“Fryma e fundit e një kënete,fjala e fundit e një poeti”-Gëzim Llojdia

Gëzim Llojdia

1.

Një poezi e Mitrushit e vitit 66.

2.

Më 11 dhjetor 1966, në faqen e dytë të gazetës “Drita”, shkrimtari Mitrush Kuteli solli për lexuesin një poezi të veçantë, të titulluar: “Pranverë në Myzeqenë e re”. Një poezi që tingëllon si një këngë lamtumire si një përshëndetje e fundit ndaj jetës dhe natyrës shqiptare, të cilën ai e deshi dhe e përshkroi me aq përkushtim.

…Dhe vetëm pesë muaj më vonë, më 4 maj 1967, Mitrush Kuteli ose Dhimitër Pasko,siç ishte emri i tij i vërtetë mbylli sytë përgjithmonë në Tiranë.

Por lind pyetja:

A vdesin poetët?

Apo thjesht e lënë trupin pas, duke i dhënë shpirtin e tyre fjalës së shkruar?

…Poetët, siç thotë edhe vetë jeta,largohen fizikisht.

Por nuk zhduken kurrë. Shpirti i tyre ngjitet lart, si një re e lehtë që ngjitet përmbi malet me dëborë, për të mbetur pastaj mes nesh.

Aty nëpër vargje, libra, përkthime, ide dhe ndjenja që prekin brez pas brezi.

Kështu ndodhi edhe me M.Kutelin. Ai iku, por nuk u shua. Vepra e tij letrare, përkthimet mjeshtërore, mendimi ekonomik dhe kontributi në kulturën shqiptare janë ende mes nesh të gjallë, të freskët, të pazëvendësueshëm.

“Pranverë në Myzeqenë e re”, firmosur nga shkrimtari Mitrush Kuteli.

Ishte një krijim i frymëzuar nga peizazhi dhe ndryshimet që po përjetonte fusha e Myzeqesë.Le t’i rikthehemi poezisë që na la si trashëgimi në ditët e tij të fundit.Ajo është një poezi për natyrën apo për një pranverë të zakonshme.Dhe është një dëshmi e një epoke.Dhe një fjalë e fundit,një përqafim i ndjerë ndaj një toke, që po rilindte. Ja vargjet e kësaj poezie…

3.

… Fluturoi një lelek mbi të djeshmen moçal/Edhe pa q’atje la plëng të ri,bukuri/U habit dhe tha:”Jam a s’jam nga Shqipëri”?”/Mbi kanal ,në një plep,mbajti krahët,u ndal./

Dhe q’aty syt e tij qerthulloi qark e qark/Tejpërtej,gjer në det,fushë e re vlon e vlon/Një traktor bujëmadh trufullon,bubullon/Djem e vajza në punë nxitojn’ varg e varg./

Pak më tej fshat’ i ri ndër blerim zbardhëllen/-Që nga gjiri i kënetës s’di qysh u javit/E përshkon rrug’ e shtruar,përmes si shirit/Dhe ndër ledh,në livadh,mriz kopeja me dhen./Kodr’ e zveshur gjer dje fund e krej se ç’u vesh/me bajame,kajsi dhe stoli:lule plot/Bujkrob i dikurshëm-tani është zot/Dhe fytyrë-cfilitur,sot gazmend buzëqesh./

“Po çu bë uj’ i zi që der dje më ushqeu?/Zogu tha.:”Këtu s’ka as moçal as shavar…/Jo e jo s’ish kështu gjithë ky truall shqiptar!/Moti di se ndryshon,por s’ndyshon uji e dheu!/

