Victor Hugo-Migel Flor

Migel Flor

Victor Hugo Sot, kur kalojnë 250 stinë mbi emrin e tij, koha ndalet si para një katedraleje fjale.

Jo për të numëruar vitet, por për të dëgjuar jehonën. Hygoi nuk lindi vetëm një ditë shkurti, ai lindi sa herë që padrejtësia u përball me ndërgjegjen, sa herë që mjerimi kërkoi zë, sa herë që njeriu u përkul, por nuk u thye. Ai e bëri letërsinë altar dhe fjalën kambanë.

“Sa vjeç je?” -e pyesin legjendën. Ai buzëqesh, me atë qetësi që e kanë vetëm ata që e dinë se koha është thjesht një mantel mbi shpirtin.

“Mos më pyesni për moshën e trupit,”-thotë.

“Pyetni mendjen. Kur ajo mbetet e re, unë jam më i riu ndër të rinjtë.” Dhe vërtet, mendja e tij endet ende nëpër faqet e librave, në dritaret e burgjeve të ndërgjegjes, në rrugicat ku mjerimi kërkon dritë. Ai nuk është 250 stinë. Ai është pranverë e përhershme e mendimit.

Në çdo fjali të tij ka një revolucion të heshtur. Në çdo metaforë, një lutje për njeriun. Në çdo personazh, një pasqyrë ku ne shohim plagët dhe madhështinë tonë. Të përulesh para tij nuk do të thotë të ngrish në adhurim, por të zgjohesh në përgjegjësi. Sepse Hygoi nuk kërkoi lexues, ai kërkoi njerëz që guxojnë të ndjejnë. Dhe sot, kjo ditë qoftë e bekuar për ne, jo sepse ai lindi, por sepse ne ende kemi nevojë për dritën e tij.