Në garë me ty- Sokrat Habilaj 

Sokrat Habilaj 

Në garë me ty

Ti kurrë s’më ke bëre të ndihem ngushtë,

Edhe kur e kuptoje se unë dilja nga vetja.

Ndërsa ne ecnim të dy bashkë sup më sup,

Doja të më lije para vetes pak milimetra.

Edhe kur e ktheja kokën me sedër burri,

Të të shikoja pas, një milimetër së paku.

Ndërsa shihja hapat e mi në grimca guri,

E imazhin e nënës kërrusur nga meraku.

Edhe kur më buzëqeshje dhembshurisht,

Duke më nxitur të të kapja:-Vrapo dhe ca!

E, një burrë mundet të dalë i pari natyrisht,

Për aq kohë sa nuk ka një grua në krah.

Ti kurrë s’më ke bërë të ndihem ngushtë,

Ndërsa i mundur ulesha tutje në një skaj.

Një grua ta hap udhën kur je sup më sup,

Por kur e ke brenda vetes, ç’t’i bësh asaj!?