
Nga Ferit Toma
Që kur linda e hapa gojë
Nga sytë loti më pikoi,
Qava qava pa pushim
Në gjoks të nënës gjeta qetësinë.
U rrita mes ëndrrash plot,
Shpesh më rridhte fshehur lot,
Kur u rrëzova në oborr,
Zemra m’u drodh si fije borë.
Në bankë shkolle, ditë e re,
Një fjalë më ngeli si rrufe,
Po kur dëgjova “bravo ti”,
Loti më doli përsëri.
Në rini kur desha fort,
Zemra m’u mbush me mall e lot,
Një buzëqeshje, një shikim,
Më solli gaz e përlotim.
Kur humba njerëz në jetë,
M’u errësua dita e vërtetë,
Ra si shi mbi faqen time,
Loti i dhimbjes pa pushime.
Po edhe kur erdhi gëzim,
Në dasmë, lindje a përqafim,
Sytë m’u njomën pa kuptim,
Se loti flet sa vetë shpirti im.
Kështu më ndjek në çdo hap,
Në dritë më del, në terr prapë,
Në gëzim, dëshpërim, hidhërim,
Loti – shok jete pa mbarim.