Kartolinë e panisur kurrë
Dea Hoxha

Sa herë ia kemi bërë këtë pyetje vetes,
të tjerëve, universit, Zotit…
Pse unë?
Pse ndodhi ajo që ndodhi?
Pse s’duhej apo duhej të ndodhte?
Kush jemi ne për të gjykuar?
Ne jemi milingona dhe Zoti njeriu,
e ne krijesa të Tij,
me mendje të kufizuar…
Por s’e kisha me dogma feje,
aq më pak sot, në ditën e Krishtlindjes.
Se atje ku jam rritur unë,
më janë dashur të paktën njëzet vjet
nga jeta ime të kuptoja
që Zoti, Babagjyshi dhe Jezusi
ishin tre qenie të ndryshme —
apo ndoshta jo!
Por e kisha me fatin…
Pse unë duhej të isha tabu
e një dashurie të pamundur?
Algoritëm absurd, që sa herë e çoj në mendje…
ndoshta sa herë ndez dritën e asaj ndjenje,
ndizet vetë,
apo sa herë e fik
ajo s’fiket kurrë.
Diçka ndodh, si një trokitje gishtash…
As ti s’e ke merituar
që unë të ta reduktoj dinjitetin
me prani, me imponim fati…
S’kam përgjigje për asgjë.
S’e di pse shpirti bëhet zot
e ulet në fronin e zemrës,
kjo ndjenjë e vetëshpallur
si një mbret kokëfortë
që s’do të ikë…
Veç vdekja ia heq kurorën asaj ndjenje.
S’e kuptoj as pse është.
Në cilën jetë diçka më ka mbetur peng?
Diçka të ka mbetur peng?
E di që çdo herë, nëpër ahët e tu,
shkruhen këngë zogjsh
që i shoh vetëm unë…
e i përzë petalet e lulekuqeve të mallit,
që çelin dhunshëm,
edhe pse s’do, edhe pse s’dua…
Por pastaj, kur e pranoj atë ndjenjë…
kur mbaron ajo… ah…
shtrihet shpirti, pavarësisht teje,
në një fushë me grurë
të begatë paqeje…
Thjesht se e di që më do.
Thjesht se e di që të dua!
Por ti s’mund ta dish
se të jesh e lirë do të thotë
që guximi s’është për të gjithë!