“NËNË ILMUA, NËNA SHEKULLORE” ILMO MAÇI (1888 – 1987)
Nga Besnik Gjonbrataj


Nënë Ilmua, e njohur ndryshe si “Nëna shekullore”, ishte një grua e veçantë, bijë nga fisi Xhaferaj nga Kuçi dhe e martuar në Kallarat me Zenel Maçin, me të cilin solli në jetë një djalë, Arshiun.
Ashtu si shumë të rinj kallaratas të asaj kohe, edhe djali i saj mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u inkuadruar në radhët e Brigadës së 23-të Sulmuese. Arshiu luftoi deri në Jugosllavi, ku humbi jetën nga epidemia e njohur e “morrit të kuq”. Për shkak të kritereve ligjore të kohës, ai nuk u shpall “Dëshmor i Atdheut”, por “viktimë e luftës”, çka e rëndoi akoma më shumë shpirtin e nënë Ilmos.
NJË JETË MES DHIMBJES DHE DINJITETIT
Pas humbjes së të birit dhe, rreth vitit 1956, edhe të bashkëshortit Zenelit, nënë Ilmua mbeti e vetme në shtëpinë e saj në breg të Rapetës – në vendin që sot njihet si “Bregu i Maçe”. Jeta e saj ishte plot vuajtje e mundime, por ajo nuk u përkul kurrë. Me dinjitet e forcë shpirtërore përballoi vetminë dhe vështirësitë e kohës. Edhe pse me shumë halle, ajo ishte një grua tepër humane.
Pas ndarjes nga bashkëshorti, për disa vite strehoi në shtëpinë e saj Tahir Kondin, të ardhur nga Kurpica, i cili në atë periudhë kishte nevojë të madhe për strehim. Rreth vitit 1968, pasi Tahiri ndërtoi shtëpinë e tij në Morrez, nënë Ilmua mbeti sërish e vetme.
Në vitet e pleqërisë, ajo gjeti ngushëllim e mbështetje tek Sinan Hitaj, një burrë plak që, ashtu si ajo, jetonte i vetëm. Vendosën të bashkëjetonin, jo në kuptimin e sotëm të fjalës, por për të ndarë së bashku të mirat e të këqijat e jetës, duke ndihmuar njëri-tjetrin në përballimin e vështirësive të moshës. Ky bashkëjetim u bë shembull i humanizmit e mirëkuptimit njerëzor mes dy shpirtërash të vetmuar.
NJË NËNË E FORTË, ME NJË ZEMËR TË MADHE
Për rreth 20 vjet, nënë Ilmua jetoi në “Grykë të Hite”, majë kodrës që e zbriste e ngjiste çdo ditë për të mbushur ujë në Qafë të Rrepeve, për të marrë bukën në furrën e fshatit, për të bërë ndonjë shërbim apo për të vizituar ndonjë familje kallaratase. Ishte e fortë, e palodhur dhe me një shpirt të pathyeshëm. U nda nga jeta në vitin 1987, në moshën 99-vjeçare, pak muaj para se të mbushte shekullin. U përcoll me nderim dhe respekt nga bashkëfshatarët, të cilët e vlerësonin për mirësinë, bujarinë dhe shpirtin e saj të paepur. Nënë Ilmua kishte dashuri të pafund për njerëzit. Edhe kur kishte pak, ajo dhuronte shumë. Një grusht sheqer, një palafike, një vesh rrush, një kokërr kumbulle a fiku, një vezë e zier – dhurata të vogla që dilnin nga dora e saj me një zemër të madhe. Ato kishin vlerën e mijëra të mirave materiale që mund të të jepnin të tjerët.
KUJTIME PERSONALE
Të tillë e mbaj mend unë nënë Ilmon, të cilën e kishim gjitone. Ajo vinte shpesh te gjyshja ime, nënë Hatixheja, me të cilën rrinin e ndanin hallet e jetës. Ne fëmijët shkonim shpesh te shtëpia e saj në Grykë të Hite, qoftë edhe duke kullotur bagëtitë. Ndoshta atëherë nuk e kuptonim ç’fshehnin rrudhat e fytyrës së saj, por sot e shoh qartë se ato rrudha mbanin brenda një histori vuajtjeje, force dhe dashurie të pamatë. Nënë Ilmua ishte “Nënë Heroinë” – jo për ndonjë titull zyrtar, por për mënyrën si jetoi, si duronte dhe si dashuronte.
TRASHËGIMIA SHPIRTËRORE
Ajo nuk la pasardhës të afërt, por la pas një trashëgimi të çmuar shpirtërore për brezat kallaratas: uratën, mençurinë dhe dashurinë e saj për njerëzit. Kujtimi i saj është një homazh për të gjitha nënat kallaratase që kanë ikur nga kjo jetë, por kanë lënë pas dashurinë dhe përkushtimin e tyre të pashtershëm. Kur kujtoj portretin e saj të ndritur, më vijnë në mendje fjalët e saj të dashura: “Të keqen nëna, të marsha” – një shprehje që mbart gjithë shpirtin e një nëne të vuajtur, por të madhërishme.
NJË THIRRJE PËR TË GJITHË
Nënë Ilmua sot prehet në varrezat e fshatit, në Fshira, ashtu siç duket edhe në këtë fotografi, pa ndonjë varr të veçantë, si gjithë të tjerët të ndarë nga jeta. Por zemra kërkon të thotë se ajo e meriton një kujdes më të veçantë, sepse gjatë gjithë jetës së saj u dhuroi njerëzve mirësi, bujari dhe dashuri, pa kërkuar asgjë në këmbim. Ndoshta një ditë dikush do të kujtohet të bëjë një bamirësi, ashtu siç bënte ajo vetë për të gjithë pa dallim, dhe t’i ndërtojë një varr dinjitoz, të thjeshtë, por me respekt e nderim për jetën e saj shembullore.
Qoftë i paharruar kujtimi i nënë Ilmos – nënës kallaratase, nënës shekullore!