
JOSIF PAPAGJONI, ESTET I DRAMATURGJISË SHQIPE
Sot është ditëlindja e Prof. Josif Papagjonit, një nga emrat më të spikatur të teatrit dhe letërsisë, filozof i fjalës, njeri i mendimit dhe i letrave, ndër më të kulturuarit që kam njohur. Ai e ka lidhur jetën me teatrin dhe filmin, duke përvijuar modelin e kritikës bashkëkohore dhe duke pasuruar ndjeshëm studimet tona, jo vetëm për teatrin, por edhe për letërsinë shqipe, sipas kriterit logjik dhe ballafaques, duke bërë prerje vertikale dhe horizontale në kordinatat e historisë dhe të artit.
Te J. Papagjoni mbizotëron pozicioni i kritikut mbi atë të studiuesit dhe historianit të teatrit. Edhe kur është historian teatri, ai mbetet një kritik dhe studiues i formatit evropian, i cili e ka parë si dramën, po aq edhe teatrin, si tempuj emancipues për një shoqëri shqiptare me komplikacione historike.
Kritika e Papagjonit përdor koncepte që vijnë nga semiotika dhe teoria e komunikimit modern.
Në studimet e tij të shumta mbi ndryshimet e mëdha në morfologjinë e teatrit dhe mbi tipologjinë e dramës shqipe, veç analizës së elementeve të lojës teatrore, ai ka theksuar se si arti ndërton raporte të reja, të papritura, me kohën, ka analizuar destruktimin e subjektit klasik, sensin e fortë demitizues të postmodernes, dikotomitë e njohura ekzistencialiste, projektimin simbolik të alkimisë në përpjekjen për të sqaruar dyzimet ekzistenciale dhe irracionalitetin e qënies, aplikimin e antonimive midis të mirës dhe të keqes, të bardhës dhe të zezës, kontrapunktin që shkakton efektin e bumerangut në një vepër teatrore. Papagjoni flet, në studimet dhe në shënimet e tij kritike, për një kod estetik në dramën shqipe, për ta afruar dramaturgjinë tonë kontemporane me atë të simotrave evropiane.
***
Prof. Josif Papgjoni është gjithashtu lëvrues i shumë zhanreve letrare në dramaturgji, prozë, poezi, publicistikë.
Pena e tij nuk ka ditur kurrë të heshtë, mes apostrofimeve të vërteta apo të rreme të kohës, duke i trajtuar ato me sinkopizëm e metaforikë të veçantë.
Duket sikur kritika sot në arte e letërsi, sidomos ajo e teatrit që, siç thotë profesor Josifi, është hallka e tretë në sistemin e komunikimit që bën sitjen e vlerave, e ka mbyllur ciklin, ose nuk fiton dot një semantikë të re, pasi është kthyer në apologji “sokratike” në panairin e madh të alibive nomatisëse.
Kritika është pjesë e shkencës letrare, artistike, pavarësisht nga dozat e subjektivitetit. Ndaj, më shumë se kurrë, me subvencione shtetërore, duhet të rivitalizohet roli i studiuesve si J.Papagjoni, estetit të dramaturgjisë shqipe, me stil të veçantë ligjërimi, kur humanizmi letrar atistik synon humanizmin shoqëror.
Jetë të gjatë Profesor i nderuar!
BIOGRAFIA:
Prof. Dr. Josif Papagjoni u lind më 16 shkurt 1950 në Sarandë. U diplomua në Institutin e Lartë i Arteve, Dega Dramatike, 1972. Në vitin 1999 fitoi titullin shkencor “Drejtues Kërkimesh”, i barazvlershem dhe i konvertuar më pas në titullin “Profesor”. Fusha e studimeve të tij kanë qenë Dramaturgjia, Teatri, Kinematografia, Estetika, Letërsia, Kultura. Për shumë vite ka qenë pedagog, Drejtor i Qendrës së Studimeve të Artit në Akademinë e Shkencave dhe anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe Shef i departamentit të Arteve në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në Qendrën e Studimeve Albanologjike.
