



Nga Nexhbedin Basha
Gazetar
36-VJETORI I 25 MARSIT – KAVAJA NDERON LIRINË
Nga Nexhbedin Basha
Gazetar
Me datë 25 mars 2026, nën përkujdesjen e Shoqatës Mbarëkombëtare “25 marsi 1990 – Revolta e Parë Kundër Sistemit Diktatorial”, u përkujtua 36-vjetori i demonstratës së 25 marsit 1990, ngjarja që shënoi fillimin e rrugës së Shqipërisë drejt lirisë dhe demokracisë.
Ceremonia nisi në stadiumin “Besa”, aty ku një ndeshje futbolli midis “Besës” dhe “Partizanit” u shndërrua në një akt historie dhe guximi. U vendosën kurora me lule, ndërsa qytetarë nga Kavaja, mbarë Shqipëria dhe Kosova u bashkuan në një përkujtim të gjallë dhe emocionues.
Pas homazheve pranë bustit të Josif Budos “Dëshmor i Atdheut” të demokracisë, ku u vendosen kurora me lule, aktiviteti nisi me himnin kombëtar. Moderatorja Gresilda Rrugeja, me ton të fuqishëm dhe të qartë, i dha ritëm dhe intensitet aktivitetit, duke rrëfyer demonstratën e 25 marsit 1990 dhe ngjarjet pasuese në Kavajë, duke e kthyer historinë në një rrëfim që ndihej përmes çdo fjale dhe çdo pauze dramatike.
Fjala iu dha Rexhep Rrugejës, Divizionit i Shoqatës Mbarëkombëtare “25 marsi 1990 – Revolta e Parë Kundër Sistemit Diktatorial”, protagonisti kryesor të asaj dite, i cili riktheu me emocion kujtimet e demonstratës antikomuniste. Ai rrëfeu si u ngrit i pari, duke thyer murin e frikës me thirrjet: “Liri – Demokraci!”, “Poshtë diktatura komuniste!”, “Enver Hitler!”, duke dëshmuar për dhunën, torturat, por edhe qëndresën e pathyeshme.
Fjalët e personaliteteve të tjera sollën reflektime dhe vlerësime për rolin e protagonistëve: Astrit Berati, Pjetër Tosku, dhe kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Tiranës, Gjelosh Progni, i cili vlerësoi figurën e Rexhep Rrugejës si hero i gjallë i demokracisë dhe gjithashtu rolin e Ilir Rrugejës si bashkudhëtar në atë përballje vendimtare. Ai solli një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kujtesës së të përndjekurve politikë, duke lidhur historinë e tyre me idealin e lirisë dhe të drejtësisë për brezat e rinj.
Më tej, fjalën e morën edhe inxhinieri Astrit Berati, profesori Xhaferr Xhihani, inxhinieri Nexhmi Haveriku, gazetari sportiv Fatmir Efica, gazetari e poeti e Nexhbedin Basha, profesori Muharrem Shqarri, profesori Eqerem Xhihani, artisti i merituar i filmit shqiptar Di Jashari, poeti Muhamet Nela, si dhe profesorët nga Kosova Rexhep Abazi dhe Vesel Sabedini, së bashku me Arben Arkaxhiun. Të gjithë rikthyen ngjarjet e vitit 1990 dhe theksuan figurat vendimtare të Rexhep dhe Ilir Rrugejës dhe jo vetëm.
Një moment emocionues ishte recitimi i një poezie nga Gresilda Rrugeja, kushtuar dy vëllezërve Rrugeja dhe datës simbolike të 25 marsit, e shkruar nga poeti Gëzim Bega. Atmosferës i dha ngrohtësi Fiqiri Sula, ndërsa emocionet kulmuan me valëvitjen e flamurit kuqezi nga Irfan Demnori.
Në këtë ditë u promovua edhe stema simbol e ngjarjes, një emblemë e guximit dhe vendosmërisë së qytetarëve të Kavajës.
