Llogaraja,midis reve dhe kujtesës
Gëzim Llojdia
Ese për një perlë shqiptare që frymon me natyrën dhe historinë

1.
Brilantët nuk gjenden vetëm nën tokë.Në jugperëndim të Shqipërisë, aty ku mali përkulet mbi Jon dhe qielli përplaset me horizontin.Shtrihet një nga thesaret më të rralla të Mesdheut: Llogaraja.Në jugperëndim të Shqipërisë,ku mali përkulet mbi Jonin dhe retë kalojnë si vizitorë të përhershëm, gjendet një nga perlat më të çmuara mesdhetare.Një kraharor i gjelbër që frymon thellë në çdo stinë.Një derë, që hapet mes dy botëve malit dhe detit.Një qafë e vjetër, që mbart mbi vete historinë e Cezarit dhe rrënqethjen e legjionit,që dikur e pushtoi këtë majë dhe, si thuhet, këtu edhe fushim bëri.
Nuk është thjesht një grykë mali apo një rrugë, që lidh bregdetin me jugun.Është një vend që flet.Jo me zë,por me ajër. Me gjelbërim të përjetshëm,me aromë pishe dhe ngjyrë gri. Shkëlqim të shkëmbinjve,që bien thikë mbi det.
2.
…Qafa e Llogarasë është më shumë se një pikë gjeografike. Është një kujtim një ndjesi, që të rrëmben sapo nis të ngjitesh në të.
Rruga,që ngjitet drejt Llogarasë është një përjetim në vetvete.
Në një moment je mbi det.Në tjetrin duket se po e sheh detin nga qielli.Një lartësi prej 1027 metrash e regjistruar ,që në kohë të hershme.Makina shket mbi asfalt si mbi xham. Fytyra mbulohet me bulçin e mjegullës.Rruga thyen rutinën me befasinë e saj.Dhe në ajër ndjen aromën e mjaltit.Dhe të dheut,të lëvores. Mushkëritë gëzojnë.Dhe në sfond,një zë radioje e thyen heshtjen.Një tingull trubofolk, por që i përket rrënjëve.E ritmi i rrënjëve është gjithnjë i saktë edhe kur është i vjetër.
3.
Një vijë e bardhë në horizontin blu e paprekur.E qetë, një shpirt që s’ka njohur ende dhunën e njeriut.Shtrihen poshtë teje.Plazhet joniane janë thesar i rrallë.Janë mesdhetare.Po sa do të jetojnë kështu? A do t’u shpëtojnë duarve, që çdo gjë e shohin si tokë për ndërtime?Le të mbesin këto plazhe siç janë të virgjëra.Sepse edhe Orikumi i lashtë në kahun tjetër, që fle poshtë këtyre e di se vetëm në heshtje ndërtohet përjetësia.
4.
Histori të lashta nën hijen e pishave.Legjendat thonë se dikur, legjionet e Cezarit e përshkuan këtë vend,duke kampuar mbi këtë grykë madhështore.E quajtën Qafa e Cezarit.Tani, vetëm zëri i erës, që futet mes degëve të pishave e përsërit këtë emër, si një kujtim që s’ka vdekur.Në dimër, Llogaraja hesht.Rrugët e bardha nga dëbora bëhen shtigje të pafjalë.Dhe drurët mbështillen me puhi, dhe gjithçka merr një pamje si nga një film bardhë e zi i viteve ‘60. Vjeshta është pikëlluese.Dhe një gjeth që nuk pranon të bjerë,quhet nga vendasit “kryeneçja”. Dhe era si një mjeshtër i vjetër, e gdhend malin çdo ditë.
