Ndjellja e zemrës-Vullnet Mato

Vullnet Mato

NDJELLJA E ZEMRËS...

Ndoshta habitesh që s’më tërheq më trupi yt,
siç m’i korrje puthjet, me draprin e vetullës,
si më ndizje dëshirën, kur zbuloje gjinjtë,
si më dehje me aromën femërore të sqetullës.
Ndoshta mendon, se t’u zbeh bukuria,
apo lëkura s’të përcjell rrymë në lëkurën time,
mos të janë ftohur epshet, për prekjet e mia,
që s’i gdhijmë netët bashkë, gjer në agime.


Ndoshta kërkon të gjesh, cili qe gabimi fatal,
me cilin akull, ma ftohe gjakun gjer në deje,
me cilin breshër dimri, m’i vrave lulet në maj,
cilën britmë më lëshove, si krismë rrufeje!


Dyshon mos ka ndodhur, ajo që korçarët thonë,
me shprehjen alegorike: “U njohëm si shumë!“
Por jo, nuk është asnjëra, nga sa ti numëron,
sepse nuk shteron dashuria, siç thahet një lumë.


Se pasionin e ndjenjave dhe tërheqjen e mishit,
e bënte zemra, që ka autoritet të magjishëm,
me drithërimat e pulsimin të rrëmbyeshëm,
t’i japë urdhër absolut, trurit të plotfuqishëm.
Për shkak se ti, me atë natyrën tënde lozonjare,
s’përdore ndjesitë femërore, siç bëje më parë,
të vazhdoje, zemrën time, ta ndillje si manare,
mos të shkonte kafeneve, te grigja me beqarë!...