Pjesa kulminante erdhi nga prof. Rexhep Abazi, Metvegjë, i cili interpretoi melodinë “Fyelli i Mitrovicës”, duke krijuar një lidhje shpirtërore mes shqiptarëve dhe duke bashkuar kujtesën me emocione të gjalla. Fjala e tij riktheu kujtesën e vuajtjeve dhe ëndrrën për liri, duke lidhur mesazhin e 25 marsit me aspiratën për bashkim të shqiptarëve kudo që janë.
25 marsi i vitit 1990 mbetet dita kur një qytet u ngrit në këmbë dhe foli hapur për liri. Sot, kjo ditë nuk është vetëm histori, por ndërgjegje – dëshmi se liria lind nga guximi i atyre që ngrihen të parët, dhe një thirrje për të mbajtur gjallë idealin e demokracisë, duke nderuar edhe sakrificën e të përndjekurve politikë.
Kavaja – simbol i gjallë i një kohe, kur fjala “liri” nisi të marrë frymë
-Fjala e mbajtur ne 25 mars 2026-
Sot nuk jam këtu vetëm për të folur, por për të kujtuar dhe për të ndjerë. 25 marsi 1990 nuk është thjesht një datë në kalendar; është çasti kur historia mori frymë ndryshe. Stadiumi “Besa” gumëzhinte, një popull u ngrit në këmbë dhe një frikë e gjatë u drodh për herë të parë.
Mes asaj vale njerëzore u ngrit një zë: Rexhep Rrugeja, me dy gishta lart, si flamur shqiponje në fluturi thirri:
“Liri! Demokraci!”, “Enver Hitler!”, “Poshtë diktatura!”
Pas tij erdhi vëllai Iliri, jo me fjalë, por me grusht – një grusht që godiste frikën dhe tregonte se diktatura nuk ishte e pathyeshme. Stadiumi u bë betim, por liria ka çmimin e saj: u arrestuan bij të Kavajës, përfshirë edhe Ilirin. Populli nuk u thye; zërat u bashkuan dhe frika filloi të tërhiqej.
Ajo që nisi në stadium nuk mbeti aty; u përhap si dritë në gjithë Shqipërinë.
Simbolet e diktaturës nisën të bien dhe shpresa mori emër. Josif Budo, sot “Dëshmor i Atdheut”, kujton se liria fitohet, nuk dhurohet. Amaneti i tij: “Liri, Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” – ende pret të përmbushet.
36 vite më pas, Kavaja mbetet simbol i guximit dhe zërit që nuk u shua. Poetja Gresilda Rrugeja, bija e Rexhepit, i ka dhënë zë historisë me poezitë:
“25 Marsi, fjala që nisi Epokën”
“25 Marsi – Zjarri që s’vdes”
“Në Agun e Lirisë – 25 Marsi i Kavajës”
Më pas interpretova poezinë time të titulluar”, “Kavaja- simbol i demokracisë”, të përfshirë në librin me poezi “Violina e luleve”.
Si një lumë që del nga shtrati,
vërshon populli në Kavajë.
Prin urraganin një bash djalë,
Rexhep Rrugeja emrin ja thonë.
Ishe ti, Rexhep, i pari,
që kërkove të shtrenjtën liri,
Shpërtheve në stadium si rrufeja,
U përleshe me një diktaturë që lëngon në agoni.
Zëri yt si erë në furtunë,
U ndezi shpresa në zemrat e plagosura,
Çdo hap i yti një tingull rebelimi,
Çdo frymë një premtim për të ardhmen e ndritur.
Stadiumi u bë një det i gjallë,
dhe duart e qytetarëve valëviteshin lart,
Retë e zeza të diktaturës u thyen,
kur liria hyri në qytet si diell i ri.
Ti, Rexhep, ishe prushi i zemrës
që ndeze flakën,
je tingulli i parë i një epopeje të re,
Dhe sot kujtimi yt frymëzon breza,
si yll që nuk shuhet në qiellin e Kavajës.
25 Marsi duhet të njihet dhe festohet si dita simbol e demokracisë. Le ta mbajmë gjallë këtë ditë; si kujtesë dhe përgjegjësi. Liria fitohet me guxim… dhe mbrohet çdo ditë.
Faleminderit!
Kavajë, 25 mars 2026
Nexhbedin Basha