Një natyrë,që mendon,ndien,kujton.Në pranverë e verë, gjelbërimi shpërthen si një këngë e gëzueshme. Ajri mbushet me aromë mjalti.Bletët kullosin në fletëverdha dhe lulet nisin të tregojnë sekretet e tyre.Diku larg ujërat e burimeve rrëshqasin në heshtje drejt perëndimit,gjithmonë në atë udhëtim të pandalshëm që Naimi e shprehu më mirë se kushdo:
“Ujrat, po burojnë dhe venë, tuke kënduar…” Ujërat e saj janë të kthjellta, gëlqerore, tipike të burimeve malore.Ujërat në Llogara nuk rrjedhin thjesht ato tregojnë histori.Vijnë nga Lindja, zbresin drejt Perëndimit. Si jeta, si fryma, si çdo gjë që s’mund të ndalet. Kjo është filozofia, gjithçka lëviz.Gjithçka rrjedh, gjithçka shkon drejt dritës së ikjes,por gjithnjë me këngë.
5.
Banorët njerëz me mendje të hollë dhe humor të mprehtë.Dukatasit,vendasit e kësaj zone,janë një popull më vete. Mandjehollë, të zotë për mikpritje, për trimëri dhe për zgjuarsi. Me humor ,që të ngul si gozhdë,me përgjigje që ta presin heshtjen. Në një bisedë me një plak të vjetër, u pyet përse Dukati ishte bërë nacionalist në Luftën e Dytë. Përgjigjja e tij ishte më filozofike se çdo analizë politike:“Ishim të pasur. Kishim tokë, bagëti,mall. Na thanë se në Lindje ia kishin marrë të gjitha. E ku do shkonim tjetër?Pastaj,ne dukatasit kuptojmë gjërat me vonesë dhe reagojmë me vonesë…”Një përgjigje që meriton një kapitull në çdo libër historie.
Mali, që të do në çdo stinë.Llogaraja është një atraksion natyror, por edhe një mall poetik Çdo pemë,çdo degë, çdo rrëkë është një kujtim, një përqafim.Një frymëmarrje ndryshe. Turistët që flenë në dhomat e ngrohta të Llogarasë në mes të borës,nuk vijnë thjesht për një pamje. Vijnë sepse ky vend të ngrohë, pa zjarr. Të flet pa fjalë. Dhe të mbush, pa e kuptuar.
Hëna mbi Llogara është si kudo tjetër, por këtu, ajo flet. Netëve të verës, kur gjithçka hesht dhe mali pushon. Hëna nis të zbulojë veten. Ajo bëhet tregues, observues.Një gjuhë misterioze, që e lexon vetëm ai, që rri në heshtje.
6.
…Kur zbret dimri, Llogaraja hesht.Rrugët mbulohen me borë, drurët mugullohen në heshtje, të veshur me puhi të bardhë, si të vjetër të mençur, që presin të flasin.Tabloja e natyrës bëhet gati pikëlluese.Vjeshta largohet si një zonjë plakë me fytyrë të rrudhur.Gjethet bien me trishtim. Era sillet mes degëve si një violinë që kërkon melodinë e humbur. Kur hëna është e ngrënë, ndodh diçka Drurët e prerë marrin frymë, shirat ziejnë. Kur vjen stina,shpërthejnë sythet. Fshatari e di, drapëri i hënës nuk është vegël, është ogur.
7.
Në Llogara,gjithçka ka shpirt:edhe pema,edhe era, edhe uji, edhe hëna.Dhe në këtë simfoni të përkryer, njeriu nuk është mbret është mysafir.Diku më tej,bletët kanë nisur të shtegtojnë.Lëndinat janë të verdha.Fletët e pemëve pengojnë lulen, dhe lulet, të lodhura, nuk japin më mjaltë.Një ndjesi humbjeje endet në ajër.Pyetjet shtohen ndërsa përgjigjet duken gjithnjë e më të largëta.Gjithçka i përngjan një shterpëzimi të ëmbël, si një ëndërr e një blete, që s’bën dot mjaltë më.Llogaraja është si një fytyrë, që nuk ndryshon vetëm vesh rroba të tjera sipas stinëve.
