halim Peposhi (1925-1944) janë dy yje të pashuar që bëjnë dritë. Nga bjeshkët e Lusnës, mes këngëve të trimërisë dhe erës së maleve të Kukësit, dolën dy burra që historia i rreshtoi në faqet e nderit të Luftës Nacionalçlirimtare.

Ra në luftë me autoblindën në portat e Tiranës

Abaz Tahir Peposhi u lind më 20 nëntor 1910 në fshatin Lusën të Kukësit. Abazi u rrit në malësi, në një mjedis që e kaliti me qëndresë, durim dhe dashuri për atdheun. Kur thirrja për liri trokiti edhe në fshatin e tij, ai nuk hezitoi. Ishte burrë i qetë, por me shpirt të fortë, dhe shpesh rrëfente histori për përplasjet e shqiptarëve me pushtuesit serbë që kishin synuar krahinën e tij. Malësia e kishte kalitur me durim, qëndrueshmëri dhe ndjenjë të thellë atdhedashurie.

Që në fillim të Luftës Nacionalçlirimtare, ai simpatizoi lëvizjen partizane. Jehona e luftës mbërriti edhe në Lusën malore. Kur u dha thirrja për t’u rreshtuar në formacionet partizane, Abazi nuk hezitoi. Më 4 tetor 1944 u rreshtua në radhët e Brigada XXIV Sulmuese, duke marrë mbi supe barrën e luftës për çlirimin e vendit, si partizan i thjeshtë.

Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e brigadës, nga Kukësi deri në Tiranë. Ndjente respekt të veçantë për komandantin Ndreko Rino, nga Libohova, si dhe për komisarin Abedin Shehu, nga Bicaj i Lumës, luftëtar i hershëm dhe drejtues politik në krahinë.

Aksioni i parë luftarak i brigadës ishte prita, në bashkëveprim me Brigada XVIII Sulmuese, kundër një autokolone gjermane në rrugën Kukës-Prizren. Në fillim të nëntorit 1944, brigada mori urdhër të merrte pjesë në betejën për çlirimin e kryeqytetit.

Nga 8 deri më 10 nëntor, pas një marshimi të gjatë luftarak, forcat arritën në portat e Tiranës. Nga Kukësi drejt Tiranës, ai marshoi me brigadën në beteja të ashpra. Në nëntor 1944, në përballjet vendimtare në rrugën Tiranë-Vorë, përballë tankeve dhe autoblindave gjermane, partizanët luftuan me mungesë armësh, por me zemër të madhe. Sektori i veprimeve përfshinte zonën nga Ura e Kamzës deri në Laknas, në krahun e djathtë të rrugës Tiranë-Vorë, në bashkëveprim me forca të tjera partizane dhe batalionin “Antonio Gramshi”.

Luftimet e 11-17 nëntorit 1944 ishin ndër më të ashprat. Në shi të pandërprerë, me mungesë armësh kundërtanke, partizanët u përballën drejtpërdrejt me tanke dhe autoblinda gjermane. Ata vunë gjokset përballë çelikut, duke shkruar faqe të paharruara heroizmi. Më 15 nëntor 1944, në portat e kryeqytetit, Abaz Tahir Peposhi ra në fushën e nderit. Ai ishte një nga ata burra të thjeshtë që nuk kërkuan lavdi, por e fituan përjetësinë me gjakun e tyre.

Me vendim nr. 104, datë 13.11.1969, të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit dhe ka fituar statusin e Dëshmr i Atdheut me vendim të Komisionit Qendror të Statusit të dëshmorit me vendim nr. 39, datë 11.11.2004. Ai prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kukësit, i shpallur Dëshmor i Atdheut, ndërsa emri i tij mbetet i lidhur me betejën për çlirimin e Tiranës. Në bashkinë e Kamzës është ngritur një përmendore që përkujton rënien e luftëtarëve nga Kukësi në portat e Tiranës.

Ra në fshatin e lindjes si trim

Riza Halim Peposhi u lind më 15 shkurt 1925 në fshatin Lusën të Kukësit. Kreu disa klasë shkollë, por për shkak të vështirësive ekonomike u detyrua të punonte herët për të ndihmuar familjen. Ishte i ri në moshë, por i pjekur në bindje. U lidh shpejt me lëvizjen antifashiste dhe u aktivizua me të rinjtë e krahinës në Luftën Nacionalçlirimtare. Rizai ishte vetëm 19 vjeç. Një djalosh që la bankat e pakta të shkollës për të ndihmuar familjen, por që nuk u nda nga ëndrra për një Shqipëri të lirë. U rreshtua në luftë më 10 shtator 1944, në kohën kur forcat e Brigada V Sulmuese ishin të përqendruara në luftime kundër forcave reaksionare dhe pushtuesit, Rizai u rreshtua në betejë.

Në përpjekjet e zhvilluara në Lusën, situata ishte e rëndë. Forcat kundërshtare kishin zënë pozicione të forta në Shkëmbin e Rraskut, një pikë strategjike që kontrollonte gjithë zonën. Marrja e kësaj lartësie ishte jetike për shpëtimin e dy kompanive të batalionit të parë dhe për krijimin e lidhjes me forcat përforcuese.

Në betejën për Shkëmbin e Rraskut, një pikë kyçe që kontrollonte gjithë zonën e Lusnës, ai u hodh në kundërsulm për të çarë rrethimin dhe për të shpëtuar shokët. Njihte çdo shteg të atyre maleve, ishte toka e tij, ishte vendi i tij. Ai u hodh në kundërsulm për të rimarrë shkëmbin. Ishte një përballje e ashpër për një fortesë natyrore, ku vendosej fati i betejës. Në përpjekje për të siguruar lartësinë, djaloshi nga Lusna ra në fushën e nderit më 20 shtator 1944. Fitorja e Rraskut shënoi kthesë në përballjen me forcat reaksionare në zonë, por u pagua me gjakun e një djali të ri, që la jetën për lirinë e vendit.

Më 20 shtator 1944, në përpjekje për të siguruar lartësinë strategjike, Riza Halim Peposhi ra në fushën e nderit. Ishte një jetë e re që u shua, por që u kthye në dritë për lirinë e të gjithëve.

Me vendim nr. 104, datë 13.11.1969, të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit dhe ka fituar statusin e Dëshmr i Atdheut me vendim të Komisionit Qendror të Statusit të dëshmorit me vendim nr. 15, datë 28.10.2003. Prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kukësit.

Kujtesa që nuk shuhet

Abazi dhe Rizai nuk ishin figura të mëdha të tribunave; ishin bij mali, njerëz të thjeshtë, që në orën e historisë zgjodhën të mos rrinë mënjanë. Njëri ra në portat e Tiranës, tjetri në shkëmbin mbi fshatin e lindjes. Të dy u bënë pjesë e së njëjtës sakrificë.

Sot, kur përmendim Lusnën dhe Kukësin, përmendim edhe emrat e tyre. Sepse liria ka emra. Dhe ndër ta janë edhe Abaz Tahir Peposhi dhe Riza Halim Peposhi.