Fran Laska -Prena Beci

Fran Laska -Prena Beci

Në Mirditë, ku fjala lind me shpirt e tingëllon si këngë, çdo derë që ka dhënë art është një bekim për tokën dhe njerëzit. E tillë është edhe dera e Becajve, ku drita e talentit, mençuria dhe ndjenja poetike janë trashëgim i gjallë.

Në këtë derë të bekuar, një emër i nderuar e fisnik, Prena Beci, feston ditëlindjen e saj. Ajo është motra e poetit dhe artistit, Kolë Beci, kushërira e mjeshtrit të madh të fjalës poetike, Gjokë Beci, dhe motra e këngëtares së njohur të Ansamblit “Mirdita”, Gjela Duka.

Nëpër këtë rrjedhë gjaku e shpirtit, poezia, kënga dhe dashuria për artin kanë gjetur strehën më të natyrshme të mundshme. Prena, me zemrën e saj të bardhë e fjalën e butë, është zë i brendshëm i kësaj harmonie, tingull që mban gjallë shpirtin mirditor e poetik. Në vargjet e mia, ajo është zë ëmbël e ndritëshme, një melodi që lind prej shpirtit të fjalës. Prena Beci përfaqëson atë anë të heshtur, por të thellë të artit: urtësinë, mirësinë dhe dashurinë për jetën e njerëzit. Në çdo fjalë të saj ka fisnikëri; në çdo shikim ndjen ngrohtësinë e një shpirti që di të falë dashuri e mirësi. Ajo është si një këngë që s’ka nevojë për orkestër, sepse këndon vetë me dritë, me shpirt e me zemër.

Në këtë ditë të shënuar, kur ajo kremton vitet e saj, le të përkulen fjalët përpara fisnikërisë e vlerës së saj njerëzore. Si motër e dy artistëve të mëdhenj Kolë e Gjela (Duka) Beci dhe kushërirë e poetit të shquar Gjokë Beci, Prena është pjesë e gjallë e një peme që ka rrënjë në art, në dashuri dhe në nderin mirditor. Gëzuar ditëlindjen, Prena Beci!

Udhën tënde e ndriçoftë gjithmonë drita që vjen nga shpirti yt i mirë, nga vargu, kënga dhe mirësia që e mban në zemër. Në kujtesën e fjalës e të ndjenjës, ti do të mbetesh gjithmonë zë i butë i një dere të ndritur artistësh.