…Rri i mekur leleku në çerdhen e tij,/Sypulitur sodit këtë botë të re./”Do të shkojë-tha më në fund-një vend tjetër do gjej/Me kallam e shavar,me moçal-shkretësi”/Hapi krahët e bardhë i bardhI lelek/Edhe vrundull u sul mbi të djeshmin moçal/Kuqëlon një pullaz,furfurin një kanal/Tek kalon uj’ i jetës me vrull shteg më shteg./Kaltëron Syth i Thanës i futur në thark/T’ asaj pendës së lartë me gur e beton,/peshk-argjendi përbrenda shndrit ndaj gëlon/Kurse pun’ e gëzuar kumbon rreth e qark./Dhe më tej rrëzë kodrash,liqerë të rinj/Vezullojnë në diell nënë qiell pranveror./Mbi ta shkrep rrez’ e artë si gur uror/Dhe lot foshnja e vogël me qëngjthit kërthinj./”Nuk do shkoj!”-tha leleku pasi rrotulloi/Gjithë tokën e blerët të vendit të ri/”Asgjëkund nuk do të gjej kaq e kaq bukuri…”/Dhe një çerdhe të re bregut t’Thanës ndërtoi…

4.

Tharja e kënetës së Myzeqesë solli një realitet të ri .Dhe një ndryshim, që nuk mund të shpëtonte vëmendjes së shkrimtarëve të kohës.

Por këto ishin edhe temat, që botonte shtypi i kohës.

Edhe sytë e Mitrush Kutelit e kishin kapur këtë transformim, ashtu si dhe të shumë poetëve të tjerë.Një lejlek i vetmuar,që kruante sqepin dhe meditonte përmbi fushën e gjerë, ngjante me një siluetë të mbetur në kujtim të dikurshëm.

Lejlekët, që më parë kishin hapësira të pamatshme përmbi moçalin e pafund.Dhe tani ishin strukur në foletë e tyre, në një Myzeqe të re , më e thatë, më e rregullt, por ndoshta edhe më e heshtur.

Tharja e kënetës së Myzeqesë ishte një transformim i natyrës .Ajo ishte lindja e një epoke të re.Dhe një kapitull i kthyer në historinë e tokës shqiptare.

Kjo mrekulli tokësore nuk i shpëtoi syrit të mprehtë të shkrimtarit, i cili në vargjet e tij ndjeu pulsin e kësaj ndryshese të madhe.Si ai, edhe shumë poetë të kohës,panë në këtë bonifikim një simbol, mbi ujërat e zeza të kënetës,mbi moçalin dhe mbi sëmundjen.

Dhe ata shkruan poezi,reportazhe dhe romane.

5.

…Kam parë lejlekë në Llakatund të Vlorës. Të qetë dhe hijerëndë në fole përmbi plepat e gjatë, si simbole të një paqeje të hershme mes natyrës dhe njeriut.

Foleja e tyre ngrihej lart, përmbi plepat e gjatë.Kur uleshin,ngjanin me helikopterë, që zbresin nga qielli.Dhe butësisht,pa trazuar askënd.Ishin mësuar me ta.

Askush nuk i ngacmonte.

Askush nuk i trembte.

Ishin bërë pjesë e peizazhit, pjesë e jetës. Një farë harmonie e heshtur mes fshatit dhe shpendëve.Ishin pjesë e vendit, të paqtë, të heshtur, të pranishëm.

…Në sfondin e këtij transformimi, silueta e një lejleku të vetmuar, që kruante sqepin i menduar mbi fushën tashmë të tharë të Myzeqesë, ngjante si një figurë e shkëputur prej mitit. Ai s’ishte thjesht një shpend.Dhe ishte dëshmitar i një kohe që po ndryshonte me ritëm të shpejtë.Dikur, lejlekët kishin sipërfaqe pa fund mbi moçalishtet për të fluturuar, zbritur dhe folezuar.

Aso kohe ishin strukur në pak hapësirë,në një Myzeqe tjetër të re,por ndoshta të huaj për ta.

Sot, kur kujtoj ato çaste, kuptoj se edhe poezia e M.Kutelit, si ai lejlek i vetmuar mbi fushë, mediton mbi një ndërrim epokal nga uji në tokë, nga kënetë në grurë, nga heshtja e moçalit në zhurmën e jetës së re.

6.

…Një poet ngriti ca vargje për lejlekët e bardhë.Një vjeshtë shkova atje.Por foleja ishte bosh.Asnjë lejlek.Askush s’fluturonte mbi plepat e gjatë.Ndjeva një boshësi, që s’mund ta mbushnin as gjethet,që binin.Lejlekët e kishin braktisur.

