Lufta për çlirimin e atdheut nuk ishte luftë civile-Ylli Xh. Duraj

Ylli Xh. Duraj

Në shumë emisione televizive, në shtyp, në aktivitete të ndryshme disa studiues, historianë, analistë, shkrimtarë, profesorë, politikanë, deputetë, të gjithë pinjollë të Organizatave të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, vazhdojnë të vjellin vrer e të hedhin poshtë luftën e madhe të popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashist dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke e trajtuar si luftë civile. Aq e madhe është urrejtja e tyre kundër LANÇ-it, sa edhe datën e çlirimit të Atdheut e ndryshuan nga 29 në 28 Nëntor. Të gjithë kuadrot e luftës dhe heronjtë e popullit i konsiderojnë si kriminele. Shkatërruan apo dëmtuan rëndë varrezat e dëshmorëve, përmendore, lapidarë, buste, pllaka përkujtimore e shumë objekte të tjera kushtuar LANÇ-it dhe dëshmorëve e heronjve të saj, bile hoqën edhe përmendoren kushtuar pesë Heronjve të Vigut nga sheshi në qendër të qytetit të Shkodrës. Numrin e dëshmorëve e minimizuan nga 28.000 në më pak se 4.000.

Balli Kombëtar u formua në nëntor 1942, si një organizatë politike dhe ushtarake me frymë nacionaliste, kundër ndarjes së trojeve shqiptare dhe me qëllim shpalljen e Shqipërisë etnike. Udhëheqës kryesor të Ballit ishin: Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Safet Butka e të tjerë.

Menjëherë mbas formimit forcat e Ballit bashkëpunuan ngushtë me pushtuesit italian në luftë kundër forcave partizane dhe në krime ndaj popullsisë civile. Këto veprime e kthyen programin e tyre thellësisht demagogjik dhe për të mashtruar opinionin publik. Me këto qëndrime e veprime Balli Kombëtar doli hapur kundër vendimeve të Konferencës së Pezës, që ishin për bashkimin e forcave antifashiste shqiptare pavarësisht bindjeve politike dhe krijimin e një fronti të bashkuar kombëtar për luftë kundër pushtuesve të huaj. Pra përpara dallimeve ideologjike, përparësi kombëtare ishte çlirimi i vendit.

Është e vërtetë se Partia Komuniste ashtu dhe Balli Kombëtar kishin objektiv marrjen e pushtetit, por për te realizuar këtë objektiv Partia Komuniste u mbështet tek lufta pa kompromis kundër pushtuesve. Populli patriot e liridashës iu përgjigj thirrjes se Partisë Komuniste dhe u organizua në Frontin dhe Këshillat Nacionalçlirimtare. 70.000 bij e bijat më të mirë të tij, nga të cilët 28.000 dhanë jetën në altarin e lirisë krijuan Ushtrinë Nacionalçlirimtare, që jo vetëm çliruan Atdheun, por si internacionalistë dhanë një kontribut të madh për çlirimin e Prizrenit, Gjakovës, Pejës e Prishtinës, Malit te Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës, ku dhanë jetën me qindra partizane.

Balli Kombëtar ndoqi rrugën e bashkëpunimit hapur me pushtuesit italianë për të marrë pushtetin. A qëndrojnë pretendimet e pinjollëve të Ballit Kombëtar se gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri ka pasur luftë civile? Si argument kryesor sjellin prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes të 2 gushtit 1943 midis përfaqësuesve të Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar të drejtuar nga Partia Komuniste. Është e vërtetë që përfaqësuesit e Partisë Komuniste u gjetën të papërgatitur dhe ranë në kurthin e drejtuesve të Ballit. U vendos për bashkimin e forcave për lufte kundër pushtuesve nazifashiste dhe vendosja e një qeverie demokratike pas Çlirimit, kur deri në atë moment forcat e Ballit ishin aleate dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve italian.

Partia Komuniste edhe mbas hedhjes poshtë të asaj marrëveshjeje i bëri thirrje Ballit që të hidhej në aksione reale luftarake kundër forcave pushtuese dhe atëherë do krijoheshin kushtet për të koordinuar e bashkëvepruar në luftë kundër pushtuesve e deri në formimin e qeverisë mbas çlirimit.

Po forcat e Ballit vazhduan më hapur dhe me egërsi bashkëpunimin me forcat pushtuese italiane. Bile edhe mbas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator 1943, bashkëpunoi edhe me forcat naziste gjermane, duke krijuar administrata lokale dhe njësi ushtarake të përbashkëta, sidomos në Jug dhe disa qytete të tjera si në Tiranë, Berat, Elbasan e Shkodër, duke marrë rolin e kolaboracionizmit. Me urën e zjarrit në dorë ishin në pararojë të ushtrisë gjermane jo vetëm në aksionet për asgjësimin e forcave partizane, por edhe për të vrarë njerëz të pafajshëm, për t’u djegur shtëpitë e plaçkitur pasurinë, në shenjë hakmarrje se mbështesnin dhe ishin baza LANÇ-in. Ishin ballistët ata që spiunuan, arrestuan dhe ekzekutuan me dhjetëra anëtarë të Këshillave Nacionalçlirimtare, në të gjitha krahinat e vendit.

