Giusy Nisticò-Anila Dahriu 

Giusy Nisticò

Poezitë e Giusy Nisticò janë udhëtime të vogla brenda shpirtit të njeriut, ku kujtimet, emocionet dhe mendimet ndërthuren me imazhe të gjalla dhe simbolike. Çdo poezi na fton të ndalojmë, të shohim brenda vetes dhe të njohim forcën dhe brishtësinë që bashkëjetojnë në zemër.

Përmes metaforave të fuqishme — uragane të heshtura, dhoma të zemrës, ylbere — autores i bëhet e prekshme dhimbja, kujtesa, liria dhe shpresa. Vargjet e saj kanë një ritëm të natyrshëm, duke alternuar pushime dhe rrjedhë mendimesh, duke krijuar një muzikë që shoqëron lexuesin përgjatë rrjedhës së ndjenjave.

Kjo përmbledhje është një ftesë për reflektim dhe dëgjim: na flet për atë që shpesh mbetet i fshehur, na kujton rëndësinë e emocioneve autentike dhe të dritës që, edhe në vështirësi, gjithmonë mund të kthehet.

Të lexosh Nisticò do të thotë të bësh një udhëtim brenda vetes, udhëhequr nga delikatesa dhe fuqia e fjalës së saj, e aftë të transformojë dhimbjen në bukuri dhe kujtesën në përvojë të përbashkët.

LOTËT

Lotët e zemrës
janë tehë hijesh
që çajnë kraharorin në heshtje.
Majat prej çeliku
zhyten në mishin e gjallë,
duke përhapur një dhimbje
që s’ka emër.
Janë uragane të heshtura,
shkatërrime të padukshme,
dhe në kalimin e tyre
mbytin dritën
që ka mbetur në brendësi.

Kujtime

Ka ngashërime kujtimesh
dhe pika ndjenjash
të mbyllura në zemër.

Përqafime ëndrrash
në lëvizje të përjetshme
dhe mendime të lëkundura
në rritje të vazhdueshme.

Situata të endura
nga pafundësia e jetës,
dhe normaliteti që kushtëzon,
duke tërhequr veprimet
si një magnet.

Fryma përkëdhel
ditët dhe plagët,
duke zbutur ligësitë
dhe duke dhënë hov
ngjitjeve përpara.

Reflektime

Reflektime të burgosura
në bindje të vjetra
dridhin iluzionin
e një etike të shkëmbyer me shpirtin
nga një racionalitet i paqartë.

E megjithatë një frymë lirie
kthehet të oksigjenojë të vërtetën,
duke larë ligësitë,
duke shkrirë peshën e viteve.

Kështu arsyeja evoluon,
kapërcen pavendosmërinë
dhe një kriter i ri drite
vendos rregull në kaos,
duke hapur më në fund hapësirë
emocioneve të vërteta,
vizionit që ndriçon.

Fjalë

Ka fjalë
që thahen sapo lindin
dhe shndërrohen në pluhur,

të tjera ushqejnë tokën
si një pleh i heshtur
dhe shpërthejnë befas
si rrufe që ndriçojnë qiellin.

Ka fjalë
që vezullojnë si një ylber,
duke hapur një shteg të qetësisë.

Dhe ka fjalë
të pëshpëritura në qetësi,
një ligështim i lehtë në erë,
të afta të rikthejnë paqen
në udhëtimin drejt horizonteve të reja.

Dhoma

Dhomat e zemrës
janë mure të holla
të bindjeve dhe kufizimeve,

reaksione që ndërthuren
me rezistenca të lashta,
të afta madje
të bëjnë të shkëlqejnë ekselencat.

Ka një kërkesë që ulërin,
ngrihet, rebelon,
dhe nuk njeh dorëzim.

Dhe pastaj një nyje pranish,
një kor pjesëmarrjesh
që koha e distilon ngadalë
në fragmente të pastër të emocioneve,
duke vendosur gjithçka në rregull
pa u hezituar kurrë.

Çaste

Çastet e lumtura janë si
pupla të buta, të lehta dhe të shkurtra,
që i merr era.

Megjithatë, edhe pse kalimtare në rrugëtim,
lënë një shteg ndjenjash
dhe kujtimesh të pavdekshme,
që koha nuk mund t’i shuajë.

Biografi

Giusy Nisticò

Poete nga Cirò Marina, Giusy Nisticò gjithmonë ka kërkuar vargje në heshtje, me një shikim të habitur ndaj botës dhe vetes së saj.

Ajo publikon veprën e saj të parë në vitin 2012, “Animo Poetico, një ese me lirika që, duke nisur nga zemra, eksploron të gjitha rrugët e shpirtit të njeriut dhe jetën e trazuar të ditëve tona. Në vitin 2014 del “Vezzi del Cuore”, një përmbledhje poetike origjinale që synon të japë ngjyra në një botë bardh e zi. Në vitin 2016 publikon “Fili di Parole”, poezi që kapin esencën e jetës me një shikim të vëmendshëm dhe reflektues. Në vitin 2018 del “Il Tempo dei Sentimenti”, vargje të pastërta dhe me ton diskursiv të rrjedhshëm që zbulojnë shpirtin e saj.

Në vitin 2020 publikon veprën e saj më të fundit në një skenar të ndryshëm, duke kaluar kufijtë kombëtarë. Libri, “Te Lidhesh Petalet”, është përkthyer në gjuhën shqipe nga poetesha dhe shkrimtarja Anila Dahriu dhe është botuar në Tiranë nga shtëpia botuese ADA.