Kush ua prishi arealin?

Kush ua mori horizontin?Dhe ndërsa foleja në Llakatund heshte,lejleku i vetmuar në Myzeqe qëndronte ende,i qetë, i menduar, duke medituar për ditët që vinin pas.

Për një shkrimtar si Mitrush Kuteli, vargjet kushtuar kësaj “rilindjeje” të tokës nuk ishin rastësi. Ai i kishte përzgjedhur me kujdes,me sy të mprehtë për ndryshimin dhe shpirt të ndjeshëm ndaj natyrës,që shndërrohej.

Moçalishtja e dikurshme, me sipërfaqe rreth 8000 hektarë, po tretjej çdo ditë në sytë e kafshëve të egra,si lejleku i mbetur vetëm.Kallamat zhdukeshin,uji i zi i moçalit sistemoheshin në kanale dhe hidrovore.Bonifikimi i kësaj fushe ishte një ndër veprat më të rëndësishme të shtetit shqiptar në atë kohë. Sot, Myzeqeja është ndër tokat më të begata të vendit,një fushë që dikur ishte e padobishme,sot ushqen mijëra njerëz.Dhe poetët kishin të drejtë.Krijimi artistik duhej ta përshkruante këtë rilindje.Diku larg, në Myzeqe, një lejlek i vetmuar mbeti si roje e kohës së shkuar.Ai, si një filozof me flatra, meditonte mbi të tashmen dhe të ardhmen.Flatrat i kishte të lodhura, por shikimin të kthjellët. Lejleku i vetmuar ishte kthyer në një simbol, një dëshmitar i heshtur i një epoke që po mbyllej dhe një tjetër që po hapej me forcë.Për poetin, kjo rilindje e fushës së mbushur me torfë, me ujin e zi e kallamishte të dendura, ishte ngjarje e denjë për t’u përjetësuar në vargje.Dhe ishte krejt e natyrshme,që shkrimtarët dhe poetët të ndaleshin përballë kësaj ngjarjeje madhore me penë në dorë.Dhe lejleku i vetmuar, ndoshta ende rri mbi ndonjë shtyllë të vjetër, si për të kujtuar që gjithçka nisi nga një moçal dhe u kthye në ëndërr.Parë me sytë e një shpendi si lejleku, në poezin e M.Kutelit,ky ndryshim i madh në Myzeqe është ende i dukshëm edhe sot. Nga lartësitë e fluturimit të tij, ai vëren një peizazh që dikur ishte moçal, baltë, dhe zhurmë e pambarimtë bretkosash. Atje ku dikur guasnin në harmoni krijesat e moçalit.Dhe ku kallamishte të larta përkundeshin nën erën e rëndë të ujit të zi, tani shtrihet qetësia e tokës së mbjellë.Lejleku i vetëm, i ziu ndër shokët e dikurshëm mediton kohët e shkuara.Ai qëndron i palëvizur në një shtyllë të vjetër, si një rojë kujtese. Shikon tokën e kthyer në arë, shikon njeriun që mbjell, që korr, që ndërton të ardhmen mbi një të kaluar, që nuk kthehet më. Dhe në heshtjen e tij prej shpendi,ruan nostalgjinë e një epoke të përmbytur.Humbi deti.Dhe humbën edhe disa shpezë të rrallë që për dekada zbresnin në këto anë, duke ndjekur stinët.Dhe sipas shkrimtarit ky lejlek vendosi të mos largohej.Ai qëndroi, ndoshta për të ruajtur kujtimin.Dhe ndoshta sepse nuk donte ta prishte lidhjen me folezën e fëmijërisë,me rrënjët që vetëm shpendët dinë t’i ndiejnë thellë.Shpezët e tjerë, që dikur zbrisnin nga lindja, tashmë kanë ndërruar destinacionin.Në udhëtimet e tyre të gjata, këto toka nuk i njohin më si stacione pushimi. Në fund të fundit, kënetat janë tharë. Edhe nëse rikthehen, ato nuk gjejnë më strehën e dikurshme Uji i zi është kanalizuar, zhurma e natyrës është zëvendësuar nga zhurma e punës. Dhe gjithçka ka ndryshuar.Por shpirti i lejlekut, i atij të vetmuari që nuk pranoi të largohej,mbetet si një metaforë për ata që nuk e harrojnë dot rrënjën, as kur e tashmja i josh me të reja.Ai që humbi, ishte deti i brendshëm, moçali, dhe me të edhe disa nga shpendët e vetmuar që dikur mbulonin qiejt në stinët e tyre.

