“Folkor, Art dhe Histori”-Vajtimi si këngë e dhimbjes-Eduard Demo

#Vajtimi si këngë e dhimbjes.

Dhimbja Nënës është e pa matë. Kur Nënat arrijnë ta shprehin atë, dhimbjen për humbjen e më të shtrenjtëve të tyre në këngë vaji ato mbeten dhe mbeten të pa harrueshme e trashëgohen në jetë të jetëve nga vet gjiri i Nënave tona. Këngët e vajit ndryshojnë shumë pak nga krahina në krahinë ndoshta vetëm teksti. Por mënyra e të qarit (të vajtuarit), uljengritja e zërit, shoqërimi me klithmat “oi o derëzeza” apo “ku ku ç’më gjet” pothuajse është i njëjtë në gjithë trevat shqipfolëse. Midis vajit dhe këngës në struktur, në vijën melodike edhe mund ta quajmë kështu, në përcjelljen emocionale që të jep, ka shumë pak ndryshim nga këngët që këndohen nga një rapsod. Ato ndryshojnë nga koha e vajtimit, lloji i lidhjes së vajtojcës, e jo rrallëherë edhe pesha personit që kishte në shoqëri të krahinës apo edhe më gjerë. Teksti i tyre është në një rimë të bukur nga vargu në varg, lehtësisht të kuptueshme dhe fjalët përzgjidhen me kujdes për të përcjell jo vetëm dhimbjen por edhe mesazhe të mëdha. Nuk kam hasur kund dallimin për bijtë dhe bijat e tyre më i miri ose më e mira, më i bukuri ose më e bukura, më trimi ose më trime, më i zgjuari ose më e zgjuar. Nënat nuk bëjnë dallime për fëmijët. Kur ndodh që bijtë e saj i përkushtohen diçka më madhore se familja, se vendlindja pra kur i përkushtohen çështjes Kombëtare, ato ndjejnë përbrenda vetes se biri i tyre tashmë nuk i përket vetëm Nënës. Me ndjesinë e Nënës gjithë jetën e kalojnë me ndjenjën e merakut për ta, me vëmendjen e përheshme dhe të pandalshme në çdo çast te biri i tyre. Ato duke menduar se, a është i ngrënë, a është i veshur, ku e zë nata, po dita ku e ka gjetur, në cilin vend, në cilin krahinë, cilët shokë ka në krahë, a e ka të mbrojtur shpinën, kush armik mund ta përgjojë dhe ti bëj keq, nuk ndalen kurrë.

Duke lexuar këngën e vajit të Nënës së Ismail Lesko Progonatit kupton qartë se si Nëna, duke u drithëruar vajton të birin sikur kishte kohë që e priste një gjëmë të tillë, gjëmë për të birin që në moshë të burrëruar u vra nga andartët grekë, masakrat e të cilëve në shqipëri ishin gjakatare. Dhe ja si vajton Nëna :

Ç’është kjo e madhe gjëmë ?

Smail s’mendove për nënë

Ç’të të them o trim i mirë

Kur ikje si vetëtimë

I thoshe të ligës “primë”.

Re e zezë ngado ku shkoje

Flak e kuqe ku ndaloje

Dihej që nuk do të roje

Se për Shqipërin punoje

Rrezikun nuk e peshoje

Kuterina qysh durova ?

U derëzeza ç’pësova

Qysh do ta heq këtë gjëmë

mu si Ti plagën e rëndë

Flamuri në Vilajet

Haka pa marrë sdo të të mbet

Haka stë mbettë pa marrë

Se ka burra shqipëtarë

Ç’të të them o djal i ri

More Kapetan Smaili

Qysh mu këpute si ylli ?

Mu shkoqe si trëndafili

Ku i ke shokët tinë

Që u veje e të vijnë

Kadri Gjatën në Janinë

Në Koskë Alem Rushinë

Në Meçovë kishe Tafilnë

Në Prevezë Sheh Sabrinë

Edhe Fetah Mylazimnë

Ngrihu Malo bukuria

Se të kërkon Shqipëria

Merre prapë atë pallë

Që ti dalç hasmit përballë

Të bësh luftë me andartë

Ç’të të them mëmë mavria

Më shum të qan Shqipëria

Se për të jetën e dhe

E le mëmën kallogre

Më ke veshur në të zi

S’kam heqim e s’kam jatri

njera sa të vij te Ti.

