Klara Shehu

Cikli “Jetë Gruaje”
Muzg në bregdet
Monolog
…Dhe në atë heshtje që duket sikur është përfshirë gjithçka, mendja fillon të flasë me veten. Sa e çuditshme është kjo vijë në horizont…
E shoh prej kaq minutash dhe prapë nuk jam e sigurt nëse ekziston vërtet. Ndoshta është vetëm një marrëveshje mes syrit dhe mendjes, ose ndoshta është një truk natyror për t’i vendosur kufi pafundësisë.
Deti duket i qetë në këtë muzg kaq të paqtë, por në thellësi të tij ka lëvizje të panumërta ashtu si mendimet e mia që vlojnë në brendësi të gjithë qenies time. Ka nga ata që besojnë se bota dhe mendimet njerëzore mund të jenë të qeta, pothuajse të heshtura, por unë besoj se në brendësi të botës dhe mendjes njerëzore lëviz gjithnjë diçka që nuk ndalon.
Dhe duke vështruar tutje në horizont, mendoj për shumë ngjarje që kanë kaluar në jetën time. Disa ishin si valë të lehta që erdhën e ikën pa lënë gjurmë, e disa të tjera erdhën si dallgë që u përplasen fort duke ndryshuar bregun e shpirtit tim. Ndërsa në këtë muzg të kësaj dite simbolike të largimit të dimrit dhe njoftimit për ardhjen e pranverës, duket se edhe dimri i gjatë i brendshëm ka filluar të largohet pak nga pak. Jo me zhurmë, jo me shpallje, por me një ndjenjë të qetë që vjen nga thellësia e shpirtit tim, ndërsa era e lehtë vazhdon të fryj duke sjellë aromën e kripës në këtë natë të freskët që po afrohet.
Qielli po errësohet ngadalë, dhe deti fillon të marrë ngjyrë të errët, të thellë, e unë vazhdoj të vëzhgoj atë vijë të largët ku takohen ata të dy, deti dhe qielli. Ndoshta atje, aq larg, në atë vend ku deti dhe qielli bashkohen, mund të pajtohen midis tyre dhe mendimet njerëzore. Dhe gjithçka që ka qenë e shpërndarë, mund të bëhet përsëri bashkë, ndonjëherë, atje tutje në horizont.
Në këtë çast të qetë, pa e kuptuar mirë arsyen, më lindi një mendim i thjeshtë: …Ndoshta jeta nuk është gjë tjetër veçse kjo që po jetoj pikërisht tani. Të ulem herë pas here në bregun e vetes dhe të arsyetoj mbi horizontin…