Në Fterrë,vëndlindjen e tij,poeti Servet Dauti ,përmes vargut rikthehet sërish-Nga Çano Nora

Nga Çano Nora

NË FTERRË,VËNDLINDJEN E TIJ,POETI SERVET DAUTI ,PËRMES VARGUT RIKTHEHET SËRISH.
 
Libri “Fterra zemra ime” ,i Servet Dautit ,vjen si një lajm i mirë ,i lidhjes së pashkëputur  të tij me vendlindjen.Poeti  është me origjinë nga Fterra e Sarandës,që s’ishte vetëm një ushtarak që i rrinte aq bukur uniforma në trup,por është edhe tani në moshën e pensionit,një poet i mirë që vargjet për vendlindjen ,Fterrën ,e bëjnë të ndjehet krenar dhe i frymëzuar për të bërë vargje të ndjera për vete dhe të tjerët.
Edhe pse në moshë 85 – vjeçare dhe i privuar  nga drita e syve ,vazhdon të mbajë gjallë një dritë tjetër ,dritën e shpirtit krijues.Pikërisht kjo e bën librin e tij më shumë se një përmbledhje poezish: e bën një rrëfim të ndjerë për vëndin  ku nisi jeta e tij.Në këtë libër , Fterra  nuk paraqitet vetëm si një hapësirë gjeografike ,por ajo shfaqet  si burim frymëzimi ,si një ndjenjë  e pashtershme  dhe një vënd ku autori  rikthehet vazhdimisht  përmes vargut.Malli për vendlindjen  përshkuan  pothuajse çdo poezi,duke e bërë librin  një dashuri të tërë për fshatin e lindjes ,për njerëzit e tij  dhe për natyrën që e rrethoi jetën e autorit  në vitet e fëmijërisë.
Një veçori tjetër e krijimtarisë së Servet Dautit,është  thjeshtësia e shprehjes.Poezitë dhe tekstet    e këngëve mbështeten në një gjuhë të drejtëpërdrejtë ,të ngrohtë dhe të sinqertë ,që buron  nga përvoja jetësore .Kjo e bën komunikimin  me lexuesin të menjëhershëm ,sepse vargjet nuk kërkojnë zbukurime  të tepërta ,por mbështeten në ndjenjën dhe dashurinë që ai ka për vendlindjen.Në planin tematik ,libri sjell  jo vetëm mallin për vendlindjen ,por edhe përjetime e reflektime  për jetën ,kohën  që kalon  dhe të gjitha ato që mbeten tek njerëzit  dhe nuk i fshin harresa.Në këtë kuptim ,”Fterra  në zemrën ime”është një dialog  i poetit  me veten e tij,me rrugëtimin e jetës dhe me njerëzit  që e  kanë lidhur  me t’a gjatë tërë jetës.
Fakti që autori  vazhdon të krijojë  dhe në  një moshë  të thyer ,duke mos u  dorëzuar përballë vështirësive dhe sfidave të kohës ,i jep librit  përmasa të mëdha njerëzore.Krijimtaria e Dautit tregon dashurinë për vendlindjen  dhe për artin e fjalës  që nuk zbehet me kalimin e viteve,përkundrazi bëhet më e ndjeshme.Prandaj “Fterra zemra ime” ,mund të lexohet  si një libër  i dashurisë  për fshatin ,që ai lindi  dhe mësoi për herë të parë të flasë e të ecë.Kjo e bën atë që çdo detaj  i përjetuar  atje në Fterrën  e Labërisë ,t’a hedhë në letër ,që të kënaqet ai vet por edhe fteriotët e tjerë me librin që kanë përpara.Në vargjet e këtij libri ,Servet Dauti  i rikthen lexuesit  te vlerat  e përhershme : vendlindja ,dashuria  që e afron   dhe e lidh  atë me njerzit.Në këtë mënyrë  vargjet e tij  s’e humbasin  kuptimin asnjëherë,por përmbushin  dhe misionin e madh  atë të lidhjes  së të shkuarës me të tashmen   dhe që e mban  të gjallë emrin e Fterrës në zemrën e lexuesit.
Tek poezia”Si manare të rris vet”  mbështetet  në frymën e këngës lirike ,ku natyra,ndjenja  dhe pritja  e dashurisë  ndërthuren  në mënyrë të natyrshme ,i lidh forca e fjalës që del nga zemra  dhe që ngroh e bën për vete dy të dashuruar.
Vargjet që cituam krijojnë  një atmosferë malore  dhe në të njëjtën kohë mbartin  një simbolikë  të bukur.
Në strofën e parë:
 
Mora rrugën për në male,
sapo dielli në shesh ra,
rrugën ma pret një zorkadhe,
hodhi sytë dhe më pa.
 
Krijohet një skenë e gjallë poetike.Lëvizja e poetit  drejtë maleve  lidhet me botën e natyrës që e frymëzon dhe që i sjell kaq afër dashurinë,ndërsa zorkadhja shfaqet  si figurë simbolike.Në traditën e këngëve popullore shqiptare ,zorkadhja  shpesh përfaqëson  vajzën e bukur ,të brishtë  dhe të turpshme,që shfaqet për  një çast 
 dhe largohet,duke lënë pas mall  dhe kureshtje.
Shikimi i saj i shkurtër,shton misterin dhe çiltërsinë e momentit.
Pra në këto vargje dallohen disa elementë të motivit:
* natyra malore si hapësirë e ndjenjës
* zorkadhja si metaforë e vajzës  së bukur dhe të ndrojtur
* burimi si vënd simbolik  i takimit  dhe i dashurisë.
Kështu ,poezia  krijon një mjedis lirik ,ku dashuria shfaqet e lidhur ngushtë me natyrën  dhe me traditën.
Te poezia “Të kem krahë të fluturoj” Serjan  Dauti shkruan:
 
Kam një xhëng e kam një brengë,
një mall që më përvëlon,
sepse ti e dashur Fterrë,
dashurinë tënde më shton.
 
