Vullnet Mato
Disa shqipo duarthatë, krenar të dikurshëm,
tani u pasuruan me trashëgime nga etërit.
dhe nga dhelpëritë e rrëmbimit të bujshëm,
me toka, ngastra rëre, e shtëpi të njëri-tjetrit.
Ndodh të yshtur nga xhindet brenda koke,
sajojnë letra të rreme me falsitete djallëzore,
të rrëmbejnë si me magji, gjelbërime toke
dhe hije të mureve të lashta stërgjyshore.
Më pas, xhindet e sherrit u këndojnë në vesh,
rapsodi nga eposi kreshnik i Mujit e Halilit.
Krahët e marrëzisë u mbijnë në gjumë shpesh,
për të nxjerrë papritmas shpatat jashtë millit…
Pasi nuk arrijnë të ndajnë sherrin e pleksur,
përgjojnë e presin shfrimin për gjakmarrje.
Derisa zbulohen vrasjet, nga hetimet e mekur,
t’i dënojnë gjykatat e zvarritjeve shumëvjeçare.
Të tjerë, në pazare narkotike prishur e tërbuar,
hedhin makinat e kundërshtarëve, në erë,
gjysmojnë jetë njerëzore, lënë shtëpi shkretuar,
për ca shuka parash, që humbasin çdo vlerë…
Siç duket, etërit kanë lënë për ta, mallkimin e zi:
‘’Mos u ngopshi kurrë me pasuri dhe gjak, or bij!’’...
