Oh, jetë ku po vete?Gjeorgjina Kapaj

Oh, jetë ku po vete?

O moj botë e madhe ku shkon?

Më kujtove vitet e vështira që ecnin

Të gjithë kishim një ligj të fortë

Na drejtonte në udhët ku shkelnim.

Oh, sa shpejt ikën ato vite

Ikën si kalorës e s’ndaluan.

U bënë si kroi kristalor në shtigje.

Kujtimet si lule u thuruan.

Ah, sikur qielli të ishte si letër!

Deti të ishte bojë, futur në shishe.

Për jetën do të shkruaja pa rreshtur

Që nga fëminia deri në vite pleqërie.

Të tregoja ditët më të bukura

Për ditët që nuk i shuan kujtesa

Do tregoja për yjet dhe flutura

Që gëzojnë qindra breza.

Do shkruaja për hënën me rreze drite.

E kishim si një shoqe e vërtetë

E kishim shoqe në vite rinie.

Miqësia me të ishte e shenjtë.

Do shkruaja për tufanin që vjen me rrebesh

E para tij rrugën kurrë s’e ndalonim.

Bëheshim qull si të futur në det.

I bënim sfidë kohës që jetonim

Do shkruaja për vite pleqërie

Kur thinjat zbardhen në flokë.

Shpesh i harruar dhe prej fëmijëve

Kur jetën nuk e ke më në dorë.

Gjeorgjina Kapaj

Athinë 5/10/2025