Nuhatja e vdekjes nga macja! -Genta Kaloçi

Nuhatja e vdekjes nga macja! Eksperiment i zhvilluar në politikën shqiptare.

12 PRILL 2017

Studime të shumta nga universitete ndërkombëtare kanë treguar se kafshët shtëpiake janë miqtë më të mirë të njeriut. Në disa raste janë nxjerrë rezultate se, macet të mbrojnë nga frekuenca, shpirtrat gjatë natës, ndjejnë ligësinë dhe energjinë negative që në kulturën popullore quhen magji, xhindë, etj.

Macet kanë aftësi shikimi në nivele shumë të ulta të dritës, deri në errësirë të plotë. Ato me një përpikmëri të jashtzakonshme dallojnë dhe shohin në ambjente dhe hapësira të errëta. Macet dallohen nga aftësia për të parë në një dimension tjetër përveç këtij që ekzistojmë. Nuhatja e tyre është e fortë dhe nëse doni të siguroheni se një ushqim është i sigurtë ose i mirë për të ngrënë, maçokët/macet mund të të japin përgjigjen në këtë rast. Nëse afrohen dhe hanë, atëherë mund ta konsumoni, në rast të kundërt, mos e përdorni. Në disa raste mund ti shohësh të “mjaullijnë” në ajër dhe të “luftojnë” me hapësirën.

Aftësia shumëdimensionale e tyre për të parë dhe ndjerë frekuenca që shqisat njerëzore nuk arrijnë ti kapin ka bërë të mundur të realizohen studime të ndryshme.

Në një studim të fundit macet “nuhasnin vdekjen” e pacientëve në spital. Eksperimenti përfshinte mace dhe një grup pacientësh që ishin në prag të vdekjes. Macet pasi bënin një xhiro rreth pacientëve vendosnin të qëndronin pranë trupit të atij pacienti që ishte më afër vdekjes se të tjerët.

Meqënëse unë kam një maçok në shtëpi mendova ta përdor në të mirë të publikut e shoqërisë shqiptare për të parë se cilat figura të politikës do të pozicionohen të parët në listën e të vdekurve.

Frika i ka kapluar palcën kurrizore dhe dy janë arsyet, jetë në burg, a vdekje në Tufinë?!

Pyetjeve të tilla vetëm macet mund të na mundësojnë përgjigjet ashtu si edhe rradhën e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë për vdekjen e tyre politike.

Gjithashtu u shqyrtua mundësia të futet në projektin e maceve edhe “macja e likes”, pavarësisht statusit ekonomikosocial në mënyrë që të kemi mundësinë e rezultateve të pakundërshtushme.

Ky eksperiment vlerësohet me rëndësi të veçantë për shkencën e vdekur vendase 27 vjeçare.

Kafshët shtëpiake do të kalojnë nga të gjithë përfaqësuesit e kupolës dhe elitës së jashtëqitjes. Në varësi të kundërmimit të erës së tyre, macet do të zgjedhin edhe të eliminuarin e rradhës. Qëndrimi i kafshës për një kohë të gjatë pranë personit, konkretisht te këmbët pa lëvizur do të jetë treguesi që zyrtari/politikani na la shëndenë.

Jemi në pritje të miratimit të këtij projekti që do të fusi në një tjetër dimension realitetin vendas politiko kafshëror shkencor.

Së shpejti do t’ju japim rezultatet e para të eksperimentit. Si fillim do të realizohet vaksinimi Veting dhe në bazë të rezultateve të shumëpritura nga publiku shqiptar.

Ps. Kemi zgjedhur kafshët mace për shkak se kanë 7 jetë, një element thelbësor e kryesor për tu përballur me përbindshat dhe djajtë e politikës vendase.