Artikuj e tij shkencorë janë botuar në disa revista të huaja mbi artin si në Lituani, Itali, Gjermani, Sllovaki, Francë, Austri, Egjipt, Greqi, Serbi, Mal i Zi, Kosovë, Maqedoni, etj.
BOTIME:
1980 – Teatri dhe aktori”, libër me shënime kritike, 202 faqe.
1998 – “Kumti që vjen nga trashëgimia teatrore”, monografi, 264 faqe.(Akademia e Shkencave)
1999 – “Aktorët”, monografi, 220 faqe, SHBLU.
2000 – “Kadri Roshi- njeriu që preku lavdinë”, Toena, monografi, 256 faqe.
2001 – “Idividualitete”, 267 faqe, Akademia e Shkencave. 6. 2002 – “Gjurmë në skenë”, 140 faqe (Teatri “Petro Marko” i Vlorës).
2002 – “Regjisorët” 380 faqe, Akademia e Shkencave.
2003 – “Poetikë regjisoriale” 265 faqe , Akademia e Shkencave.
2004 – “Biseda per Artin” – 304 faqe OMSKA.
2004 – “Dialog me teatrin botëror” – 378 faqe, Akademia e Shkencave.
2005 – “Teatri Kombëtar” – 366 faqe, Akademia e Shkencave.
2009 – “Moikom Zeqo – Who is who”, 202 faqe, Botimet “Albanopol” – Tiranë.
2009 – “Teatri në Shkodër”, 120 faqe, ShB “Gjergj Fishta” – Lezhë.
2010 – “Enciklopedia e Teatrit dhe e Kinematografisë Shqiptare, 820 faqe k, 1043 zëra, Toena.
2011 – “Teatër”, tekst për shkollat e mesme, 113 faqe, Sh.B. Erik.
2011 – “Historia e Teatrit Shqiptar”, 536 faqe, Qendra e Studimeve Albanologjike, IAKSA.
2012 – “Dramaturgjia dhe teatri shqiptar”, SHBLU, 368 faqe.
2013 – Grishje për nga Letërsia, 622 faqe, Toena. 12015 – Të qeshësh? Me cilin, për çfarë, përse?, 466 faqe, Qendra e Studimeve Albanologjike.
BASHKËAUTOR:
1. “Historia e Artit” (Bashkautor) SHB. Librit Shkollor, 2005- 2008.
2. “Artet”, tekst për shkollat e mesme, 365 faqe: nënndarja TeatriKinematografia, 104 faqe, Sh.B. Erik, 2009.
3. “Artet Botërore bashkëkohore”, tekst për shkollat e mesme, 143 faqe: nënndarja Teatri-Kinematografia, 34 faqe, Sh.B. Erik, 2010.
4. “Arti shqiptar”, tekst për shkollat e mesme, 146 faqe: nënndarja Teatri-Kinematografia, 34 faqe, Sh.B. Erik, 2010.
5. “Historia e Shqipërisë, vëllimi 2, 4”, Toena, 2009-2010.
STUDIME:
1. Historia e Kinematografisë Shqiptare (rreth 400 faqe)
2. “Dialog me Teatrin Botëror”, nr. 2 – përmbledhje artikujsh ne formë dialogu për drama te huaja ne teatrin shqiptar, teatrologji etj.
3. Dhimitër Anagnosti – Poeti i ekranit – Monografi.
KRIJIMTARI:
1. Drama dhe komedi (dramat: Gjerdani i vrasjes, Hija e dheut, Mëmësia, Më lind nënë, Dhunues dhe të dhunuar. Komeditë: Zhgj/ëndrra, Kaq ti kaq unë), 2009. (Tre nga veprat e mësipërme janë vënë në skenë në teatro të ndryshme)
2. Kur hëna digjej lart, tregime, – Shtëpia Botuese “Toena”, 2016, 674 faqe. 3. “Shtigjeve të vendlindjes”, Shtëpia Botuese Eldora, nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, dhe Toena nr. 7, botuar vijimisht në vitet 2009 deri 2016.