Mimoza Eliona Osmani

Sytë e mi dy strehëza shiu...
E desha, dhe e dua në heshtje dhe në zhurmë,
Pa e prekur, edhe prekur si hëna me detin,
Ku pas çdo tërheqjeje zemrës mbeti gjurmë,
Leksioni gjatë jetës, kufijtë me tërmetin…
Mësoi ky shpirt përmendësh një fjalë:
Se dy sy që fshehin një ndjenjë të ndaluar
Do shpërthejnë si Vau i Dejës, kristal,
Do lagin dy zarfe, dy fletë t’pashkruara…
Sepse sytë e mi janë veç strehëza shiu,
Të hapura dhe të mbyllura pa hyrje,dy dyer,
Ne pole të kundërt, jugu dhe veriu,
Si dy të dënuar për një ligj të thyer…
Sy që ngjajnë orakuj lutjesh pa mbarim,
Dy kohë të çuditshme, kaq paradoksale,
Dy vagonë në shina pa asnjë kryqëzim,
Dy dete pa brigje, valë pa terminal…
E dua, marrëzinë se është njerëzore
Si prushi i një zjarri që shuhet me zjarr…
Premtimet si rrokja pa nxjerrë një zanore,
Si ëndrra pa shpresë, e lënë në sirtar…
E dua dhe më do çmendurisht– një mëkat,
Që kurrë s’pata frikë t’i shkruaja pa frikë,
E hodha në prozë, në lirikë, në baladë,
Në pyetjen pa përgjigje, në një retorikë...