Lumo Kolleshi

SHEGE E HURME
Ligjërisht sot po ndahet vjeshta,
Dimri do të hyjë nesër po ligjërisht.
Nuk u çudita kur supesh hodhi shega
Gjethet e saj të fundit, në ar, natyrisht.
U çudita veç me hurmën këtu pranë,
Që gjethet ka dërguar nëpër qiej,
(Me kohë i ka hedhur,s’di ku janë)
Ama kokrrat i mban në degë ende si diej.
Diç duan të më thonë shegë e hurmë:
I mardhuri,tani kërkon shall e zjarr.
Harruat edhe zemrën,u them unë,
Zemra kthen çdo dimër në behar.
30.11.2018
I theva gishtat
Në porta që nuk m’u hapën kurrë.
Kallot ua çoj duarve të Sizifit.
30.11.2017
KLITHMË
Ca të mykur,ca të krisur,
Ca më shumë mendjegrisur,
Ca pa kripë,ca shëllirë,
Ca të krimbur,ca të nxirë,
Ca të ujkut,të çakallit,
Ca të lumit,ca të zjarrit,
Ca të hurit,të litarit,
Ca të pragut,të shtëpisë,
Ca të bojës,ca të zisë,
Ç’m’i punojnë Shqipërisë!
Dhe u mendën e u dendën,
Si shushunja e s’u shembën,
Me parimin:vidh të vjedhim,
Nënës i shtinë verremin.
Rri,mbaj vesh klithmën e nënës,
Këputen telat e zemrës.
Nga një hon në tjetrin hon
Shpresa qyqe kërkon gjon.
30.11.2019