Në verë të jep freskinë e pyllit dhe ajrin, që prek mushkëritë si një dashuri e parë.Në dimër borën, që peshon mbi degë. Turizmi malor këtu është jo vetëm i mundshëm, por i natyrshëm.
“Nga kështu udha, or mik?”thotë vendasin.”Një kafe në Llogara.”
Borinat sivjet krijuan bardhësinë e vet.Rrugët u bllokuan, por dhomat e fjetjes, të ngrohta nga oxhaqet e vërtetë me dru pishe, pritën turistët. Dhe në heshtje, pylli fshihte qetësinë.
8.
..Ca sorkadhe jetojnë sot në këtë park. Janë të buta, të heshtura, të kuqërremta në bardhësi.I frikësohen zhurmës,por nuk i tremben të ftohtit. Ato nuk vajtuan për dëborën, kur ra në mars por për stinën e re,që do sillte gjethe të reja, bar të freskët dhe ajër më të ëmbël.
Masivi i Llogarasë është 1020 hektarë .Nuk është thjesht tokë, është një mushkëri ,që jeton për ne. Nga Vlora drejt jugut, rruga panoramike është si një litar, që të tërheq në një tjetër realitet. Çdo kthesë hap një kapitull të ri. Dhe ti, pa kuptuar, bëhesh një lexues i rrëmbyer i librit të madh të natyrës shqiptare.
Llogaraja nuk është vetëm një atraksion.Është një trashëgimi. Është vendi ku bletët çlodhen.Ku gjethet në formën e tyre mistike filozofojnë.Ku retë nuk janë thjesht lagështi.Por kujtime që enden mbi shpinën e një mali të mençur.
Sot, më shumë se kurrë,Llogaraja ka nevojë për mbrojtje, për vëmendje dhe për dashuri.Sepse siç e thotë me ironi dhe dhimbje një vendës:“Nëse s’e ruajtëm këtë perlë, s’na fal më as ky mal, e as kjo erë…”
9.
Monument i natyrës,Pisha flamur,një flamur i gjelbër.Qafa e Llogarasë nuk është thjesht një grykë mali.Eshtë një skenë ku natyra ka gdhendur me kujdes një nga monumentet më të rralla që i ka dhuruar vendit tonë.Pishën karakteristike të këtij masivi.Pisha fllamur.Ajo nuk është një pemë si gjithë të tjerat. Është si një shpirt i gjallë i pyllit.E përkëdhelur nga era.E admiruar nga kalimtarët dhe udhëtarët. Dhe gjithnjë e gjallë në kujtesën e atyre, që e kanë parë.
Në Qafën e Llogarasë,mes një ndjenje ,që të shtrëngon kraharorin e një pamjeje,që të çarmatos, gjëndet një pishë. Jo një pemë si gjithë të tjerat,por një dëshmi e gjallë e natyrës kur zgjedh të jetë artiste.Ajo ka ndalur kohën dhe frymën e shumë udhëtarëve, që janë gjendur befas përballë saj.E gdhendur nga erërat si nga dora e një skulptori të lashtë. E përkëdhelur nga juga dhe e rrahur me dashuri e durim nga motet.Aty ndodhi diçka natyra foli para historisë.Pisha u ngjit, pastaj erdhi flamuri, pastaj qyteti i Flamurit.Një ogur i mirë në hijen e së gjelbërtës.Ajo pishë u rrit e vetme mbi këtë tokë, me një formë që nuk mund ta krijonte tjetërkush, veçse natyra. Mbase ishte një ogur. Sepse, siç thonë të moshuarit. Zoti punët i bën me rradhë. Më parë vendosi pishën.Pastaj solli flamurin pastaj solli ëndërren, që ëndërroi lirinë.Era, ajo mjeshtre e padukshme.E ka gdhendur pamjen e saj si një skulpturë të gjallë.Me durim, me dashuri, me një dorë, që nuk ndalet asnjëherë.