Kjo veprimtari antikombëtare, ka bërë që në dokumente dhe gjykime ndërkombëtare, bashkëpunimi me nazistët e klasifikon Ballin Kombëtar si organizatë kolaboracioniste. Kështu: në Raportet britanike të misioneve ushtarake në Shqipëri (SOE) evidentojnë se pas vitit 1943 Balli Kombëtar bashkëpunoi me forcat gjermane dhe luftuan kundër partizanëve; Dokumente të OKB për krime lufte (UNËCC) përmendin bashkëpunimin e disa krerëve të Ballit me pushtuesit nazist; Në Konferencën e Jaltës (1945) dhe në proceset e pasluftës, aleatet perëndimore njohën Partinë Komuniste dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare si forcat kryesore antifashiste në Shqipëri, ndërsa Balli u konsiderua si i komprometuar nga bashkëpunimi me nazistët gjerman.

Me tërheqjen e forcave pushtuese gjermane nga Shqipëria, shumica e krerëve të Ballit dhe Legalitetit u larguan bashkë me ta ose u  arratisën jashtë vendit, por edhe që andej nuk hoqën dorë nga veprimtaria armiqësore kundër vendit tonë. Me qindra prej tyre u rekrutuan  dhe u stërviten nga zbulimet e huaja për t’u futur ilegalisht në territorin e Shqipërisë, si diversantë apo anëtarë të bandave të armatosura për të kryer akte terroriste dhe krijuar kushte për përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor. Po dihet fundi i tyre. Të paktë qenë ata që u kthyen andej nga ishin dërguar se u asgjësuan në përleshje me organet e Sigurimit të Shtetit dhe Forcat e Ndjekjes, u kapen dhe u dënuan nga organet e drejtësisë.

Për të pasur një koncept më të qartë se çfarë është lufta civile, le ti referohemi historisë moderne, ku janë katër shtete që është zhvilluar luftë civile. Dhe konkretisht:

Lufta civile në SHBA (1861 – 1865)

Një konflikt i armatosur midis SHBA (Unionit) dhe Konfederatës se Amerikës, për t’u shkëputur nga Unioni. Palët ndërluftuese ishin: 23 shtete veriore të udhëhequra nga Presidenti Linkoln që ishin kundër skllavërisë.

Konfederata (Jugu), në përbërje të të cilit ishin 11 shtete të udhëhequra nga Presidenti Jefferson Davis që ishin pro skllavërisë dhe mbështeteshin tek ekonomia bujqësore me skllevër.

Humbjet, e konsideruar lufta më e përgjakshme në historinë SHBA, pati rreth 750.000 të vdekur. Pasojat: fitorja e Unionit (Veriut), me Amendamentin 13, u hoq skllavëria, rindërtimi i Jugut dhe vrasja e Presidentit Abraham Linkoln në vitin 1865.

Lufta civile në RUSI (1917 – 1923)

Pas Revolucionit të Tetorit, filloi një luftë e brendshme, midis bolshevikeve (të kuqtë) dhe kundërshtarëve të tyre (të bardhët) për të marrë kontrollin e Rusisë, pas rënies së Perandorisë Ruse. Palët ndërluftuese ishin: bolshevikët komunist dhe Ushtria e Kuqe, që donin ndërtimin e një shteti socialist dhe të bardhët (monarkist, liberal, nacionalist, republikan etj.), që kërkonin rikthimin e Carit, ose një qeveri jo komuniste. Kishin mbështetje nga shumë fuqi perëndimore si Franca, Britania e Madhe, SHBA, Japonia etj.

Humbjet, ishin rreth 10 milion të vdekur (në luftime, nga sëmundjet, spastrimet etj), si dhe një shkatërrim ekonomik dhe social masiv. Pasojat, fituan bolshevikët.

Lufta civile në Spanjë (1936 – 1939)

Spanja në vitet ‘30 ishte e ndarë midis forcave progresiste dhe konservatore. Qeveria Republikane, që ishte në pushtet, ndërmori reforma agrare, arsimore, dhe antiklerikale, gjë që solli zemërimin e aristokracisë dhe kishës. Nacionalistët të përbërë nga monarkiste, fashistë, konservatorë, kisha katolike dhe një pjesë e ushtrisë, të udhëhequr nga gjenerali Francisko Franko organizuan grusht shteti kundër qeverisë.

