Krahët që puthnin dritën-Avni Neziri 

KRAHËT QË PUTHNIN DRITËN

                                Autor: Avni Neziri 

Ç’e ligë fshihet mbrapa grilave

ka helmuar këngën e bilbilave

fole t’boshatisura sqephapur

derdh terr në dritën e qepallave.

Loti i lodhur, pre zvarranikësh

rrëshqet si pluhur i heshtjeve

fanar i shuar në cep udhëkryqesh

për qiellin tim zë dritën e hijeve.

zog shpirtëthyer i pa krah 

në heshtjen e qiellit kujtime plot 

krahët që dikur puthnin dritën

e tani dridhen në hije të vetmisë.

Mbi lulet e kërrusura pa vesë

shtrihet heshtja si ngrica mëngjezi

mjegullnajat që mbysin kujtesën

ëndrrat treten në prag të harresës.

                                                 o1.12.2o25