Kosta Nake

VËRSHIME QË NDRYSHOJNË SHTRATIN E LUMENJVE
(Vëllimi poetik “Hey!” i Eliverta Kaninës, Muzgu, 2023)
Vërshimi është paralajmëruar që në titullin e vëllimit me një pasthirrmë shqiptare me trupëzim anglez që shërben për të tërhequr vëmendjen: Hej!. Poetja Eliverta Kanina erdhi në letrat shqipe si një zë i veçantë vajzëror dhe, për shkak të formimit shkencor dhe pjekurisë moshore, tërhoqi vëmendjen e lexuesit për guximin dhe finesën e trajtimit të temave tabu, ato që zbresin deri te portat e parajsës. Por duke ardhur te libri i dhjetë, befas e shohim se mjedisi i sotëm politik dhe shoqëror ka ushtruar një trysni të madhe, kjo e ka detyruar të sakrifikojë hapësira nga ‘dimensionet e fantazisë’ që ka vënë re botuesi Mark Simoni apo ‘lëngu i fantazisë’, siç e quan Sokol Demaku, dhe të ndalojë më shpesh edhe te përditshmëria e shoqërisë shqiptare, te ekonomia dhe trandja e marrëdhënieve tradicionale mes njerëzve që ka filluar nga mendjet e shtrembëra te poezia me të njëjtin titull ku ka një pyll të dendur fjalësh me të njëjtën temë: udhë e shtrembër, shohin shtrembër, shtrembëse u dukem, shtrembërisht trimëroj, muranë shtrembësie, shtrembërim buzësh, botë shtrembanikësh. (f.22) Pastaj vjen poezia e zhgënjimit që ka prodhuar trion peshkaqenër – peshkaujqër – peshkadreqër. (f.23) Pastaj dy poezi të njëpasnjëshme trishtimi me njerëzit që e shtyjnë ditën nëpër lokale me kafe e duhan. (f.35-36) Pastaj masakra urbane e telave të pafund si pezhishka merimangazh. (f.40) Paraja po mbyt çdo vlerë të krijuar me mundimin e punës së ndershme, prandaj poetja e ka përdorur disa herë fjalën “monedhash” si epiforë te poezia “Kohë e stampuar prej monedhash.” (f.133) Ja pse thirrja përsëritet nga poetja në një formë detyruese: “Ndal! Se në këtë kohë që i ngjan një përsheshi duhet të ketë një kufi për gjithçka.” (f.47) Me shumë emocion vjen revolta e poetes që gjuhësisht vishet me pasthirrmat “uhff”, “yhhh” dhe fjalët e rënda “glasa” e “kakërdhi” dhe përmbyllet me thirrjen:
“Mbulojeni këtë botë të fëlliqur fallco
Me një goxha bajgë…” (f.111)
Poezia “Përpëlitet jeta në postkarantinë” është një peizazh i një qyteti anormal që do të mjaftonte për t’u përdorur si vulë mbi poezitë me këtë tematikë. Kjo dalje nga shtrati ka dhe anën e vet të mirë sepse e kthen poeten në një barometër të shpirtit të trazuar të gruas dhe të klimës shoqërore shqiptare.
Një nga treguesit leksikorë të ndryshimit të shtratit poetik është edhe përdorimi i kompozitave që duken kontekstuale, prandaj edhe tingëllojnë si krijime të vetvetishme të poetes. Tipike për këtë dukuri është poezia “Ah nënat…” (f.14) ku çdo strofë ka një përftesë të tillë: mirësimbajtëse, heshtjeurtake, flakëprometease, qëndresvrastare, dhimbjeduruara, vetevetengrënura, jetëdhëna.
Kompozita të tjera janë: buzëputhje, çehreprishur, gjunjëdridhur, çapeheshur, gazmadh, frymëpërtëritës, frymëshkëmbim, pulsçakërdisur, shamikaltër, fatpadalë, petalendritur, dëngla-ëmbël, çaste-çapitur, shpirt-sfilitës, shëndet-brishtë, kokëdhimbje, fjalëshumë, hatërmbetje, babavit, babashpirt, kartmemorie, trup-shpirt, fillimpjekje, shëndegaz, kokëdhemb, pikëtakohet.
Nga pikëpamja gramatikore shumica e fjalëve janë mbiemra dhe kjo është një nga rrugët e pasurimit të gjuhës duke rritur mundësitë edhe për shprehësi me ngarkesë stilistikore. Kompozitat emra janë përftesat e dyta për nga numri, kurse foljet janë të pakëta.