…Jugat ia kreh degët. Koha ia skalit portretin.
Dhe çdo ditë,në çdo stinë, ajo pishë shfaqet e tillë një flamur i përhershme.Por kjo dhuratë e natyrës është gjithnjë në rrezik. Zjarret e verës ,plagët e gjelbra të Karaburunit dhe Llogarasë nuk janë thjesht aksidente,por krime ndaj brezave,ndaj vetë shpirtit të malit.
“Era këtu të rreh fort”, thonë vendasit, “është brisk i ftohtë”, por më i ftohtë është shpërfillja e atyre, që djegin me qëllim, që nuk njohin mallkim më të rëndë se ai i natyrës së dhunuar.
Sepse një ditë,edhe gurët do të flasin për këtë dëm.Dhe deti përballë që përkëdhelet me faqen e djegur të malit,nuk do të heshtë më.Sipër është mali krenar,hijerëndë i gjelbër.
Poshtë,një tjetër botë:plazhi i Palasës.I heshtur, i kthjellët, i virgjër.Bregdeti jonian përbën rreth 30% të gjithë vijës sonë detare dhe ky segment,si një perlë e pazbuluar,ende ruan një pastërti ,që duket si mrekulli.
10.
Masivi i Llogarasë përfshin 1020 hektarë gjelbërim të dendur. Një hapësirë që duket sikur frymon me një ritëm më të thellë se qyteti.Nga qyteti bregdetar,rruga që të çon aty shtrihet për 37 kilometra por çdo metër i saj është një përvojë në vete.Ajo rrugë nuk është vetëm një kalim , është një hyrje në një botë tjetër. Një panoramë, që shpaloset si një pikturë që ndryshon ngjyrë sa herë e sheh. Dhe kur e ndjen erën. Kur sheh degët, që lëkunden me një gjuhë që vetëm zemra mund ta kuptojë. Kupton se nuk je më udhëtar . Je dëshmitar i një mrekullie.
11.
Në rrënjë të Llogarasë, në atë zgjatje që prek fushën, malin dhe detin, është vendosur Dukati një fshat i rrallë, me njerëz që të mbesin në mendje jo vetëm për fjalët.Por për zgjuarsinë natyrale dhe atë që mund ta quajmë “fisnikëri e heshtur”.Vëndalinjtë janë dukatasit.
12.
…Të hollë në trup, të zgjuar në fjalë, të shtruar në sofër.Të tillë janë portretizuar brez pas brezi, dhe çdo përshkrim i tyre nis me një lloj respekti instinktiv. Janë shqiptarë të veçantë, me një mënyrë të tyre për ta parë botën me ironi të hollë, me krenari të heshtur dhe me një ndjeshmëri. që nuk e gjen lehtë.
“More Dukati me famë/ke nxjerrë burra të rrallë…” këndon polifonia, dhe s’është vetëm këngë,por dokument historik. Dervish Aliu, Hodo Zeqiri që luftoi me Italinë në Gjorm e në Llogara, Sado Koshena janë emra që vërtetojnë se burrat e Dukatit nuk ishin vetëm trima, por njerëz me qëndrim.Nuk dua të futem në histori luftrash ajo është gjithmonë me dritë e hije. Por dua të ndalem te një veti tjetër, që i përshkon dukatasit: mendja e hollë, ironitë therëse, gjykimi, që nuk nxiton. Disa vite më parë, në një udhëtim për në fshatin e vjetër, na thanë:
“Me dukatasin nuk matesh lehtë!
”Dhe e vërtetuam.Sa mbërritëm,na pritën disa të moshuar.U ulëm, kuvenduam. Kishim dëshirë të dëgjonim nga ata, por edhe t’i shtynim pak për të nxjerrë mendimin e tyre të mençur.Një burrë i moshuar,me një fjalë që e ndillte humorin me një buzëqeshje tinëzare,po na shpjegonte për nacionalizmin e fshatit në kohë lufte.
