Ruzhdi Gole

KARROCE DIMRI
(prozë)
Kufiri ndan afron, kufiri ndrit, kufiri
të verbon. Kufiri ruan bijtë e vet,
edhe bijtë e vet i vret.
Kufiri mban diell e borë,
kufiri ushqen
ujqër e mërira,
kufiri të rrëshqet
nga duart dhe nga këmbët,
kufiri të çliron, thiktë të prangos.
Kufiri afron të gjallë e të vrarë.
Ata,
dy të moshuar,
jetojnë mes kufijve.
Kufiri
hapet, mbyllet,
ata afrohen, ndahen
veç në të perënduar të diellit.
Jetëza zë me grep cironka,
vjel papjekur fruta, mbetet
me një dhemb të thyer
nga krrodhja e kafshuar.
Ata nuk i rrëmben kufiri,
asnjë rrëpirë, asnjë hon,
asnjë sirenë.
Si ndjek e s'i përzë askush.
Këtu, qentë janë shumë
të përzemërt me dy
të moshuarit aq sa
kur të moshuarit
i afrohen
njeri tjetrit pa kufi
në këtë vend
rreptësisht
të ndaluar,
dy leshtorët
ledhen e lëpihen mes tyre.
I moshuari i sheh me sy
të dhembshur
qentë ...
Shtrëngon patericat.
E moshuara afrohet
me karrocë.
Ushtarët në mes tyre.
Ushtarët s'mbajnë mëri
në kufirin e ndarë.
Duket sikur mbajnë
mëri flamujt e tyre.
Kur të moshuarit afrohen
tek njëritjetri duket sikur
çelin edhe flamujt.
Asnjë ushtar nuk u bërtet
të moshuarve kur ata
hyjnë
në tokën e askuj'
të gjithkujt për t'u takuar.
Kufiri dashuron.
Kufiri dhembshurohet.
Dikur putheshin,
tani vetëm
fërkojnë duart.
Janë njerëz dimërorë,
me më pak fuqi,
fare pak shpresë.
Asnjeri prej tyre nuk e le tokën e vet,
ngrehinën e vet për t'u ngrysur
bashkë në një nga rrethinat.
Po sikur ata të mos kthehen
dot pas në buzëmbrëmje?
Kush do t'i ndihmojë?
Kush do ua ndez' zjarrin
sa për të ngrohur
paksa kërcinjtë?
Kufijtë janë pa ushtarë ose
janë me ushtarë
të përgjumur.
Mos, o Zot, sikur dy të moshuarit
të ngrinin në krahët e njëritjetrit
të përqafuar.
Ndoshta këtë ata e dëshirojnë
por s'i'a kanë thënë askuj'.
As vetes...