Pjesën tjetër të poezive e përbën ajo që është karakteristike për krijimtarinë e Eliverta Kaninës – raportet femër – mashkull dhe aureola e marrëdhënieve brenda familjes ku kryefjalë ka qenë e mbetet dashuria, drita e pashuar që mban në këmbë jo vetëm familjen, por edhe komunitetin, madje edhe kombin. Siç e përcakton edhe Skënder Maliqi, ky areal poezish shquhet për çiltërsi dhe sinqeritet. Se “dashuria është himn jete… dhe ndriçohet fytyra prej melhemit të shpirtit.” (f.55) Dashuria ka disa ngacmues të jashtëm femërorë hireplotë, një krehje flokësh, një përdredhje mbi taka që gudulisin vështrimet mashkullorë dhe gacat nën hi përndezin.
Eliverta Kanina operon me imazhin dhe Harallamb Fandi e shikon këtë si ‘limfë e formësuar në trajta ndjenjasjellëse’. Ja si perceptohet imazhi i një dashurie të thellë që shkaktohet nga mungesa e përkohshme e të dashurit, një dashuri me zë e figurë që i jep kuptim jetës dhe dritë mendimit:
“Zhgarravis muret e ditëve me profilin tënd
Ndërsa emrin tënd
Ah, atë emër e kam në vesh
Heshtja jote
Gjithë kohën ma ulërin.” (f123)
Poezia më e bukur, sipas meje, është “Rrëfim poetik” që mbyllet me vargjet:
“Ah buzët, harruar prej meje jashtë kështjelle
Oh ç’instikt zgjohet, prej njeriu shpelle
M’i thith buzët me meritën tënde prej rebeli,
Kështjella ime ra, veç rrëfim ngeli,
Puthja shembi çdo mur
Prej rëre ish
Dhe dallga ishte burrë.” (f.76)
Në një shkrim të mëparshëm për tri vëllimet e para të poetes kam nënvizuar “Eliverta Kanina di të lexojë artistikisht gjuhën e trupit.” Më poshtë është thirrja e radhës për adrenalinën e marrëdhënies erotike. Le ta pranojmë pa mëdyshje – dashuria që flatron në zemër ka nevojë të përmbushet edhe me raportin seksual:
“Ne, Adamët dhe Evat e çdo kohe
Le ta gëzojmë së bashku me botën
Të lakuriqur,
Të puthitur,
Të papërsosur,
Mëkatarë…” (f 81)
Me shumë lirizëm, plot muzikalitet e aliteracione vijnë flirtet e marsit, me fër, fër, fër, me fëshfërima fletoresh, me fërgëllima xixëllonjash fap e fup, me zukatje bletësh zu e zu që përmbyllen me thirrjen:
“Mos ia bëni qejfin gjumit,
Merrni dikë për krahu e mbathjani…” (f.100)
Kjo atmosferë idilike me gurgullima përrenjsh e pëshpëshe të ëmbla të cilën Xheladin Çitaku e quan ‘kuadrat pamjesh nga labirinthet e botës së brendshme’ mund të ilustrohet me poezinë “Adrenalinë.” (f.107)
Atje ku mbaron dashuria, mund të thirret në ndihmë dhembshuria, veçanërisht kur është fjala për brezin e tretë të shoqërisë që ndjehet dhe realisht është i konsumuar:
“…bukuranet e dikurshme të bulevardeve
Si gjethet në fletore herbariumesh
Mbetur qoshkave të pallateve.” (f.66)
Duke u larguar pakëz nga libri, këtë verë më kanë bërë përshtypje disa çifte të huajsh në moshë të re që fëmijët i mbanin në gjoks, madje shpesh këtë gjë e bënin dhe burrat, përkundër përdorimit nga prindërit e rinj shqiptarë të lloj-lloj karrocash që i largojnë fëmijët jo vetëm nga kontakti i drejtpërdrejtë i trupit, por edhe nga shkëmbimi i vështrimeve. Edhe më e vështirë është marrëdhënia e prindërve me adoleshentët dhe kjo ka gjetur pasqyrim edhe te ky vëllim ku poetja dhe nëna bëhen një.
Duke cituar edhe vlerësimin e Zhuljeta Grabockës për ‘zgjedhjen e detajit përshkrues’, po sjell një strofë nga poezia “Pranvera”:
“Pranvera jam unë, ag e muzg
Duke gënjyer veten në pritje
Që e bukura të më fusë në kurth
Është kjo mori yjesh
Që bëj t’i numëroj e me dorë t’i kap
Kur ata bien afër meje të magjepsur…” (f.38)
Do ta mbyll këtë kalim të shpejtë mbi vëllimin poetik me konkluzionin e Iskra Thomës për krijimtarinë e Eliverta Kaninës: Origjinaliteti spontan gërshetohet me thellësinë e ndjenjave dhe figuracionin e bukur zgjedhur me përkushtim.
Durrës, 29 – 30 shtator 2025