-Si shpjegohet,i them,që 60% e fshatit ishte nacionalist?
Ai më sheh dhe qesh:
-Jo 60, ore, po 80, 90…
-Mirë, ja po i vë 95%!
-Dakord, i thashë,po si kaloi ky fshat pastaj i gjithi 95 % në kohën e partisë,me partinë?
-Po pse, nuk e kupton ti?
Na dhanë autobus blu neve, ishim ballistë,siç thoni ju,dhe atyre të partisë ua dhanë të kuq.
Domethënë qëllimshëm, e ngacmova.
-Hë pra,tani vetë e the!-tha me atë shikimin, që i thotë gjithçka me pak fjalë.Pastaj u qetësua, dhe tha filozofikisht:
Dy gjëra janë:ose ngaqë ishim të pasur e kishim mal,s’na pëlqente që ta na merrnin,ose thjesht ngaqë i kuptojmë gjërat me vonesë. Dhe kur i kuptojmë, veprojmë me vonesë. Po veprojmë mirë.Një përgjigje, që nuk e harron lehtë. Prandaj me të drejtë thuhet: Me dukatasin duhet të heqësh kapelen.Jo se të mposhtin,gjë që ndodh.Por sepse të bëjnë të mendosh.Në Dukat janë edhe kullat e famshme të Dervish Aliut monumente me vlerë të rrallë që mbajnë brenda historinë e mbrojtjes,të vëzhgimit dhe të burrërisë shqiptare.Janë ngritur në shekullin XIX dhe ruajnë planimetri të qartë për mbrojtje, jetesë dhe dinjitet.
Një miku im poet A.Abazaj e përshkroi me një fjalë të artë:
“Dukat gjysmë misiri,për të treguar jo varfëri, por një gjeografi të veçantë:fushë det dhe mal.Të gjitha bashkë një rrallësi natyrore.Sot, Dukati ka një ecje të vrullshme përpara.Ka arsimuar njerëz, ka nxjerrë kuadro “Dukati”, dhe mban ende gjallë një polifoni,që duhet ruajtur me kujdes. Sepse polifonia e Dukatit nuk është thjesht këngë .Është mënyrë mendimi, është trashëgimi.Është shpirt, që rri pezull mbi malet e mbuluara nga mjegulla.
E në fund, kur shikon retë qumështore,që ngjiten ngadalë mbi vargmalin, kupton se ky fshat të mëson më shumë sesa duket në fillim.Të mëson, të mos nxitohesh.Të mendosh.Të shikosh.Por edhe të zgjedhësh kohën për të folur dhe kohën për të heshtur.
13.
…Në perëndim, kur dielli zhduket prapa detit,shfaqet hija e Orikumit të lashtë qytetit të themeluar në shekullin VI p.e.s.Ai fle atje, poshtë nesh.Në këtë mbrëmje të ngrohtë,dëshmitar i kohëve, kur njeriu jetonte në harmoni me natyrën.
14.
…Dhe në kahun tjetër të malit.Ndërsa rruga dredhon poshtë, mali i lartë i Llogarasë mbetet pas.I mbështjellë nga mjegulla dhe era e freskët,që fëshfërin nëpër pishat e egra.Por me çdo kthesë, që na afron me detin.Peizazhi ndryshon:qielli hapet,ajri ngrohet, dhe aroma e kripës fillon të ndjehet.Dielli del i plotë mbi horizontin e Palasës.Ndriçon shkëmbinjtë dhe shtratin e kaltër të Jonit,si një premtim i verës,që gjithmonë rikthehet.Nga lartësitë e maleve,ku koha dukej se qëndron pezull.Zbresim drejt një bote tjetër.Që është më e butë, më e ndritshme, ku çdo grimcë dritë mbart një histori të re.