
Kontributi i dibranëve në Kongresin e Dytë të Manastirit, 2-3 prill 1910
Nga Sakip Cami
Kongresi i Dytë i Manastirit nuk përmendet shumë nga historiografët shqiptarë, megjithse për nga rëndësia është kongresi që unifikoi gjuhën shqipe me gjuhën e sotme, pas përdorimit dhe verifikimit në shkollat shqipe, veçanërisht në Shkollën Normale të Elbasanit. Gazeta “Bashkimi” e Shkodrës, nr 16, datë 17 prill 1910 e pasqyron veprimtarinë e tij. Në këtë kongres morën pjesë njerëz të shquar të shtypit dhe të mësimdhënies.
Sipas Skënder Luarasit, të birit të Petro Nini Luarasit, sekretarit të këtij kongresi delegatët pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare kanë qenë:
1. Bedri Pejani, kryetar i kongresit
2. Petro Nini Luarasi, sekretar i kongresit
3. Ferit Ypi Starja, sekretar i kongresit
4. Abdulla Rushiti
5. Ali Zajmi
6. Bejtulla Gjilani
7. Fehim Zavalani
8. Gani bej Bungu
9. Hajdar Blloshmi
10. Hysni Curri
11. Dervish. Hima
12. Ibrahim Jegen
13. Jonuz Hilmi Dibra
14. Qamil Bala Shkupi
15. Qazim Iljas Dibra
16. Rexhep Mitrovica
17. Rifat Zavalani
18. Sabit Beu Vushtria
19. Sali Gjukë Dukagjini
20. Shefik Efendia i Korçës
21. Shyqyri Ramadani, Prishtinë
22. Tefik Panariti
23. Themistokli Gërmenji
24. Xhafer Ypi Kolonja
25. Xheladin Ohri .
Delegatë të fshehtë Gjergj. Qirjazi Telemak Gërmenji Dibranët përfaqësohen me Ibrahim Jegenin, sekretarin e Klubit “Bashkimi” të Dibrës, me djalin e Iljas pashë Dibrës, Qazimin, me publicistin e shquar Dervish Hima, dhëndrri i Iljas pashë Dibrës dhe me Jonuz Dibrën. Sipas Haki Stërmillit, kronikan i kohës, shkruar në librin e tij “Dibra në prag të historisë” dorëshkrim i viteve 1937-1940 ka qenë edhe Hoxhë Hasan Moglica, por nuk thotë për statusin, delegat apo i ftuar. Hoxhë Hasan Moglica, mbaruar studimet në Stamboll për teologji dhe inxhinjeri solli në Shqipëri dhe në fshatin e tij, Okshtun, në ilegalitet 500 abetare në gjuhën shqipe. Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Parë të Manastirit dhe të Kongresit të Elbasanit, Hoxhë Moglica mblodhi në Fushën e Klenjës një kuvend ku bëri të mundur dërgimin e 8 djemve për të studiuar në Normalen e Elbasanit, ndërmjet tyre edhe djalin e tij, Osmanin.
Hoxhë Hasan Moglica ka marrë pjesë edhe në Tubimin e Martaneshit, në Teqenë e Ballenjës në prill 1902 së bashku me Ndre Mjedën, Aqif pashë Elbasanin, Ahmet Daklin, Abdi e Murat Toptanin, Rexhep pashë Matin, Said Najdenin dhe Baba Jashar Krenën e Martaneshit. (Lutfi Alia, për shkollat e para shqipe) Dibra me luftëtarët e saj ka luajtur rol të rëndësishëm edhe për sigurinë e mbarëvajtjen e punimeve të këtij kongresi.