…Kisha parë dikur, në Lagunën e Orikumit.Trumbat e shpezëve vinin pa reshtur nga viset e ftohta të veriut dhe lindjes. Qielli mbushej me lëvizje.Por vit pas viti,këto ardhje nisën të pakësoheshin.Shumë shpendë nuk mbërrinin më.Disa kishin mbetur rrugës.Të tjerë nuk e gjenin më strehën.Areali i tyre andej ishte shkatërruar.E megjithatë, kjo është veçse një ndjenjë një nostalgji poetësh për kohën, që nuk kthehet më. Përballë saj qëndron një realitet i madh dhe i padiskutueshëm,toka e fituar.Tharja e kënetave ishte një ndër veprat më të mëdha të Shqipërisë së atyre viteve.Ishte përpjekja për ta kthyer baltën dhe moçalin në fusha të stërmëdha,në hambare buke. Ishte realiteti i ri, që lindi mbi dheun e tharë , një e vërtetë që nuk mund të anashkalohet.Tokat, që dikur zgjateshin nën pushtetin e ujit të zi, kallamishteve dhe moçalit, janë shndërruar në fusha të sistemuara e të bukura për sy. Mbi 8000 hektarë kënetë iu morën detit, për t’u kthyer në tokë buke. Një arritje e madhe por jo pa kosto.Qindra e mijëra të rinj, nga e gjithë Shqipëria, punuan në aksione vullnetare për bonifikimin e këtyre tokave. Me lopata, kazma, duar të zhveshura dhe vullnet të hekurt, të ndihmuar nga buldozerë, ekskavatorë dhe vagonë transporti ata qëndruan me ditë e me muaj në tharjen e kënetave.Ishte një përpjekje masive për të kthyer baltën në prodhim,moçalin në jetë.

…Në zonën e Vlorës, në Akërni, qindra hektarë u fituan nga deti deri në fund të viteve ’90. Fillimisht, ato toka shkripëzoheshin, por me punë të vazhdueshme u shndërruan në sipërfaqe të punueshme.

7.

Këneta e dikurshme në pjesën veriore të rrethit të Lushnjës një nga më të mëdhatë në Shqipëri para Çlirimit.Një hapësirë e pakalueshme, me ujë të ndenjur,kallamishte dhe baltë të zezë.

Tharja dhe bonifikimi i Tërbufit u kthyen në një nga veprat më të mëdha publike të pasluftës.Aksionet nisën menjëherë pas Çlirimit dhe përfunduan në fund të viteve ’50.Falë tyre, u përfituan 8150 hektarë tokë e re dhe u përmirësuan rreth 7000 hektarë të tjera një transformim rrënjësor i natyrës dhe jetës në Myzeqe.Në vendin ku dikur shtrihej këneta e Tërbufit, ndodhen tokat ndër më pjelloret e vendit një realitet që e kanë pranuar edhe vetë mediumet, historianët dhe specialistët e bujqësisë.Ky ndryshim monumental u bë jo vetëm frymëzim për ekonomistët dhe inxhinierët,por edhe për krijuesit.Për shkrimtarët shqiptarë, udhëtimi në këtë hapësirë të rilindur përbënte një muzë të re. Poezitë, tregimet dhe romanet e kësaj periudhe shpesh u kthyen kah Myzeqeja , jo më si moçal, por si një simbol i ndryshimit.Kujtojmë romanet e Jakovit.

