“Jehona ka humbur tingujt”-Alma Begaj

Alma Begaj

Skicë: “Jehona ka humbur tingujt”
Zgjimi ishte duke folur një gjuhë që askush s’e kupton (Ilirishten e pastër). Zgjimi ishte i zakonshëm, si çdo të martë. Kisha përgjegjësi, dezhurn, pak “drejtoreshë” për të gjithë. Përgjegjësi nga kangjellat, te taraca. Nga porta në portë. Zgjimi? Si jehonë e humbur brenda kanioneve të veshëve të mi.
Zhurma e alarmit, kafeja e shpejtë, rrugët e lagura të qytetit që nxitonte. Përshëndeta Kolin te cepi dhe nxitova si qyteti, për të “kapur” kohën.
Kur hyra në klasë, nxënësit bënin zhurmën e tyre të zakonshme. Ishte koha për të nisur mësimin.
Hapa gojën për t’u thënë “Mirëmengjes o pika vese, ulni zhurmën”, por ajo që doli nuk ishte shqipja e tyre.
“Glauna dhardha, venis teuta…”
Ndalova. Zëri im tingëllonte i thellë, i plotë, si gurët e nxehur në diell, si uji i kaltër që përplaset pas shkëmbinjve të lashtë. Ishte një gjuhë e bukur, por unë nuk e njihja. Ose më saktë, e njihja në një nivel aq të thellë sa nuk e dija që ekzistonte.
Klasa heshti. Por nuk ishte heshtja e respektit. Ishte heshtja e hutimit total.
“— Mësuese, çfarë po thoni? — pyeti Alba në rreshtin e parë, me vetulla të ngritura.”
U përpoqa sërish. “Ande, ande… dua t’ju them…”
Por fjalët e mia rrëshqisnin mbrapsht në një kohë që nuk ishte e tyre. Unë po flisja Ilirishten. Gjuhën e paraardhësve, gjuhën e tokës, rrënjën e gjithçkaje që ata njihnin. Dhe pikërisht sepse ishte rrënja, ata nuk mund ta shihnin.
Nxënësit përballë meje ishin filiza pranvere.
U ktheva nga dërrasa dhe shkrova me shkronja të mëdha, në shqipen e tyre: “SOT DO TË MËSOJMË PËR HISTORINË E GJUHËS SHQIPE.”
Nxënësit qeshën me lehtësim. Për ta, unë isha sërish “normale”. Por unë e dija. Unë isha zgjuar në një tjetërsim total. Unë isha bërë “sëpata” për ta, por ata nuk e kishin kuptuar goditjen. Ata po shihnin një mësuese që po bënte një shaka të çuditshme, ndërsa unë po shihja një humnerë mijëravjeçare që na ndante, pikërisht përmes asaj që na bashkonte më shumë: gjuha.
Isha e huaj në shtëpinë time, sepse flisja tepër pastër. Ilirisht.
©️Alma Begaj
E martë, 24 mars 2026