E menjëhershme ishte edhe mbështetja nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste, mbasi Franco përfaqësonte nacionalizmin, konservatorizmin dhe antikomunizmin, që përputhej me ideologjinë e Hitlerit dhe Musolinit. Hitleri dërgoi “Legjionin Condor” një forcë elitare me, avion bombardues dhe rreth 5.000 pilot e personel teknik. Musolini dërgoi mbi 70.000 trupa ushtarake, si dhe avion luftarak, tanke, arme, artileri dhe automjete transporti.

Po edhe ndaj Republikaneve pati mbështetje ndërkombëtare. Pavarësisht embargos se egër, rreth 40.000 vullnetarë nga 53 vende të botës, përfshirë edhe nga Shqipëria u bënë pjesë e Brigadave Internacionale dhe shkruan faqe lavdie në përleshjet e ashpra me forcat e Francos dhe aleateve të tij italianë e gjermanë. Me mijëra ranë dëshmore në fushën e betejës.

BS i mbështeti hapur republikanët me armë, tanke, avionë, pilotë, tankista, artiliere dhe rreth 2.000 këshilltarë e instruktorë ushtarak, etj. Edhe pse qeveria e SHBA qëndroi zyrtarisht neutrale, rreth 2.800 punëtorë, intelektualë, studentë e antifashistë shkuan vullnetarë dhe ju bashkuan forcave republikane. Midis këtyre vullnetarëve ishin edhe rreth 100 vullnetarë nga Shqipëria. Shumica ishin emigrantë politikë, punëtorë ose studentë në Francë, Itali, Zvicër dhe SHBA. Të tjerët ishin nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi.

Është shkruar e folur për shumë luftëtarë shqiptarë që shkëlqyen për trimëri e si drejtues ushtarak, por shumë pak është folur për kontributin e Ali Kelmendit, që shkoi në Spanjë si agjitator politik, i dërguar nga Partia Komuniste Franceze dhe Internacionalia Komuniste. Mbas Luftës së Spanjës, Aliu, u dërgua nga Kominterni për të ndihmuar në organizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, por në vitin 1939 vdiq në Tirane pas një sëmundjeje të rëndë.

Në betejat e përgjakshme dhanë jetën si trima edhe 16 vullnetar ëshqiptar si: Hamdi Zagara, Feim Zagara, Asim Vokshi, Ramis Varvarica, Teni Konomi, Musa Fratari, Xhemal Kada, Koste Lito, Zef Hoti, Urfi Agolli, Thimio Gogozolo, Daut Podgorani, Xhelal Bajrami, Hamdi Kolonja, Feim Kolonja dhe Ymer Puka. Do t’u sugjeroja drejtuesve të Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut që nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes t’i propozohet Presidentit të Republikës, që këtyre 16 dëshmorëve t’u jepet titulli i larte “Nderi i Kombit”.

Humbjet, numri total i viktimave ka qenë rreth 600.000 persona, ku përfshihen të rënët në beteja, të ekzekutuarit politik, të vdekur nga uria e sëmundjet si dhe të vrarët nga bombardimet ajrore ndaj popullsisë civile. Pasojat, mbas ardhjes në pushtet të Francos u vendos një diktaturë e egër, që zgjati deri në vitin 1975, kur u nda nga jeta. U ekzekutuan mbi 150.000 persona, kurse mijëra të tjerë u futën në burgje dhe kampet e punës. Mbi 400.000 të tjerë u larguan si refugjatë, kryesisht në Francë.

Lufta civile neë Greqi (1946 – 1949)

Ky konflikt i armatosur mes komunistëve grek dhe qeverisë mbretërore greke, e mbështetur nga Britania dhe SHBA, filloi menjëherë mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Palët ndërluftuese: Ushtria demokratike dhe krahu i armatosur i partisë komuniste greke, të drejtuara nga Markos Vafiadis. Patën mbështetje nga Jugosllavia dhe më pak edhe nga Shqipëria e Bullgaria, qeveria mbretërore greke, e mbështetur me ndihma ushtarake dhe ekonomike nga Britania dhe SHBA.

Humbjet, rreth 150.000 të vrarë, mijëra të zhvendosur (të dëbuar) brenda e jashtë vendit, si dhe shkatërrime të mëdha ekonomike e sociale. Pasojat, fitorja e forcave qeveritare. Me mijëra komunist grek u internuan, u burgosen ose u arratisën në Shqipëri, Bullgari e Bashkimin Sovjetik.

Krahasuar me këto katër raste klasike të luftës civile, rrëzohen pretendimet e pinjollëve të ballisto-zogistëve, se gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe në Shqipëri ka pasur luftë civile. Protokolli shtesë i Konventës së Gjenevës të vitit 1977 përcakton: “Në një vend të pushtuar, nëse popullsia ngrihet me armë kundër forcave pushtuese, kjo nuk është luftë civile, por luftë për çlirimin kombëtar”.