Në këtë kontekst vjen edhe poezia e Mitrush Kutelit, shkruar në vitin 1966. Një poezi e ndjerë, me vargje të zgjedhura, që flet për transformimin e kësaj treve dhe reflektimin e një shpendi të vetmuar lejleku.

8.

Ishte shkrimtar. Ishte përkthyes. Ishte ekonomist, ekspert banke, kritik dhe mendimtar.Një njeri i shumëfishtë, por me një qëllim të vetëm, ti shërbente popullit dhe gjuhës shqipe.Quhet me të drejtë,së bashku me Ernest Koliqin,themelues i prozës moderne shqipe.Ishte gjithashtu ndër nismëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve.

Më 4 maj 1967, u njoftua vdekja e tij. “Shkrimtari Dhimitër Pasko, zgjuarsia dhe shkrimet e të cilit fituan famë dhe admirim nga populli, ka vdekur” thuhej në gazetën Drita, ku kolegët shkrimtarë i bënë homazhin e fundit. Ai ishte vetëm 60 vjeç.

Lexuesi shqiptar e njeh si Mitrush Kuteli.Por pas këtij emri letrar qëndronte njeriu Dhimitër Pasko. Dija dhe fjala e tij ishin fryt i një mençurie që tingëllon thuajse hyjnore. Ai lindi në vjeshtë dhe u largua në pranverë, por në dy stinë të buta,dy kthesa të një rruge krijuese.Dy “shtata” në numër tregojnë, për ata që besojnë në simbolikë, prani të një dije të rrallë dhe të një misioni të përmbushur….Jeta është e shkurtër.Por vepra,nëse është e vërtetë, jeton gjatë. M.Kuteli këtë e dëshmoi.Ai e ndërtoi unitetin e veprës së tij jo vetëm mbi origjinën,por edhe mbi destinacionin,lexuesin shqiptar.Gjuha e tij ishte popullore, fryma e tij ishte popullore, por mendimi i lartë, i thellë, i pjekur.Ai nuk shkroi për lavdi personale, por për të ngritur një urë mes letërsisë dhe shpirtit të popullit të tij.

…Ka njerëz që vdesin. Dhe ka të tjerë, që vetëm largohen për pak. M.Kuteli ishte prej këtyre të fundit.

Dhimitër Pasko, i njohur nga lexuesi si Mitrush Kuteli, nuk ishte thjesht një emër i madh i letërsisë. Ai ishte vetë letërsia në ecje. Ishte shkrimtar,përkthyes, ekonomist,kritik ,ekspert banke, njeri i shtetit dhe i shpirtit. Ai nuk shkroi vetëm libra. Ai i dha zë një gjuhe që kërkonte pjekuri, një kombi që kërkonte mendje të kthjellët.E ndërtoi urën midis fjalës së thjeshtë popullore dhe estetikës së lartë.Ai ishte vetëm 60 vjeç. Por si mund të vdesë një njeri ,që u dha jetë fjalëve?

Ai u largua fizikisht, por fryma e tij u derdh përherë mbi letërsinë tonë. M.Kuteli nuk iku..

Ai lindi në vjeshtë ,stinë reflektimi, dhe vdiq në pranverë stinë shprese.

Ndoshta nuk ishte rastësi.Në heshtjen e rënies së gjetheve dhe në çeljen e luleve,qëndron ritmi i jetës së tij.Ai qëndronte gjithnjë mes njerëzve të thjeshtë.Shkruante me frymën e tyre, fliste me zërin e tyre, por mendonte me një thellësi që pak e kuptonin në kohë. Gjuha e tij popullore nuk ishte fjalor i thjeshtë, por urti kombi.Ai dinte të kthejë përulësinë në art, dhimbjen në varg, dhe realitetin e zymtë në dashuri për jetën.Jeta mund të jetë e shkurtër dhe qe. Por vepra, kur lind nga dashuria për tokën, për gjuhën, për njeriun, nuk njeh vdekje.

Kështu që, kur lexon vargjet e tij, nuk lexon vetëm poezi. Lexon gjurmën e një jete të përkushtuar.Dhe kur dëgjon emrin e tij, nuk thua “ka qenë”. Thua: është.