Dhe me vargjet e strofës tjetër e forcon  më shumë idenë  e asaj  çka dashur të thotë:
 
Të kem krahë të fluturoj,
do kaloj fusha e male,
tek një pemë zogjtë të zgjoj,
me  një këngë me t’a të çmallem.
 
Në poezinë ” Të kem krahë të fluturoj”
 ndjehet malli  për vendlindjen,që në rastin e autorit  është Fterra,atje ku dhe erërat nisin këngën e tyre,atje ku dhe deti përkarshi të shfaqet me gjithë magjinë e tij.Që në strofën e parë poeti shpreh  një gjëndje  të brendëshme shpirtërore  të trazuar ,ku bashkëjetojnë “xhëngu” dhe “brenga” ,dy fjalë që nënkuptojnë  një ngarkesë të shpirtit brenda,një emocion të fortë.Këto ndjenja lidhen drejtëpërdrejtë  me mallin  për vëndin e tij të lindjes,një mall që” përvëlon ” dhe në vënd  që të shuhet ,vetëm se e  shton dashurinë për Fterrën.
Në strofën e dytë  kjo  ndjenjë përforcohet  përmes një figure  të bukur poetike ,dëshirës  për të pasur krahë  për të fluturuar.
Fluturimi këtu nuk është thjesht fluturim,por një simbol i dashurisë  së zjarrtë  për t’u kthyer  sa më shpejtë  në vendlindje.Poeti përfytyron udhëtimin përmes fushave e maleve ,duke krijuar  një panoramë  që të çon drejt peizazhit  të vëndit të tij.
Ndalimi te pema me zogjtë është një tjetër element i bukur lirik: zogu  dhe kënga  e tij lidhen  me lirinë ,natyrën dhe me gjithëçka  që ka lidhje me fëmijërinë e poetit.Kështu,kënga që ai dëshiron  të nis bashkë me zogjtë  bëhet një këngë  mallëngjimi,një mënyrë  për të shuar sadopak  mallin.Poezia ngrë një skenë ku malli ,natyra dhe dashuria për vëndin e origjinës,ndërthuren dhe takohen në një pikë.
Në fakt vargjet përcjellin  idenë se dashuria për tokën mëmë është aq e fortë ,sa poeti  do të dëshironte  të kishte edhe krahë  për të fluturuar  drejt saj.
Kjo e bën poezinë një shprehje të denjë  të lidhjes me tokën e të parëve të tij.
Poeti Dauti ,në poezinë për poetët dhe vjershëtorët e tjerë të Fterrës kujton:
 
O Teno ,Teno fterjoti,
sa bukur vargjet i gdhënd,
i thur vargjet mot pas moti,
si  fterjotet në avlëmënd.
 
Kur dëgjon vargjet e tua,
zemra hop,të ngrihet peshë,
vargjet të burojnë si krua,
i dëgjon e buza qesh.
 
Vargjet për Teno Lonë  janë një homazh  për poetin  dhe rapsodin fterjot ,ku autori   vë në dukje talentin ,frymëzimin  dhe ndikimin që kanë krijimet e tyre tek lexuesi.
Në strofën e fundit  bie në sy krahasimi artistik  shumë domethënës :vargjet  e poetit krahasohen  me punën e grave të fterrës  në avlëmënd.Ashtu si fijet  që thuren me kujdes  për të krijuar  një pëlhurë të bukur ,edhe poeti  i ndërton  vargjet  me durim e merak  vit pas viti.
Folja” gdhënd”  shton idenë e përpunimit  të kujdesshëm artistik ,sikur vargu të jetë një vepër arti e skalitur.
Në strofën e dytë theksohet  emocioni që ngjall krijimi i tij.
 
Kur dëgjon vjershat e tua,
zemra hop,të ngrihet peshë,
vargjet që burojnë si krua,
i dëgjon e buza qesh.
 
Këtu përdoret një tjetër figurë stilistike :
“Vargjet që burojnë si krua”.Ky krahasim jep idenë e frymëzimit poetik.Poezia e Servet Dautit,nuk duket e sforcuar,por rrjedh natyrshëm ,si uji i një burimi mali.Po ashtu ,autori  nënvizon  se këto vargje  ngjallin  gëzim dhe gjallëri te lexuesi ,saqë “zemra ngrihet peshë” dhe “buza qesh”.Pra poezia e Tenos ,nuk është vetëm krijim artistik ,por edhe burim kënaqësie shpirtërore për komunitetin ,kjo u jep më shumë kuptim vargjeve të tij.Në tërësi këto dy strofa  paraqesin një portret poetik të rapsodit fterjot : një krijues që e thur poezinë me përkushtim dhe që,me vargjet  e tij si burim mali,i sjell gëzim dhe  krenari vendlindjes.
Libri “Fterra zemra ime” mbetet një ndjenjë e dashurisë së pashuar për vëndin e origjinës.Nëpër vargje rrjedh malli për fshatin ,për njerzit ,për çdo gjë që ka ikur dhe ka lënë gjurmë  që  koha nuk arrinë t’i zbehë.
Autori i kthehet Fterrës siç i kthehet njeriu burimit të jetës ,duke bërë atë jo vetëm vënd të lindjes ,por dhe vatër frymëzimi poetik.Çdo poezi e këtij libri është si një gur i vendosur në memorien e krahinës,ndërsa të gjitha së bashku formojnë një hymn për vëndlindjen ,Fterrën që mbetet gjithmonë zemra e autorit.