E Përveçme-Ruzhdi Gole

E PËRVEÇME

1.

Një mëmë e re më fanitet ende …

Mua më bëhet sikur ajo shkund 

përhera një qilim fluturues,

afër meje përqark meje

shkund dimrat syborë

me vetulla të ngrira

dallgët e jugut

me kësulë 

gulçesh.

Shpendët e tezgjahut gjithandej

sikur fluturojnë nga ai qilim 

i madh, akoma më i vjetër,

bishti i tyre vetëtimthi 

shkund nga çatia 

qiellore re, re, re 

unë shkund 

zënkahuqe

nga një 

pemë

tjetër.

2.

Fluturakët çmerit’ shpup’risin krahët 

gjer në kupë të këtij qielli me fe

shplarë epik …ky qiell

hiç hakmarrës

qilim fluturues

përmbi ne

përvëlues 

hirtë.

I vogëlth atëhere, ndrojtur çapkën

i sinqertë plot hile qysh atëhere 

mua lart më fluturonin duart,

përhera, guxoj t’kqyr qiellin

më duket sikur sot një 

ëndërr e re fluturuese 

zbret q’andej të më 

mbuloj më shpejt

sytë e dëborës

brigje gulçet

s’më mbulon dot

është tjetër qilim

janë të tjerë 

shpendë 

nga vise 

që s’më njohim mua.

Zonjë më fanitet…mëma ime…

VEÇMAS

Si mund 

të dhembshurohem 

qeshur ende i përlotur ?

Dikur, 

një grua e re

nuse e padukshme

një mëmë dhembshurie buzëve

shkundtte th’rrimet e saj jetënatës

brenga huqe brenga sa pafajshëm.

Shorti i saj i hidhur dehej natë, 

kur vinte në shtëpi lëkundej

andej-këndej k’putur degët,

degët e krahëve, sytë gjak

të ishte ati im … njësoj 

tjetër at nga të tjerët?

2.

Kjo grua e thinjur, e pathinjur

dikur nuse e padukshme

tani jeton shumë larg

larg afër mëma ime

e perëndishme, 

Fjala e saj buiste lutje, 

veç lutje … për hir 

të fëmijve.

Ndërsa deg’këputuri 

tani veç parafytyrim 

ati im ka qenë

dikur 

ka qenë ati im …

VEÇ … SËBASHKU 

Përsëmbari, përsëprapthi

rrallë i ndatë ngatërresat,

veç qeshët, së bashku 

veç ndonjë çasti

i jetuat brengat.

Për hit t’asaj që duhej 

ju përtëriheshit

me ngut 

për pasardhësit tuaj,

rrallë bashkë 

i përcjollët humbjet

përveçëm ndjetë gjithçka

harlisje pak, shumë këputje…  

Në botën e përtejmë aty

mbështetur jeni 

shpinë – shpinë 

A shiheni sy ndër sy…

Veç e veç qeshni … sëbashku..?!.