I harruar dhe prej syrit të gjethes…Miltiadh Davidhi 

Miltiadh Davidhi 

I harruar dhe prej

syrit të gjethes

Gjithçka në këtë plazh ishte e pandryshuar,

Stoike dhe e heshtur

Deri në dhimbje,

Ashtu siç kishte qenë

Kur e kisha parë për herë të fundit.

Mungonte vetëm prezenca ime.

Isha unë arsyeja e harresës,

Largimi i qenies sime

Nga kjo gjëndje e thjeshtë

Dhe e pandryshuar.

Sërish, aty ishte era duke luajtur

Me tendat e çadrave,

Dhe po e njëjta shitëse duke shitur,

Po të njëjtat artikuj,

Me të njëjtat amballazhe.

Koha përsërit vetveten.

Veç unë s’isha më në kohën e tyre.

Isha në kohëzën time,

I dalë për një afat të pacaktuar

Prej së këtushmes.

Ndjeva keqardhje,

Që veten e kërkoja

Dhe se gjeja më aty, në asnjë gjurmë jete,

E përplasje dallge.

Vallë kështu do të ndodhë gjithnjë?!

Sa e dhimbshme!

Çudi!? Si të mos kem ekzistuar,

E të mos kem qenë kurrë, këtu?!

Isha harruar kaq shpejt

Dhe prej syrit të gjethes,

E ajrit të lëvizshëm…,

I harruar nga deti, rëra, bregu,

Hijet e njerzve,

E pishat erëmira me zëra gjinkallash,

Që ngjiten nëpër rrugë drurësh,

E treten në kujtesa lëvoresh.

Padukshëm,

Isha fshehur në gjithçka!