Para se me na mbi mishi…Zanë Memeti 

Zanë Memeti 

PARA SE ME NA MBI MISHI…

Para se me na mbi mishi,

para se me u njoftë me frymën, frikën,

shpirtrat paskëshin qenë,

dritë e zhveshur

e një hapësire të pakohë.

Lidhur atje,

me ata që do t’ua prekin jetën,

pa emra, pa trup, pa role.

Njohje të qeta –

dritë që rri pranë dritës pa një arsye.

Përkim i thelbit,

harmoni që lë shenjë.

Teksa ecin, rëndë, rëndë,

e ndiejnë atë lidhje:

qenie, kurrë të pame 

që duken t’njohur,

zëra të padëgjuar,

por që qetësojnë,

prani që e hap gjoksin pa ditur pse.

Nuk është magji!

Është kujtesa e dritës,

e qenieve t’brishta

që harrojnë, harrojnë.

Janë thirrjet e brendshme

që s’gabojnë.

Matje shpirtrash 

me hekzametra shpirtrash,

mënyra që flasin pa folur fare.

O flasin me paqe, o nuk flasin.

Frymë që kanë qenë pranë nesh

qysh para krijimit,

frymë që lëvizin përbrendash

si valë të njohura.

Është afërsia që nuk do shpjegim.

Është siguria pa ndonjë arsye.

Është besimi i lindur në rrënjë.

Shpirtrat rikthehen

tek ata që i kanë njohur n’panjohësì,

si fëmijë që e zgjojnë butësinë,

si prindër që mbrojnë,

si miq që t’kuptojnë pa u folë,

si dritëza që t’përndrisin,

edhe kur je veç pluhur.

Bekimi ka pafund forma,

por forma më e burimtë

është forma e takimit –

atij takimit n’gjenezë

të shpirtit me folenë.

Oh, aq pak dimë,

aq pak dimë njëmend,

por një vështrim i brendshëm na zgjon, sakaq!

Sakaq, na bën të dimë

se jemi mjegull.

Na bën edhe të dimë,

se drita që na mban në gjallje,

ka qenë n’udhë e n’udhëtime

para çdo ekzistence,

para çdo prezence.