Ambra Agaj

Jam në dashuri… ose ndoshta jam thjesht e humbur mes distancës dhe mungesës. Ka ditë që zemra ime di saktësisht ku rreh, dhe ka net që shpërndahet në copa të vogla, pa ditur ku të ndalet. Distanca nuk bën zhurmë, por hap hapësira brenda meje. Hap boshllëqe që nuk dinë të presin.
Dhe në ato boshllëqe hyjnë hijet. Zëra nga e shkuara. Prani që duken të sigurta, të buta, por pa rrahje. Gjëra që duken si ngrohtësi, por nuk ndezin asgjë. Është si të mbash një dritë të ndezur në një dhomë pa dritare — ndriçon, por nuk të ngroh.
Unë ngatërrohem. Zemra ime kërkon zhurmë, kërkon mister, kërkon diçka që të më zgjojë nga kjo mpirje. Dhe pastaj ndihem fajtore. Sepse nuk është tradhti, por as paqe nuk është. Është një luftë e heshtur mes asaj që kam dhe asaj që më mungon.
Dua dikë që është larg, por largësia e tij më bën të humbas drejtimin. Dhe sa më shumë përpiqem ta mbaj veten të fortë, aq më shumë shpërndahem. Jam mes dëshirës dhe mungesës, mes kujtimit dhe realitetit, mes asaj që ndjej dhe asaj që nuk guxoj ta pranoj.
Ndoshta nuk jam e paqartë. Ndoshta thjesht jam një zemër që nuk di të dashurojë pa u copëtuar pak
Kur isha e vogël, dashuria më mungonte si ajri.Jo ajo që kërkohet, por ajo që duhej të ishte aty. Dhe unë fillova ta kërkoj në zëra të huaj,në biseda të shpejta,në djem që vinin e iknin si stinë që nuk mësonin të qëndronin.
Kam bërë budallallëqejo sepse nuk dija, por sepse zemra ime ishte e uritur.
Dhe kur je i uritur, nuk zgjedh gjithmonë ushqimin e duhur. Sot i njoh djemtë.I dalloj lojërat e tyre dhe di tua kthej mbrapshtJam me këmbë në tokë, realiste, e ftohtë në mendje, dhe di si t’i afrohem dikujt,si ta tërheq, si të marr atë që dua në momentin që dua.Por këtu lind pyetja që më ndjek si hije: çfarë dua unë?
A mundet dikush të mbushë gjithë boshllëqet e mia?
A mundet një njeri i vetëm të jetë shtëpi, siguri, pasion, shërim?
Apo po kërkoj tek të tjerët atë që ende s’ia kam dhënë vetes?
Sa herë kam qenë me dikë, jam dhënë pa masë.Jo nga besimi absolut ai kurrë s’ka qenë aty. Por nga shpresa.Nga ajo shpresë e heshtur që thotë:“ndoshta këtë herë do jetë ndryshe.”
Dhe sa herë jam mbytur, jam djegur pa zhurmë.
Sepse Kur ata iknin, nuk iknin vetëm ata iknin copa të mia, pjesë që i kisha dhënë pa i kërkuar mbrapsht.Dhe tani po ndodh përsëri.Po jap shumë. Shumë më tepër seç duhet. Një pjesë e imja e di që fjalët e tij ndonjëherë zbulojnë thjesht një mashkull, jo atë që unë kërkoj. Por thellë, shumë thellë, është ende ajo vajza që beson se njerëzit mund të ndryshojnë, sepse ajo vetë ka ndryshuar.
Nuk kam besim absolut. Jo nga ftohtësia por nga frika. Frika se dhimbja e radhës do të më marrë edhe atë pak që kam mësuar ta ruaj. Dhe kështu rri mes dy zjarreve: njëri më ngroh me shpresë, tjetri më paralajmëron me dhimbje.
Dhe unë ende nuk e di përgjigjen, por e di një gjë: zemra ime nuk është lojë, edhe pse ka mësuar të luajë për të mbijetuar.