Në folklorin tonë, të mbarë trevave shqiptare, ka Vaje në këngë të shumta, vajtuar e kënduar nga Gratë dhe Nënat tona gjatë jetës dhe luftrave kombëtare të popullit tonë për pavarësi dhe çlirim mbarë kombëtarë nga pushtuesit e huaj. Ato janë të pa arritshme, që na mbrijnë deri në ditët e sotme të mbushura me figura dhe simbole mistike arbërore, me metafora të fuqishme, epitete dhe krahasime madhështore, me dhimbje por e pa ndarë me krenarinë për bijtë e bijat e tyre vrarë për shqipërinë. Vaje këngë, vajtim i shoqëruar mbushur plot me lot dhimbjeje Nëne, vajtim dhe këngë mbushur plot me ndjenjë për birin e tyre i shquar jo vetëm për Nënën por për mbarë atdheun, vajtim këngë mbushur plot forcë për të mundur hidhërimin e Nënës për humbjen e birit të saj. Ato janë arkiva e gjallë e kujtesës historike dhe shpirtërore mbushur me përmbajtje dhimbjeje, krenarie dhe nderi. Trashëgohen brez pas brezi gojarisht. Janë pjesë e pandashme e Trashëgimisë sonë Kulturore shpirtërore. Çdo këngë vaji është e vetme në ndodhinë apo ngjarje të cilën tregojnë, në mënyrë heroike. Ato mbeten edhe sot 125 vjet më mbas e do të mbeten qindra e qindra vjetë të tjerë.

Këngë vaji e tillë që spërjashton asnjë nënë shqiptare, këngë vaji e tillë sikur ndjehet nga të gjitha nënat që lotojnë birin e tyre që do të ngelet i pavdekshëm. Vaji i tyre nis me pyetjen që i drejtohet Zotit lartë në Qiell dhe po vetë i drejtohet shpirtit të saj :

– Ç’është kjo e madhe gjëmë

– Smail smendove për nënë ?

Në këtë “të madhe gjëmë” Nëna pyet veten e saj si mundet të durojë nga gjithë ajo mënxyrë që pësoi me këtë dhimbje të thellë. Dhe duke e ndjerë thellësisht që gjëma nuk ishte vetëm e saj por e gjithë krahinës, toskërisë e gegërisë së bashku drejtohet në mënyrë të tillë. Deri në vdekje Nëna nuk e harron dhimbje e saj, nuk e heq dot këtë gjëmë dhe po vet përgjigjet duke mos e përmendur vdekjen por e krahason me një plagë të rëndë. Nëna vazhdon e vajton duke bashkëbiseduar me të birin “ç’të të them o trim i mirë” sikur e ka pranë, gjallë e krenare për të. Nga thellësia e shpirtit Nëna vajton në dhimbje i drejtohet po zemrës se saj :

– Kuterina qysh durova ?

– U derëzeza ç’pësova

– Qysh do ta heq këtë gjëmë ?

– mu si Ti plagën e rëndë

Më shumë se sa kuterinas Nëna i drejtohet vetes së saj me një oh pa kërkuar apo dhënë përgjigje. Asnjë Nënë nuk mund ta pranoj vdekjen edhe kur është duke vajtuar zemra e saj nuk e përmënd por e quan “plagën e rëndë.”

Dhe vazhdon vajin si më poshtë :

Qysh mu këpute si ylli

Mu shkoqe si trëndafili ?

Dy vargje madhështore që rrinë pranë njeri tjetrit gjithësia e pambarimtë dhe lulet mahnitëse me jetëgjatësi stinore. Në të përditshmen tonë një Yll i ndritshëm në qiell i cili bie në pafundësinë e tij duke u shuar gjatë rrugëtimit të jetës së tij dhe lulja që simbolizon bukurinë dhe dashurinë, trëndafili i cili i rëzon petalet një e nga një.

Në ngashërimin e jetës dhe jo pa dhimbje Nëna i drejtohet përsëri të shtrenjtit të saj :

Më ke veshur me të zi

S’kam heqim e s’kam jatri

Njera sa të vij tet Ti !

Robat e sterosura në të zi Nëna nuk do ti hiqte më nga trupi. E me këtë sikur i lutet pse ? Asnjë lehtësim sdo të kishte dhimbja e saj, asnjë pranim deri sa ti bashkohet birit të saj në botën e përtejme. Të shqipëruara sot ato fjalë të Nënës thonë, nuk ka më gëzime edhe e qeshura do të humbitet pafundësisht për të.

Kurrë nuk duhen haruar këto këngë vaji thesare të folklorit që historia për mbarë trevat shqipfolëse të mos përsëritet më.