Roshi Ajdini

Në një fshat të thellë malor, në një distancë të madhe nga rruga automobilistike, në vitet 70 – 80 u bë fenomen shumë i përhapur “sporti” i letrave anonime.
Si çdo fshat apo zonë e Shqipërisë edhe në këtë fshat kishte nga ata me biografi jo të përshtatshme me regjimin, për shkak të rreshtimit në periudhën e luftës.
Panorama e letrare anonime që dërgoheshin në nivel lokal apo dhe atë qëndror kishte një kombinim mjaftë interesant.
Ata me biografi të keqe shkruanin kundër njëri tjetrit, ketu kam parasysh rastet kur nga ana e nënës ndonjëri kishte biografi të mire, i bënin letra duke e justifikuar që, jemi ne të dënuar të mos shkollohemi, të mos shkollohen dhe fëmijët e filanit.
Grupi i atyre me njollë në biografi bënte letra edhe kundër atyre me biografi të mirë, kryesishtë për rastet kur ata abuzonin me pasurinë e përbashkët në fshat.
Ata me biografi të mirë rivalitetin më të madh e kishin me njëri tjetrin, për drejtimin e fshatit apo për bursat e ndryshme që vinin në fshat, ndaj dhe letrat që i bënin njëri tjetrit ishin në masë.
Po ashtu këta me biografi të mirë nuk nguronin të bënin letra dhe për ate kategori që ishte me biografi të dyshimtë.
Në të gjithë këtë ndërthurje interesante letrash anonine krijoheshin dhe situata qesharake dhe groteske.
Njëra nga familjet me biografi të mirë në rivalitet me një tjeter me biografi të mirë që i bënte letra, kishte lidhje të forta me pushtetin, dhe letrat që i bëheshin arrinte ti binin në dorë, letra të cilat ja fuste poshtë derës, familjes rivale për dominancë në fshat.
Tërbohej kjo familja që sfidohej nga kjo tjetra që ja rikthente letrat anonime duke ja futur poshtë derës por jo se hiqte dorë nga rivaliteti, duke vrarë mendjen për taktika të tjera. Aq shumë po bëheshin letra anonime sa u bë problem në komitet të partisë.
Dërgojnë një instruktor të merrte kontakt me mësuesin e gjuhë leximit në fshat të cilit i ngarkuan detyrë të gjënte se kush nga nxënësit apo ish nxënesit e kishte shkruar.
Në shumë raste letrat shkruheshin nga nuset që vinin në fshat, në mënyrë që të mos diktoheshin POR gjetja më e bukur dhe interesante ishte kur njëri që kishte shkruar shumë letra, në mënyrë që të mos binte në sy filloi ti shkruante letrat me gishtat e KËMBËS, forma më e mirë për të mos u diktuar.
Kishte dhe situata qesharake dhe groteske kur kryesorët e grupit rival nuk dilnin vetë hapur por nxisin dikë tjetër ta lexonte letrën kur bëheshin mbledhje të hapura fshati.
Një radhë qëlloi që personi nuk e lexonte dot letrën, pavarsisht se me ditë të tëra ja kishin lexuar ustallarët që fshiheshin pas tij, duke bërë që në sallë të plaste e qeshura.
Një nga metodat që komiteti i partisë përdori për këtë fshat ishte dhe kufizimi i fletoreve për nxënësit e shkolles por edhe kjo metodë nuk dha efekt pasi filluan të siguronin në fshatrat e tjerë, në shok e në miq.
Duhet të vinin vitet 90 – të që sëmundja e letrave anonime të merrte fund POR edhe mbas këtyre viteve vazhduan sërish por me ndryshim kahesh pasi i bëhej letër ndonjë personi nga ish familjet komuniste që penetronte me pushtetin e ri demokrat.
Tek kjo situatë po aq interesante do ndalem në një tregim tjetër.