
Koha rridhte si një lumë i turbullt me ngjitjet dhe zbritjet e saj, por ne ishim fëmijë dhe ëndrra për të luajtur e për t’u zbavitur nuk na braktiste. Fëmijët, kudo në botë, janë njëlloj. Ne rrinim së bashku në grupe, flisnim, shprehnim dëshirën tonë për t’u argëtuar por nuk kishim lodra. Mungonte dhe vetë fjala lodër.
*****
Është një ngjarje që vitet s’kanë mundur ta fshijnë, ndoshta ngaqë hija e vdekjes më kaloi pranë, duke lënë pas dhembje, ashtu si bishti i një komete. Ndoshta sepse ajo që ndodhi më tronditi shumë, duke e shndërruar, brenda një çasti, gëzimin në frikë e ankth.
*****
Ai episod më kthehet në mendje me të gjithë pafajësinë dhe tragjizmin e tij. Kishte nisur si lojë midis meje dhe shokut tim më të mirë, por brenda një çasti ajo copëz predhe na e kishte hequr buzëqeshjen. Vdekja na kishte prekur, edhe pse ishim vetëm fëmijë. Askush nuk është i paprekshëm.
Ndjenja e fajit s’më braktiste për asnjë moment. Mendoja shëtitjen tonë, entuziazmin, dëshirën për të luajtur. Shikoja ende sesi ne të dy ecnim, vraponim, këndonim, por në asnjë mënyrë nuk arrija ta shmangia fundin e skenarit, goditjen e predhës me gur dhe shpërthimin. Mijëra pyetje nuk gjenin dot përgjigje.
*****
Ishim aq të përqendruar në zhurmën e thatë e të shurdhër që jepnin goditjet, sa nuk shkëmbenim asnjë fjalë. Atmosfera vibronte sikur të ishte e ngarkuar me elektricitet.
*****
Era i shtrembëronte flakët dhe e mbulonte ajrin me tym, pemët ishin të mbuluara me një mjegull të lehtë e të tejdukshme.
HASAN KURTI
Marrë nga libri “Prozë poetike dhe Aforizma”,
Lena Grafik, 2022, Prishtinë
Përgatiti për botim: IRMA KURTI